Velieria. po kthehet në beton bastioni më i hershëm i historisë botërore. Flet Gjergj Frasheri. – Ja faktet.

Nga: GJERGJ KRISTO FRASHËRI 

Ku janë “Specialistët” Arkeologë të Institucioneve dhe të Përvuajturit e Shoqërisë Civile? Arkeologjia te Veliera po jep shpirt! 

  1. U bënë tashmë dy vjet (2017-2019) që skeleti prej beton/arme i Skulpturës futuriste “Vela/Veliera” para Hyrjes Historike të Portit të lashtë të Durrësit, pasi hyri e doli nëpër dosjet e gjykatave të korruptuara, ka pesë-gjashtë javë që paska filluar të hedhë shtat për të përfunduar së ndërtuari. Nuk janë lënë mangët derisot vlerësimet historike prej nesh, njëkohësisht kritikat me argumente, paralajmërimet në medie deri denoncimet në prokurori mbi dëmet katastrofike që Ministria e Kulturës i bëri pasurisë arkeologjike në këtë mjedis urban, duke lëshuar lejen për këtë ndërtim të pajustifikueshëm dy vjet më parë – kritika të tilla si tek Shqiptarja.com (Frashëri: Veliera po e lë Durrësin antik pa portën e fortifikimit/Kush do fitojë Vela prej Betoni e Kryetarit Hyrja e Lashtë e Dyrrah-ut, 10 Shkurt 2017); apo ajo me titull: Prepotencë shtetërore dhe servilizëm institucionesh kundra pasurisë arkeologjike”, 17 Shkurt 2017; më pas në Gazeta Sot:Instituti i Ministrisë së Arsimit merr tendera për arkeologji shpëtimi nga Ministria e Kulturës,12 Mars 2017; pastaj në gazetën Panorama:Tragjedi e Komedi arkeologjike në “Velierën” e Durrësit, 10 Prill 2017, dhe të tjera intervista televizive. M’ë duhet edhe një herë të ritheksoj, se çdo hap ndërtimor që hidhet në këtë mjedis arkeologjik të Durrësit, shkakton shkatërrimin, humbjen dhe zhdukjen një herë e përgjithmonë të një monumenti, jo vetëm të rrallë të historisë botërore të fortifikimeve, por ndoshta unikal në llojin e vet. Pikërisht aty ku tashmë prej gjashtë javësh janë zgavruar me egërsi nga skreperi, gropat për hapjen e themeleve të dy gjymtyrëve mbajtëse të Velës/Velierës, për t’u betonuar dy këmbët veriore të saj, pikërisht aty janë mbetjet e Kryebastionit të Madh të Artilerisë të Portit të Durrësit, cili sipas njoftimeve burimore dokumentare i ka hedhur fillimisht themelet në vitet ’80 të shek. 13, mbas rrënimeve që shkaktoi tërmeti i vitit 1272 në sistemin fortifikues të Durrësit (Frashëri, Prepotencë shtetërore...). Me gjurmë të rindërtimeve të mëvonshme gjatë shek. 14 në kohën e Karl Thopisë dhe në vijim ato të Venecianëve prej vitit 1395, ai rezulton të jetë një nga bastionet më të hershme të historisë botërore ndërtimore dhe arkitektonike ushtarake, i projektuar enkas për një fortifikim të destinuar për përdorimin e artilerisë me barot (e shpikur në kohën e themelimit të tij). Rolin e këtij bastioni në mbrojtjen e qytetit të Durrësit e dëshmon përveç të tjerave, edhe një dokument i datës 26 prill 1463, një vendim i Këshillit të Venedikut, që bën fjalë për emërimin fisnikut Mapheus Truno si komandant i Bastionit të Shën Elisë në Kështjellën e Durrësit (Kristo Frashëri, Skënderbeu dhe Lufta shqiptaro-osmane e shek. 15, Vëll 7, Burime Kancelareske Perëndimore, dok. 130, ff. 208-209). Forma planimetrike e  këtij bastioni të fuqishëm me gjerësi muresh prej 2,80 m, jo me qoshe kënddrejte por me qoshe të prera diagonalisht, sëbashku me frëngjitë embrionale origjinare të topave të stilit grotesk (primitiv), janë dëshmi të qarta të një bastioni exemplar i arkitekturës më të hershme të kullës së artilerisë me barot. Një paralele të saj do të mund t’a gjenim më herët në botën anzhuine (fundi i shek. 13), përpara se ajo të eksperimentohej me këtë format arkitektonik në botën venedikase adriatikase (shek. 14). Në këto gjashtë javë të fundit, arkeologët e caktuar nga Ministria e Kulturës, të cilët kanë drejtuar dhe kontrolluar punën e skreperëve të Ndërtuesit të Velierës, paskan lejuar të zhduken pa mëshirë fragmente masive të murit të jashtëm të  bastionit, por edhe substancë arkeologjike në brendinë e tij për hir të betonit të derdhur (Foto 1).  Padyshim, ndërtuesit e kanë marrë miratimin për këtë vdekje të bastionit nga Ministria e Kulturës (MK), si dhe miratimin e  arkeologëve përgjegjës të projektit! Kujtojmë, se MK me vendim të posaçëm të KKAsë ia besoi këtë gërmim arkeologjik më se dy vjet më parë Institutit Arkeologjik të Tiranës dhe arkeologut të tij Prof. Dr. Eduard Shehi. Përgjegjësi e madhe për institucionin më të lartë shkencor të vendit dhe anëtarëve të KKAsë për një masakër të tillë të panevojshme dhe shembullore penale.

