VDEKJA E GRUAS SË PASHKO VASËS NË LIBAN, NJË NGJARJE PLOT NDERIME DHE TOLERANCË. – REVUE INTERNATIONALE BRITANNIQUE (1884). –

Francë, 21 Prill 2018: Në Revistën Ndërkombëtare Britanike, të botuar në vitin 1884, në Paris, në versionin francez, gjejmë një shkrim, në faqen n° 211, ku flitet për ndarjen nga jeta në Liban të gruas së Pashko Vasës.

Kjo ngjarje e hidhur ka vënë në pah asokohe jo vetëm respektin e madh që gëzonte familja e atdhetarit shqiptar në këtë vend, por edhe tolerancën e minoriteteve (etnive) të ndryshme që jetonin aty.

Në vijim, do të gjeni dokumentin e plotë, të sjellë në shqip nga Aurenc Bebja – Blogu “Dars (Klos), Mat – Albania”:

“Vdekja e Zonjës së Vaso Pashait, gruas së guvernatorit katolik të Libanit, rezultoi një ngjarje e cila vuri në dukje përparimin e madh në zakonet e këtij rajoni, ku dominon ende ndikimi francez.

Vaso Pashai është një shqiptar katolik, gruaja e tij ishte ortodokse ; Trupi i të ndjerës u bart deri në kishën ku do të mbahej mesha nga zyrtarët më të lartë të Libanit.

Maronitët, Grekët, Druzët, Myslimanët, Metualët nxitonin njëri pas tjetrit që të kishin nderin për ta mbajtur atë mbi supet e tyre, dhe nga kisha ajo u dërgua në një terren të dhuruar nga administrata libaneze, e cila pati votuar gjithashtu një shumë të caktuar për të ndërtuar një varr.

Ky manifestim simpatik nderon guvernatorin katolik, por gjithashtu edhe institucionet publike të arsimit (edukimit) të Libanit të mbrojtura prej Francës, dhe ku sektet e ndryshme, që kërkojnë zotërimin e tyre, nën drejtimin e lazaristëve dhe jezuitëve, kanë mësuar të tolerojnë njëri-tjetrin, falë nyjes së përbashkët, pra studimit të gjuhës (frënge) sonë.”

Nga Aurenc Bebja,