Vdekja klinike e KORRIDORIT 8, – Ideja e Clinton që do financohej nga SHBA dhe BE. Por konkurrentët e Shqipërisë në gjeostrategji si përherë fituan
Vdekja klinike e KORRIDORIT 8, – Ideja e Clinton që do financohej nga SHBA dhe BE. Por konkurrentët e Shqipërisë në gjeostrategji si përherë fituan
Qershor 2021
Nga Sabina Veizaj
Pak ditë më parë Bashkimi Europian shpalli se do t’i dedikonte një fond prej 29 miliardë eurosh me fokus investimet, Ballkanit Perëndimor. Mes projekteve që BE ka përcaktuar të investojë në Shqipëri, është edhe përshpejtimi i punimeve në hekurudhën e Korridorit 8 ndërmjet Shkupit dhe kufirit me Bullgarinë.
Në fakt ky projekt dhe viti në të cilin ndodhemi duhej të ishte faza e tretë dhe përfundimtare e përmbylljes së ndërtimit të Korridorit të Tetë, por në fakt të kujtojnë një mundësi të humbur të vendeve të Ballkanit në përpjekjen për t`u bërë të mëdhenj, dhe që tani janë ende rajoni më i varfër i Europës.
Ky do të ishte edhe gjykimi i kryeministrit bullgar Boyko Borisov, i cili ishte edhe iniciator i një paneli sëbashku me kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama dhe atë të Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev përballë Bankës Botërore për të negociuar projektin e Korridorit 8 në fund të 2017-ës.
Kryeministri i Bullgarisë Boyko Borisov dhe kryeministri i Shqipërisë Edi Rama
Të tre kryeministrat do të kërkonin mënyrën e financimit të projektit të Korridorit 8, si për pjesën rrugore, ashtu edhe për atë hekurudhore. Në fakt bërja publike e lajmit rezultoi si konsumim politik sepse mandej nuk u diskutua më për të.
Por lajmi i fundit nga BE për financimin e hekurudhës tregoi se vetëm një copëz e vogël e këtij projekti të madh do të jetë në vëmendjen e Unionit.
Korridori i Tetë që kur u dizenjua do të ishte një shans për zhvillimin ekonomiko-social për Shqipërinë, Maqedoninë dhe Bullgarinë, tre vendet ku do të kalonte dhe do ti bënte ata më me influencë në kuptimin gjeopolitik.
Po ekspertët mendojnë se ai është një projekt i dështuar që ngërthen disa faktorë gjeopolitikë dhe faktorë banalë të brendshëm. Ekspertët mendojnë se nuk ka shanse që ky projekt të rizgjohet për të njëjtat arsye dhe sa herë është përmendur, ka qenë për konsum politik.
Profesor Selami Xhepa që asokohe ka qenë këshilltar i parë i kryeministrit Berisha ka kryesuar takimet nga pala shqiptare për Korridorin e Tetë thotë për gazetën “Si” se është një ëndërr e parealizueshme. Arsyet ia faturon kusureve gjeopolitike.
Në krye të herës kujton ai se takimi i parë i kryer në Itali ishte për të lobuar për Korridorin e Tetë ku Shqipëria ishte pro investimit për gjurmën që kalonte nga Porti i Durrësit dhe rrjetin rrugor, por Italia kërkonte gjurmën tek Porti i Barit dhe çdo shtet i përfshirë kishte pretendimet e veta.
“Më 1997 ky konflikt nuk gjeti mbështetje nga Greqia në konferencën e zhvilluar aosokohe me përfaqësues të lartë të shteteve. Greqia kërkonte një korridor tjetër duke mbështetur një rrugë paralele Igumenicë-Athinë. Nuk ka patur rezultat. E njëjta histori edhe në vazhdim. Nuk ka interes dhe përpjekje për ta riaktivizuar. Por në të njëjtën kohë, ka nevojë për rifreskim kombëtar të infrastrukturës.”- shpjegon Xhepa.
Të njëjtën logjikë ndjek edhe ish zv/ministri i transporteve i viteve pasardhëse Sadedin Çeliku . Ai mendon se arsyet që ky projekt nuk u shpu përpara kanë të bëjnë me nacionalizmat e shteteve të përfshira ku secili dëshironte të mbështeste atë korridor që i leverdiste më shumë nga ana ekonomike dhe gjeopolitike njëkohësisht.
Sadedin Çeliku, ish Zv/ministër i Transporteve
“Korridori i 8 është i dështuar sepse BE ndryshoi politikat, Shqipëria karakterizohet nga një parazitizëm. Pasi jam larguar unë nuk është bërë asnjë takim më në këtë drejtim. Evropa ka 24 korridore dhe çdo shtet sheh interesat e veta. Tashmë lufta e ftohtë ka përfunduar dhe zbulimet e kundrazbulimet janë fokusuar në teknologji dhe ekonomi.