  1. Kundrejt kësaj dëshmie me vlera të jashtëzakonshme arkeologjike me përmasa botërore, arkeologët e institucioneve shtetërore të Shqipërisë flasin në korr për zbulimin e mbetjeve të një “Konaku osman” (shek. 19) apo për zbulimin e “Pallatit të Princ Vidit” (1914), duke u përpjekur të hedhin hije të zezë mbi tërë arsenalin dokumentar arkeologjik mijëravjeçar, që ndodhet nën nëntokën poshtë tyre. Por, qëkurse dolën në dritë mbetjet e mureve të trasha të Bastionit të çpuara nga frëngjitë e topave të artilerisë me barot, mbetjet e vakta të mureve të holla të ndërtesës Konaku/Pallati, të cilat i mbivihen strukturave të rënda e të fuqishme ndërtimore të bastionit, nuk përbëjnë fokus konkurues arkeologjik. Pas Luftës së Parë Botërore, strukturat e vijueshmërisë Konak/Pallat u rrënuan dhe u rrafshuan duke lënë vetëm ravijëzimet e tyre subplanimetrike. Mbetjet e tyre janë tërësisht të kontrastueshme dhe tregojnë se nuk kanë asnjë lidhje funksionale apo kohore me mbetjet e Bastionit. Mbivlerësimi i tyre në raport me mbetjet e bastionit, përbën një falsifikim nga ana e arkeologëve dhe institucioneve shtetërore të specializuara, e cila mund të vijë nga paaftësia, ose nga presioni politik për t’i hapur rrugë vendimit për ndërtimin me çdo kusht të Velierës?! Në këtë mënyrë, mbi rrënojat arkeologjike të dala te nëntoka ku kërkohet të ndërtohet Veliera, përveç arkeologut Shehi që ka kryer gërmimet është shprehur në nivel diletanti edhe drejtori i tij i Institutit Arkeologjik, Prof. Dr. Luan Përzhita (Frashëri, Tragjedi dhe komedi…). Me qëndrimet e tyre rezulton të jenë pajtuar edhe arkeologë të tjerë, vendimmarrës të përzgjedhur nga ministresha e Kulturës Mirela Kumbaro për të formuar anëtarësinë e Këshillit Kombëtar të Arkeologjisë (KKA), të tillë si Prof. Dr. Lorenc Bejko njëkohësisht edhe drejtues i Departamentit të Trashëgimisë Kulturore pranë Uni Tiranës, Prof. Dr. Belisa Muka drejtuese e Departamentit të Antikitetit parnë Institutit Arkeologjik, etj. Nuk duhet të harrojmë edhe tre ekspertë të spikatur që Gjykata e Durrësit i zgjodhi për Ekspetizën e saj, si Prof. Dr. Faik Drini, Prof. Dr. Skënder Aliu dhe Taulant Rama, të cilët duke mos qenë ekspertë të profilit arkeologjik që kërkonte rasti në fjalë, duhet t’a kenë qerasur Gjykatën me siguri me Pallate apo Konakë osmanë në raportin e tyre, e shumta edhe me ndonjë copë bastioni osman. Pyes edhe një herë, është ky qëndrim një korr i dirigjuar rekrutësh institucionalë shtetërorë, apo një paaftësi kolektive profesionale? Përderisa në vlerësimin e zbulimeve të mjedisit Veliera u shmang me qëllim nga gjykata çfarëdo eksperti privat i licencuar, i specializuar për mjedise arkeologjike urbane, kam të drejtë të mendoj, se kishim të bënim me një korr të dirigjuar, ku të gjithë këngëtarët e trupës, si grusht çeliku rreth ministreshës, duhet t’i hapnin rrugë ndërtimit të Velës, së pari duke injoruar kolektivisht zërin e dikujt që kishte njohur mbetjet e bastionit të Renesancës së hershme, dhe së dyti për t’i degjeneruar ato mbetje si të parëndësishme, sepse sipas korrit, ato i takonin një të ashtuquajturi “bastioni osman” (!?). Pra gjithçka duhej të përfundonte “osmane”, sepse kështu do ta kishin më të lehtë me opinionin vendas, për të marrë vendimin për prishjen e tij, siç po ndodh. (A thua se bastionet osmane nuk kanë vlera historike?!). Kjo e fundit nuk është vetëm  paaftësi, por program i grupimeve kriminale shtetërore, si kudo dhe në çdo sferë të pasurisë kombëtare të këtij vendi.

