Veliaj-ne-Bashki

Veliaj, Flet Hapur: -Bashkia jep prona publike për pallate, Veliaj: Marrim (!) 40 % të ndërtimit, –

 4 maji 2019

Nga:BESARTA BASHA.

Në mbledhjen e parafundit të këtij mandati, Këshilli Bashkiak vendosi që disa prona të saj t’ua japë disa firmave të ndërtimit me qëllim zhvillimin e tyre.

Si pronare e sipërfaqeve të caktuara, bashkia ka hyrë tashmë në marrëdhënie kontraktuale me gjashtë kompani, të cilave u jep parcelat, në këmbim të 40% të sipërfaqes që do ndërtohet. Ndonëse u kontestuan nga këshilltarët e opozitës, të cilët edhe këtë mbledhje e ndoqën nga mediat, vendimet në fjalë, për kreun e bashkisë Erion Veliaj, janë tërësisht në favor të bashkisë.

“Është mëkat që qyteti zhvillohet nga privatët, ndërkohë ne nuk utilizojmë çdo rrip toke që rezulton shtet dhe i bashkisë në të gjitha këto zhvillime. U kam kërkuar kolegëve të Bashkisë që ne të marrim gjithmonë ofertën më të lartë të çdo privati pronar toke. Nëse privati ka marrë 30 apo 35%, bashkia do të marrë 40 për çdo m2 që ka në zhvillim. Është një ftesë për të marrë këtë vendim. Për shumë kopshte e çerdhe nuk ka nevojë të shpikim rrotën, nëse jemi pronarë diku, ta marrim siç e merr privati dhe t’i shfrytëzojmë. Sot ne jemi qiramarrësja më e madhe në qytet, në vend të ishte pronarja më e madhe. Pse harxhojmë kur ne mund t’i marrim zyra dhe t’i ngelin në jetë të jetëve qytetit?!”

Me këtë argument, kryebashkiaku ftoi këshilltarët e pranishëm (shumica e thjeshtë) të kalojnë projektvendimet, që kërkojnë dhënien e pëlqimit mbi zhvillimin e gjashtë pronave shumë pranë qendrës së qytetit.

SITUATA POLITIKE

Edhe në mbledhjen e djeshme të Këshillit, me vetëm praninë e maxhorancës, kryebashkiaku shfrytëzoi rastin të rikërkojë votë masive në favor të PS-së, me qëllim që parlamenti i Tiranës të mos jetë pengesë për zhvillimin e qytetit. Pavarësisht nëse opozita hyn ose jo në zgjedhje, Veliaj thotë se kjo maxhorancë garën e ka me veten.

“Nëse opozita vazhdon të refuzojë të marrë pjesë apo të sjellë një alternativë për Tiranën, përveçse të bllokojë projektet, ky është vendimi i saj. Unë e kam thënë gjithmonë. Ne garën e kemi me veten tonë. Çdo vit duhet të jemi më mirë se viti që ishim dhe në mandatin tjetër do të duhet të jemi më mirë se sa mandatin që lamë pas. Ne do të luftojmë për çdo mandat për të 61 mandatet. Nuk ka rëndësi nëse futen ata ose futen parti të tjera të vogla, për ne marrja seriozisht e fushatës është fillimisht respekt ndaj votuesve”, nënvizoi Veliaj.

Erion-Veliaj-Keshilli-Bashkiak-i-Tiranes-

VENDIMET

Rritja e pagave për punonjësit e njësive administrative, fondi i komunitetit, lista e përfituesve të bonusit të qirasë, krijimi i muzeut “Shtëpia Studio Kadare” dhe praktikat e punës në Bashkinë e Tiranës janë pjesë e paketës sociale të vendimeve të miratuara një ditë më parë. Për pikën e fundit, që hap thirrjet pikërisht këtë muaj, kryetari ftoi të rinjtë të aplikojnë, duke shmangur çdo lloj përpjekjeje burokrate për ta fituar të drejtën në mënyra të tjera. “Kemi hapur 90 vende të reja pune për studentët e sapodiplomuar. I ftoj të aplikojnë. Ata që mundohen të fusin një mik apo të më gjejnë mua numrin, harxhojnë kohë kot. S’ka dorë fare kryetari i bashkisë në sistemin e DAP-it. Janë tre profesorë, që rastësisht iu bie shorti t’ju intervistojë dhe t’ju japin një notë”.

