Veglat muzikore te tradites: Lahuria
Veglat muzikore te tradites: Lahuria
Lahuria është vegël muzikore kordofone e gjinisë së lahutës po me 2, 3 ose 4 tela. Lahuria ka pothuajse të njëjtën ndërtim si lahuta me ndyshim nga kordat. Deri para pak viteve ajo përdorej dhe në Tiranë dhe zonat përeth saj, por sot nuk kemi më bartës të këtij intrumenti në kryeqytet. Lahuriua përveç përdorimit të saj në Tiranë dhe rrethinat e saj, ajo është përdorur dhe në Krujë, Fushë Krujë, Mat e Dibër, por mendohet që kjo vegël të jetë luajtur edhe më gjerë në vendit tonë, por këto gjurmë sot kanë humbur. Këtë vegël muzikore e gjejmë në mjaft formacione muzikore të ndryshme që nga ato folklorike deri tek formacionet klasike në Europë, ku haset me emërtime të ndryshme Arbëreshët e Kalabrisë e quajnë lavute , lirika quhet në Kroaci, gedullka në Bullgari dhe Maqedoninë e Veriut, ose Lira e përdorur në mesjejetë në Europë, lira e Egjeut, tek arbëreshët në Greqi etj. Kryesisht ky instrument është i ndërtuar në formë dardhe me 2 e më shumë korda.
Me interes tek lahuria në Shqipëri është forma e saj, e cila është e veçantë për nga mënyra e ndërtimit, e ngjashme me atë të lahutës, ku në shumicën e rasteve në vënd të lëkurës vendohet një fletë e hollë metali, kordat ndërtohen nga zorrët e kafshëve, prej qimeve të bishtit të kalit, ose nga korda çeliku, ndërsa harku ndërtohet nga druri i thanës me qime të marra nga bishti ose kreshta e kalit.
Lahuria si instrument solistik, ka një dapazion të gjërë në repertorin e saj, si dhe ka një mundësi të madhe intepretimi këngësh e vallesh popullore.
Lahuria mund të luajë në formacione të ndryshme si p.sh formacion me daulle, tumalek, çifteli, fyell, sharki etj. Mendohet që lahuria është pararendës i intrumentave me hark si violina, viola, violinçeli dhe kontabasi. Mendohet, gjithashtu se lahuria u zëvëndësua me qemanen (violinën) ku në formacionet e ahengut violina përdorej në intepretim si lahuria.
Është e shumtë lisa e bartësve që kanë intepretuar në lahuri ku mund të permëndim disa prej tyre: Dali Fasliu, Zekja i Bazit, Hajrulla Ceni, Ali Sala, Lim Rramani, Met Neziri, Abdi Kurti, Sabri Kurti, Fadil Keçi etj.
Vërtet lahuria është drejt zhdukjes, por sot e gjejmë të interpretohet ende në zonën e Burrelt. Ikli Punavia, është një multi intrumentist popullor, i cili vijon të intepretojë në lahuri, fyell dhe çifteli. Ikli mësimet e lahurisë i mori nga i ndjeri, mjeshtri Qamil Beshku. Ai sot është ndër bartësit e vetëm që vazhdon të interpretojë në mënyrë burimore. Gjithashtu, Ikli angazhohet edhe në sipërmarrje të tjera folklorike, një ndër këto është edhe organizimi i Festivalit Folklorik Kombëtar Klosi, festival i cili tashmë numëron dy edicione dhe mbledh bartësit më në zë të Shqipërisë dhe gjallëron jetën e qytetit very-lindor.
Lahuria në foto është e malësisë së Tiranës e zonës së Tujanit. Banorët e zonave përreth Tiranës e kujtonë me nostalgji këtë vegël muzikore popullore që i ka shoqëruar në gëzimet e tyre dhe ende mund të gjendet ndonjë lauhuri, në ndonjë cep shtëpie trashëguar nga gjyshërit. Si dëshmi reale se kjo vegël ka bashkëjetuar me ta. Madje nga bisedat me banorë të malësisë së Tiranës kam marrë informacion se ky instrument është luajtur edhe nga gratë.
Dokumentimi i këtyre veglave popullore muzikore të vjeter do ishte me interes për etno – kulturen Shqipëtare.
Punoi: Ermal Sela.
Fotografitë marrë në koleksionin privat të Ermal Selës.