Për t’a degjeneruar edhe më tej problemin, që t’a nxirrnin fare pa vlera historike të tërë arkeologjinë e nëntokës të zonës A, pra që Skulptura Vela të ndërtohej pa dhimbje ligjore dhe popullore, korri i këngëtarëve të pushtetit me në krye arkeologët famëkeq Shehi dhe Përzhita veshën me fustan nuseje si mbivlerë historike – mbetjet sekondare të Konakut të periudhës osmane, si dhe atyre nga Pallati jetëshkurtër i zhdukur i Princit gjerman; madje ky i fundit, sapo u ndërtua më 1914, u bombardua nga italianët duke u fshirë nga faqja e dheut katër vite më vonë. Por bombardimi i fqinjëve duket se nuk mbaroi me aq. Sot hidhen bomba të llojeve të tjera kundra pasurisë së çmuar arkeologjike të këtij kombi. Interesant, se pikërisht në këtë vend të bombarduar nga ushtria italiane, tani mbas gati njëqind vjetësh, një arkitekt përsëri italian (i cili, ndonjë politikani shqiptar i është fanepsur si Mikelanxhoja i Rilindjes Shqiptare Europiane) po bombardon me “veprën e tij Veliera” edhe më thellë se dikur – tashmë një monument të rrallë të historisë. Pyesim – e lejon arkitektin italian – etika profesionale e shkollës së tij, të ndërtojë një skulpturë futuriste, duke shkatërruar  në mënyrë makabre përmes gjymtyrëve të saj, një Bastion të rrallë deri sot unikal, i cili edhe në fortifikimet italiane, nuk e di, në se i gjendet një paralele të zbuluar atje deri më sot? E kam shprehur edhe më parë, se arkeologët dhe historianët e arkitekturës (ndërtimit) italianë që kanë punuar në Durrës prej vitit 2000 përmes Misionit të tyre Arkeologjik, nuk kanë bërë më të mirën! (Vështirë të besosh, se arkeologët dhe historianët e ndërtimit italianë nuk e dinë vlerën e vërtetë të këtij bastioni?  Por kur ata i ka ftuar për dasmë korri i dirigjuar i arkeologëve të institucioneve të shitura të këtij vendi, pse të mos e vënë lugën në brez?).