PD, Çollaku: Akt mafioz, grabiten tokat shtetërore

Kalimi i projektvendimeve që kërkojnë 3/5 e votave të këshilltarëve të bashkisë ka ngjallur revoltën e opozitës. Partia Demokratike, përmes përfaqësuesit të saj në Këshill, Kreshnik Çollaku, e cilëson votimin e çështjes së pronave me shumicë të thjeshtë si akt mafioz për llogari të oligarkëve të bashkisë. “Ky akt mafioz, manipulator, grabitës, mbi pronën publike në Tiranë, qartësisht bëhet që mafies, klientëve pranë kryetarit të Bashkisë së Tiranës t’u serviren, t’u plotësohet oreksi për grabitjen dhe gllabërimin e pronave publike në Tiranë. Kanë projektuar grabitjen, uzurpimin e një të drejte kushtetuese të këshilltarëve bashkiakë dhe kalimin e kësaj të drejte në institucione të tjera”, është shprehur në një reagim nga selia e PD-së, kryekëshilltari i djathtë. Vjedhja e mundësisë së Këshillit për të vendosur mbi pronat e qytetit është arsyeja përse opozita refuzon të marrë pjesë në mbledhje, sipas Çollakut. Në reagimin e tij, ai u kërkon qytetarëve ta ndëshkojnë me votë në zgjedhjet e afërta. “Opozita dhe Partia Demokratike e ka denoncuar dhe e denoncon këtë klimë manipulimi dhe këtë klimë mafioze që qeveris Tiranën, por si Tiranën të gjithë Shqipërinë. Erion Veliaj nuk është veçse një sozi e Edi Ramës, një vegël e tij. Ai dhe Rama meritojnë të njëjtën përgjigje nga opozita e bashkuar nga qytetarët e ndershëm të këtij vendi”.

VENDIMET PER PRONAT

P/Vendim “Për dhënien e miratimit për zhvillimin e pronave nr. 1/921, 1/188, 1/922, zona kadastrale 8250, në pronësi të Bashkisë Tiranë dhe miratimin e marrëveshjes së sipërmarrjes midis Bashkisë Tiranë dhe subjektit “Startek” sh.p.k. P/Vendim “Për miratimin në parim të dhënies me qira të sipërfaqes prej 810 (tetëqind e dhjetë) m2, pjesë e pasurisë nr.4/673, zona kadastrale 8330, me emërtimin “Parku i transportit Tiranë”, në pronësi të Bashkisë Tiranë”.

P/Vendim “Miratimin e listës së kullotave të gatshme për kullotje dhe kositje bari, në pronësi të Bashkisë Tiranë dhe kontratën TIP të qirasë”. P/Vendim “Për dhënien e miratimit për zhvillimin e pronave në pronësi të Bashkisë Tiranë dhe miratimin e marrëveshjes së sipërmarrjes midis Bashkisë Tiranë dhe shoqërisë Milo 2000”.

P/Vendim “Për dhënien e miratimit për zhvillimin e pronës, në pronësi të Bashkisë Tiranë dhe miratimin e marrëveshjes së sipërmarrjes midis Bashkisë Tiranë dhe subjektit M. Petrela”.

P/Vendim “Për dhënien e miratimit për zhvillimin e pronave, në pronësi të Bashkisë Tiranë dhe miratimin e marrëveshjes midis Bashkisë Tiranë dhe subjektit Arlis Ndërtim shpk”.

Gazeta Panorama.