Veliaj, në sulm ndaj SPAK-ut: – Të shkrihet!
8 Janar 2025
Kryebashkiaku i Tiranës, nën hetim për 4 akuza nga SPAK-u, kërkon që ta shkrijë këtë institucion. CNA ka mundur të sigurojë informacione zyrtare nga mazhoranca dhe nga lëvizjet e kryebashkiakut të Tiranës, i cili tashmë ka dalë me tezat e tij të reja.
“Ne nuk mund të jemi një republikë prokurorësh dhe unë nuk mund të hetohem kështu”, mësohet të ketë thënë Veliaj.
Dhe, menjëherë mesa duket 99-çat e Rilindjes brenda grupit parlamentar të Partisë Socialiste kanë filluar tashmë të përgatisin strategjinë e re, atë të sulmit ndaj SPAK-ut, duke nxjerrë edhe zëra për të thënë se nuk mund të jemi republikë prokurorësh, se reformën në drejtësi e imponoi deri diku dhe Soros ndaj dhe SPAK-ut nuk duhet t’i zgjatet mandati, prokurorëve të këtij institucioni, për më tepër SPAK-u duhet të shkrihet, pasi e ka kryer misionin e tij në luftën ndaj korrupsionit.
Ky, qartazi është një lloj shantazhi ndaj drejtësisë, ky është një shantazhi ndaj prokurorëve, ndaj SPAK-ut, ndaj institucionit që është ndërtuar me qindra miliona euro të paguara nga taksapaguesit europianë dhe amerikanë.
SPAK-u ka çuar pas hekurave jo pak zyrtarë të lartë. Tashmë të gjithë janë të qartë, ish-kryeministri, ish-presidenti, ministrat e kabinetit Rama të arrestuar, kryetarë bashkish dhe tashmë radha i ka ardhur Erion Veliajt, jo me një gjyq popullor, por me fakte dhe prova, me afera si inceneratorët dhe “5D” apo hetimi pasuror që ka nxjerrë zullumet e kryebashkiakut të Tiranës dhe familjarëve të tij.
Në këtë moment ka filluar dhe sulmi ndaj SPAK-ut.
Erion Veliaj po kërcënon SPAK-un se do t’i shkrijë, se do të bëjë lëvizje. Ai nuk mund të hetohet, ai duhet të lëshohet nga SPAK-u. Duket që është një shantazh i pastër, teza është e qartë. I themi administratës Trump që deri diku reforma u imponua nga Soros, ndaj dhe misioni i tyre tashmë ka mbaruar. Në fakt, misioni i SPAK-ut nuk ka mbaruar, misioni i SPAK-ut tashmë ka filluar. Gjatë kohës së Arben Krajës në tri vite ne nuk pamë asgjë.
Thjesht dhe vetëm në dy vitet e fundit për shkak të vullnetit të fortë, të ri të Altin Dumanit, SPAK-u ka marrë një tjetër formë dhe të gjithë tashmë besojnë pasi po shikojnë rezultate të vërteta dhe askush nuk është më i paprekshëm dhe i pahetueshëm. Jo vetëm Erion Veliaj, por edhe aty ku dikujt nuk i shkon më mendja.
Ndaj dhe ka filluar kjo luftë, luftë të cilën fillimisht e nisi kryeministri Rama me komisionin parlamentar “Xhafaj” për të cilin dha sinjal edhe në intervistën e fundvitit ku theksoi se në rast se duan zgjatje mandati prokurorët e SPAK-ut duhet të shkojnë te Fatmir Xhafaj, i cili në fakt duhej hetuar sipas ligjit antimafie, por ende nuk dihet pse SPAK-u nuk e bën dhe Fatmirin Edi Rama e ka “parkuar” atje, për ta vënë përballë prokurorëve të SPAK-ut të cilët duhet ta hetonin për zullumet e tij politike në këto 30 vite.
E di që hajdutëritë e tij janë zbuluar dhe ka filluar një betejë e fëlliqur sulmesh, akuzash ndaj prokurorit Olsi Dado, ndaj kreut të SPAK-ut Altin Dumani, prokurorëve të tjerë, disa që i quan të tijtë, disa që i quan armiq e kështu me radhë deri te shkrirja e SPAK-ut që mund të ndodhë se do Erion Veliaj.
Në fakt, kjo nuk ka për të ndodhur ose mund të ndodhë pasi Erion Veliaj të shkojë në bankën e të akuzuarve./ CNA