  1. 3. Çfarë ka ndodhur në pesë javët e fundit? Së pari me eskavator është shkulur, thërrmuar dhe zhdukur krejt pjesa perëndimore e Bastionit, më shumë se 14 m gjatësi e murit ballor të tij (të trashë 2,80 m) duke zhdukur tërësisht edhe frëngjinë perëndimore të tij (Foto 1 dhe 2, pjesa a me frëngjinë m). Së dyti është zhdukur edhe krejt muri mbyllës me thyerje diagonale në cepin perëndimor të bastionit, i cili mbarte dëshminë, se bastioni (kulla) nuk ishte me qoshe kënddrejtë, as edhe rrethore siç janë ato klasike të artilerisë me barot të shek. 15, por në një fazë të hershme kalimtare, me faqe të prera (pa qoshe, Foto 1 dhe 2, fragment b). Këtë dëshmi arkitektonike, që e daton shumë më herët këtë kullë (bastion) se shek. 15, tashmë pas shkatërrimit para katër javësh, nuk e kemi më. Së treti, po ashtu edhe pjesën e mbetur jugore të fasadës ballore të Bastionit (gati 20 m gjatësi) vizitorët nuk do kenë rastin t’a shohin më. Derdhja masive me beton përgjatë murit të fasadës e ka varrosur dukjen e saj deri në kokë (Foto 1, pjesa c; Foto 3 dhe 4). Së katërti, të njëjtin fat kanë pësuar edhe dy frëngjitë e fundit (fragment d dhe e) të mbetura në mes të murit ballor të bastionit, të cilat aktualisht janë mbytur nga ndërtuesit tërësisht me zgara hekuri, përgatitur për t’u derdhur beton në ditët e ardhshme, duke i vdekur kështu edhe ato si dëshmi dokumentare (Foto 1, fragmentet d dhe e, Foto 3 dhe 4). Së pesti, punë e zellshme është bërë në zgavrimin e zemrës së bastionit duke larguar një herë e përgjithmonë tërë strukturat ndërtimore në thellësi në sipërfaqen f (Foto 1, 2 dhe 3). Së gjashti, një trashe betoni në drejtim verilindje, ka dhunuar në thellësi brendinë arkeologjike të Bastionit, ku sipas burimeve dokumentare duhet të jenë mbetjet e kapelës së Shën Elisë – konkretisht pjesën absidale të saj (anën lindore të kapelës, Foto 1, 2 dhe 3). Qenësia e kësaj kapele ligjërohet nga burimet dokumentare të shek.13-15 (Frashëri, Prepotencë shtetërore...), por edhe nga tradita e njohur mesjetare, në pajisjen me vepër kulti të Kryekullës (Bastionit) të kështjellave. Së shtati, transheja e derdhur prej betoni ka prerë dhe ka zhdukur edhe një fragment të murit mbyllës të brendshëm të bastionit (fragmenti h), i cili kur është ndërtuar në fund të shek. 13, ka qenë mbështetur në murin ekzistues fortifikues bizantin të qytetit (Foto 1, 2 dhe 5).

U bë tashmë më se dy javë që jam kthyer nga jashtë vendit dhe nuk shoh asnjë trupë arkeologjike të jetë prezent në këto dhunime të pashembullta dhe zhdukje makabre të këtij dokumenti të madh historik arkeologjik dhe të historisë së ndërtimit (arkitekturës) së fortifikimeve mesjetare mesdhetare. Pyes, kush ka vendosur që të zhduken njëherë e përgjithmonë muret e bastionit mesjetar, pavarësisht nga mosha historike e tij? Ku është vendimi shtetëror?  Ku është arkeologu Eduard Shehi në këtë pikë kulmore shkatërrimtare të monumentit, i cili zyrtarisht është caktuar me vendimin e Ministrisë së Kulturës të drejtojë punimet arkeologjike në këtë projekt. Kush dokumenton këtu këto gërmime me eskavator dhe ato që shfaqen e zhduken çdo minutë? Ku është ky Shehi? Ka ikur të masakrojë arkeologjinë me projekte të tjera, apo shoqëron grupe turistësh, apo ka marrë biletë për jashtë shtetit, si shpërblim i masakrës historike që lejoi (legjitimoi) në projektin e Velierës? Pikërisht tani, kur nëntoka arkeologjike të Veliera po zgavrohet dhe ka marrë goditjen vdekjeprurëse substanca arkeologjike e Kryebastionit të Portit, kur kërkohet drejtimi arkeologjik dhe dokumentimi i detyruar ligjor!?… Në se Shehi nuk është, ku është drejtori i tij zoti Përzhita, që iu besua përgjegjësia institucionale për këtë gërmim, pavarësisht konfliktit të hapur flagrant të interesit (Frashëri: Instituti i Ministrisë së Arsimit merr tendera për arkeologji shpëtimi…) . Ku janë arkeologët e KKAsë së Ministrisë së Kulturës? Apo arkeologët e ASHAs të kësaj ministrie, e cila përgjigjet direkt për shpëtimin e substancës arkeologjike. Pse mbahet i fshehur dhe pse nuk botohet raporti arkeologjik i gërmimit nga ana e Institutit Arkeologjik për këtë projekt publik? Ka një përgjegjës institucional arkeologjie ky shkatërrim? Ç’është kjo gjëmë, kjo shthurje e ligjës dhe e Ministrisë së Kulturës!

