Veliaj këmbëngul: Teatri nis të ndërtohet vitin tjetër, Maks Velo: Plan i tmerrshëm.-

“Duhet të ndërrojmë pasaportat dhe të themi se vijmë nga shpella e Ali Babës”.

05.11.19.

Gazeta Shqiptare

Në një shkrim me titull “Fytyra e ndryshimit të Tiranës” gazetari Daniel McLaughlin i “Irish Times”, ka intervistuar kyebashkiakun e Tiranës Erion Veliaj për çështjen e Teatrit Kombëtar. “Unë i pëlqej shumë debatet, por në të njëjtën kohë, e kuptoj kur është koha për të marrë vendime… Teatri do të fillojë të ndërtohet vitin e ardhshëm”, është shprehur Veliaj. Në të njëjtin artikull, artisti Maks Velo, një ndër firmëtarët kundër shembjes së godinës përshkruar si të “tmerrshëm” planin e teatrit të ri.

PJESË NGA SHKRIMI

Prej më shumë se një viti e gjysmë, protesta e drejtuar nga aktorë e regjisorë ka kërkuar që qeveria të heqë dorë nga planet për një teatër të ri. Teatri aktual u ndërtua në 1939 pas pushtimit fashist të Italisë së Musolinit. Që prej korrikut, kur menduan se do të fillonte shembja e teatrit, protestuesit bëjnë roje 24 orë në mbrojtje të atij që e quajnë një objekt të pazëvendësueshëm të trashëgimisë kulturore. “Mund ta ndërtojnë kudo tjetër një teatër të ri. Përse këtu?” thotë regjisori Robert Budina. “Ky vend ka shumë histori”, shton Neritan Liçaj, prej 28 vitesh aktor në Teatrin Kombëtar. “Të gjitha institucionet artistike lindën prej këndej: opera dhe baleti, galeria e parë e artit, filarmonia e shtetit, akademia e arteve – kjo është pronë publike”. Pedagoge dhe ish-ministre e Arsimit, Mirela Karabina thotë se ruajtja 24 orëshe është “luftë për demokraci”. “Kjo është e para protestë e këtij lloji në Shqipëri. Ne jemi këtu për të ndërtuar demokracinë dhe për t’u treguar qytetarëve që nëse diçka nuk shkon, duhet të reagojmë”. Qeveria thotë se ndërtesa është jo vetëm jashtë kohe, por tërësisht e pashpresë për t’u riparuar. Në vend të saj planifikohet të ndërtohet një teatër i fjalës së fundit, i projektuar nga grupi danez i të famshmit Bjarke Ingels, me një kosto prej 30 milion euro, të mbuluara tërësisht nga investitori, të cilit do t’i jepet leje për të ndërtuar një bllok banesash e zyrash në tokën ngjitur. Qeveria po përdor të njëjtin instrument partneriteti publik-privat si në rastin e stadiumit të ri në Tiranë, ku kulla bashkangjitur stadiumit do të jetë një hotel luksoz. “Tani kemi një stadium kombëtar me vlerë 70 milion Euro dhe e gjitha pa shpenzuar asnjë qindarkë nga taksapaguesit”, thotë Veliaj. Megjithatë, kritikët thonë se kostoja nuk është problemi kryesor. Ata akuzojnë autoritetet për injorim të opinionit publik sa herë që bëhet fjalë për të tilla skema, për shkeljen e rregullave me qëllim favorizimi dhe për mundësinë që i japin parave të dyshimta për të depërtuar në industrinë e ndërtimit. “Tirana është kthyer në një lanvaderi për milionat e krimit e të drogës”, thotë Lulzim Basha, kryetar i Partisë Demokratike në opozitë. “Nuk ka fizibilitet ekonomik për të gjitha këto kulla që po ndërtohen… Kjo është një provë e dukshme se si krimi i organizuar po depërton në ekonominë tonë”.

ÇËSHTJA E KORRUPSIONIT
Velo e përshkruan si të “tmerrshëm” planin e teatrit të ri dhe bashkë me kolegë të tjerë arkitektë kanë firmosur kundër ndërtimit të tij. “Gjëja që më mahnit më shumë këtu është fuqia e hajdutëve”, thotë ai. “Duhet të ndërrojmë pasaportat dhe të themi se vijmë nga shpella e Ali Babës”. Shtetet e BE cituan shqetësimet e tyre në lidhje me krimin e korrupsionin muajin e shkuar, kur refuzuan hapjen e negociatave me Shqipërinë, por Veliaj këmbëngul që teatri dhe projektet e tjera janë të pastra dhe do t’u bëjnë ballë kundërshtarëve kronikë dhe atyre politikë. “Ky është objekti i fundit pas të cilit mund të kacavirren për të luftuar. Kur ta humbasin edhe këtë do të hyjnë në histori jo vetëm si ata që nuk bënë asgjë kur e patën qytetin në dorë, por bënë çdo gjë që të pengonin edhe të tjerët, edhe pasi e humbën mundësinë e tyre”, thotë ai për demokratët. “Unë i pëlqej shumë debatet, por në të njëjtën kohë, e kuptoj kur është koha për të marrë vendime… Teatri do të fillojë të ndërtohet vitin e ardhshëm”.