26 Dhjetor 2024

Avokatja Adriana Kalaja tha që kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj do të shkojë drejt arrestimit, herët ose vonë. Ajo theksoi se ka informacione që kryeministri Rama i ka kërkuar dorëheqjen, por Veliaj s’ka pranuar ta japë.
Sipas Kalasë ndonëse kemi hetime me regji, dosja është e pamundur të mbyllet. Kalaja thotë se Veliaj dhe familjarët e tij janë persona nën hetim, pasi në të kundërt s’mund të kishte masa kontrolli dhe sekuestroje.

“Mendoj që edhe ky hetim megjithëse është shumë i mirëpritur, ne jo vetëm e inkurajojmë, por ka disa segmente ku unë mendoj që përveçse hetimet po bëhen pak me regji, që ne ta bëjmë edhe këtë po mos prekim këtë, mos prishim pjesën tjetër. Që në krye të herës, ditën kur u shkua në banesat e Ajola Xoxës, vëllait të Veliajt, dhe nënës, kishte një kakofoni.

Në fund doli që këta bënë një ankim ndaj vendimit të gjykatës qoftë për kontrollin e banesave dhe sekuestros. Duan ta mbajnë në terr informativ këtë situatë. E kanë nisur gabim, sepse s’mund ta nisësh nga personat e thirrur, dhe pastaj të shkosh te personi kryesori. Nëse dyshohet Ajola Xoxa, me çfarë cilësie i ka bërë, i ka bërë me cilësinë e bashkëshortes së Veliajt.

SPAK-u e ka filluar pak nga poshtë-lart, jo nga lart-poshtë. Edhe marrja në pyetje, pse duhet bërë përjashtimi për disa?! Ajola Xoxa, Erion Veliaj, vëllai dhe nëna e tij, s’janë persona në dijeni për një vepër penale, janë persona nën hetim, sepse s’mund të dalim masa kontrolli dhe sekuestroje, nëse personi s’ka ndryshuar statusin. Ajola Xoxa u thirr pas orarit të punës, kur ishte thirrur protesta.

Nesër Erion Veliaj do shkojë të japë deklaratë në SPAK. E siguroj Veliajn, njerëzit brenda SPAK-ut që vazhdojnë punojnë për Veliajn, që kërkojnë të mbyllin dosjen, ta harrojnë, sepse edhe nëse këto dosje të mbyllen në kundërshtim me ligjin, ne do bëjmë të pamundur që Shkalla e Parë t’i kthejë dosjet

Duhet të ishte arrestuar Veliaj, por nëse bëjmë një retrospektivë të situatës në SPAK, edhe ky hetim po bëhet me regji.

Sipas informacioneve jo zyrtare di që Rama i ka kërkuar dorëheqjen, që të mbyllet lehtësisht, dhe Veliaj s’e ka pranuar. Arrestimi i Veliajt do ndodhë se s’ben, s’ka arsye pse mos ndodhë, sepse janë qindra miliona euro të pastruara.
Kanë ardhur edhe letër-porosi nga Italia, Malta dhe Qipro, qoftë transaksione bankare, por edhe kompani offshore.

Familjarët e Veliajt akuzohen për korrupsion, për pastrim të produktit të veprave penale dhe për ushtrim të ndikimit të paligjshëm. Unë mendoj që akuzat ndaj Veliajt janë të vërtetuara.”, u shpreh Kalaja në “MCN Informacion”.

Kalaja tha që e vetmja alternativë që e ndihmon Veliajn është që ai të bëhet bashkëpunëtor i drejtësisë.

Gazeta Sot