Ju e dinii që rusët po kërkojnë dalje nga Greqia për Itali e në Perëndim për të shmangur ndërkohë dhe dubluar rrjetin nga Ukraina e më tej. Në sinkron të këtyre interesave është dhe Turqia e cila ka pretendimet e veta. Ndërkaq Bashkimi Evropian më duket se është më e interesuar të ndërtoj rrugën Egnatia pra portin e madh të Igumenicës, të cilën e ka financuar me 15 miliard euro, ndaj nuk besoj se ka gatishmëri dhe vullnet për financimin e Korridorit të tetë..”- thotë Çeliku
Sipas ish zv/ministrit Çeliku, nga pala shqiptare nuk ka patur vullnet dhe aftësi profesionale për të këmbëngulur dhe lobuar për këtë projekt të rëndësishëm strategjik. Sipas tij, nga pala shqiptare projekti nuk është vlerësuar në terma teknik, por vetëm në terma politik, mandej edhe BE ka ndryshuar politikat dhe gjykimin në lidhje me rëndësinë e projekteve.
Korridori i Tetë është një projekt shumë i gjerë që përmban brenda tij porte, aeroporte, hekurudhë, gazsjellës, etj.. Rrjeti rrugor përfshinte Burgas-Varna-Sofje zbriste në Shkup, dilte në Qaf Thanë që ishte projekti ynë, Elbasan- Tiranë nga Qaf Kërraba e mandej u shtua edhe Durrës-Rrogozhinë-Lushnjë-Fier-Vlorë së bashku me aksin dhe Tiranë – Blladë (rruga e Arbrit që është sot)”- kujton Çeliku.
Korridori i Tetë deri në përfundim do të kalonte në tre faza: 1998-2003, 2003-2010 dhe 2010-2020, pra ky vit do të ishte përfundimi i projektit të madh.
“Ky projekt parashikonte ndërtimin edhe të naftësjellësit dhe gazsjellësit nga Burgasi e Varna-Shkup-Patos-Vlorë nga ku në det të hapur do të ndërtoheshin pontilet larg ( rezervuarë nafte) portit Vlorës. Sipas saj, parashikohej që 10% e fitimit ta merrte Bullgaria,dhe nga 5% respektivisht Maqedonia dhe Shqipëria, pra ndarja në raport me gjatësinë e shtrirjes së tubacionit.
Secili nga këto vende kishte të drejtë të përdorte për nevojat e veta 15% të sasisë naftës çka Shqipëria do të kish mundësi që me atë sasi të plotësonte nevojat”.- shpjegon Çeliku .
Ndërsa për hekurudhën përgjatë Korridorit duhen mbi një miliard euro për 500 km pasi mungojnë tërësisht terminalet e pasagjerëve e mallrave, magazine, sinjalistika, rrjeti i amortizuar kërkon shina, ballast, aksensorë, paisje makineri etj.
Kërkohen fonde për ndërtimin e segmentit Pogradec-Lin ( pjesa jonë ) se pjesa Maqedone ka distance më të madhe dhe tanimë ka pëfunduar deri në Linë.
Por këtu, hyn natyra parazitare e Shqipërisë, sipas Çelikut, i cili mendon se janë edhe kusuret që Shqipëria nuk zhvillohet dot vetë, por pret gjithmonë borxhe nga të tjerët.
Sipas tij, projektet e kryera infrastrukturore deri më tani janë mbështetur rastësisht, por jo në kuadër të korridorit, por sepse nuk mund të bëhet dot ndryshe, si TAPI, Korridori Blu, etj.
Korridori 8 –të është nismë e filluar nga viti 1996 nga Presidenti i SHBA-të, Z. Bill Clinton. Sipas iniciatorit ky korridor do të kalonte nga Bullgaria, Maqedonia dhe Shqipëria për të kaluar në Bari/Brindisi ose siç u quajt më vonë Korridori Lindje-Perëndim dhe anasjelltas. Për të negociuar lidhur me këtë projekt SHBA-ja kishte ngarkuar TDA (Agjencia e Zhvillimit dhe e Tregtisë).
Financimi për realizimin e këtij Korridori do të bëhej nga SHBA-të dhe Bashkimi Europian dhe për këtë qëllim qeveria Amerikane krijoi enkas kompaninë AMBO e cila ka germat e para të shteteve respektive nga ku do të kalonte korridori. Për organizimin e studimit të fizibilitetit dhe projektet u caktuan firma amerikane Bechtel. Financimi ishte grand amerikan prej 30 milion dollarë një pjesë e të cilave përfitoi dhe hekurudha shqiptare.
Por kohët ndryshuan dhe konkurrentët e Shqipërisë në gjeostrategji fituan si gjithnjë. Veçanërisht grekët të cilët fal zotësisë, intuitës për të kuptuar rajonin dhe lobeve arritën të ndërtojnë rrugë konkurruese, portin e Selanikut, autostradën e Igumenicës, zgjatën rrugën Egnatia etj… Ndërsa ëndrrën shqiptare dhe shumë para e mund i vdiqën. Këtë na e konfirmoi edhe BE pak ditë më parë.