Vë në dyshim ligjet e natyrës?! Fshati që është bërë i njohur për shkak të një sekreti mistik!
17 Tetor 2022
Amaseno, një fshat i vogël midis Romës dhe Napolit me lugina të gjelbra dhe pemishte qershish është bërë i famshëm për shkak të një sekreti mistik që, sipas vendasve, vë në dyshim ligjet e natyrës. Në një kishë të fshatit ruhet një shishe qelqi që ka brenda gjak. Fshatarët shkojnë gjithnjë në kishë dhe luten para shishes që thuhet se përmban gjakun e një shenjtori.
Gjatë katër shekujve të fundit, një herë në vit ose dhe më shumë, gjaku dhe mishi i Shën Lorencit lëngëzohet duke u shndërruar nga një masë e dendur dhe e errët, në një lëng të kuq të përzier me elemente të tjera. Besimtarë vendas tregojnë se:
Teksa gjaku bëhet i lëngshëm, ju mund të shihni në të një copëz të bardhë të lëkurës së djegur të shenjtorit dhe disa thërrime të zeza qymyr druri. Çdo verë midis 8 dhe 10 gushtit ndodh lëngëzimi, më pas rreth 12 gushtit gjaku fillon të ngurtësohet përsëri. Është koha e festës për fshatin. Familjet mblidhen, luten dhe festojnë me ushqime të bollshme.
Jo vetëm vendasit, por edhe njerëz nga fshatrat e afërt dynden për të marrë pjesë në paradat fetare që organizohen gjatë muajit gusht, për hir të kësaj ngjarjeje të shënuar. I gjithë fshati pushtohet nga një atmosferë shpirtërore dhe misticizmi. Nuk dihet se si shishja prej qelqi mbërriti në fshatin i cili deri në vitin 1872 quhej Shën Lorenci. Sipas mendimit të besimtarëve, ajo mund të jetë sjellë nga ushtarët e lashtë romakë që kanë qenë dëshmitarë të martirizimit të shenjtorit.
Shën Lorenci thuhet se u ekzekutua në Romë më 10 gusht 258 p.e.s nën sundimin e perandorit romak Valerian. Megjithatë, shumë e kanë vënë në dyshim fenomenin dhe kanë dalë me shpjegime të mundshme shkencore. Sipas kimistit Luigi Garlaschelli, ai që pretendohet të jetë gjak në të vërtetë përbëhet nga yndyra shtazore ose xhelatinë që shkrihet kur është nxehtë. Sipas tij, nuk është rastësi që “mrekullia” ndodh në muajin më të nxehtë të verës.
Gjëja e parë që shkoi në mendjen e shkencëtarit, ishte se nuanca e kuqe mund të jetë “gjaku i dragoit”, një rrëshirë bimore që përdorej gjerësisht gjatë Mesjetës. Mirëpo Luigi ka refuzuar të japë një shpjegim të saktë shkencor mbi përmbajtjen e shishes, pasi kështu besimi ndër shekuj i njerëzve do të thyhej. Kulti i Shën Lorencit ndihet fort edhe në Kanada e SHBA, ku pasardhësit e emigrantëve italianë e nderojnë ende shenjtorin. Në Chicago dhe Illinois, një komunitet lokal me origjinë Amaseno feston ende festën e San Lorenzos, me anë të një pelegrinazhi me gra të veshura me rroba tradicionale. /TAR/
Nga Gazeta Shqip