Duket sikur ka një diktat dhe mbrojtje nga lart, që ia lehtëson barrën Ministrisë së Kulturës duke e braktisur kontrollin arkeologjik të detyruar në sheshin e ndërtimit Veliera, domethënë që t’a ketë të lehtë për të raportuar nesër, se në këtë mjedis nuk kishte lëndë arkeologjike, që së fundi të mund të marrë pa dhimbje vendimin për të ligjëruar ndërtimin e saj.

  1. Në vend që të dëgjohej prej fillimit zëri i specialistit dhe të zbatohej Rregullorja e Ruajtjes së pasurive arkeologjike në Zonat A dhe B të Durrësit, po dy vjet më parë një grumbull njerëzish të vetëshpallur “Sensibël” të Shoqërisë Civile me në krye udhëheqësin popullor Sazan Guri dhe një të paraqitur juriste për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore me emrin Mirela Jorgo në krah të tij, filluan një gjerdan protestash kundra prekjes së nëntokës arkeologjike në hapësirën ku kishte filluar të ndërtohej projekti “Veliera” në Durrës. Asokohe këta syresh dukeshin me të drejtë të prekur nga padrejtësia e vendimit, sepse një hapësirë e Zonës arkeologjike A të Durrësit, po sakrifikohej për ndërtimin kapriçioz të një skulpture futuriste të quajtur Vela/Veliera. Për habinë time, të cilën e kam shprehur disa herë në medie, nuk e kuptova atëherë, pse kjo energji e Shoqërisë Civile e simbolizuar me binomin Guri-Jorgo ishte drejtuar kundër Bashkisë së Qytetit të Durrësit, duke e shpallur atë, përgjegjëse dhe fajtore të shpërdorimit dhe të prishjes së nëntokës arkeologjike për ndërtimin e një vepre jo të domosdoshme në atë vend (Frashëri: Veliera po e lë Durrësin antik pa portën e fortifikimit/Kush do fitojë Vela prej Betoni e Kryetarit Hyrja e Lashtë e Dyrrah-ut?, 10 Shkurt 2017)). Po ashtu nuk e kuptova, pse këta strategë me juristë mes tyre, nuk e drejtuan protestën e tyre kundër Ministrisë së Kulturës dhe Këshillave Kombëtare (KKR dhe KKA) direkt përgjegjës dhe vendimmarrës ligjorë për mbrojtjen e pasurisë arkeologjike të nëntokës së këtij qyteti? Nuk kuptova edhe kur binomi Guri-Jorgo hapën padi në Gjykatë kundër Bashkisë dhe Ndërtuesit (?!), të cilët ishin pajisur me leje nga Ministria e Kulturës, në vend që të ngrinin padi drejtpërdrejt kundër Ministrisë së Kulturës, e cila ishte Lejedhënësja ligjore. Fakti është se Shoqëria Civile e humbi gjyqin, dhe se Gjykata i dha të drejtë Investitorit dhe Bashkisë që të vazhdonte ndërtimin, meqenëse ato ishin pajisur me leje. Kaq e paditur profesionalisht është Shoqëria Civile me udhëheqësit e tyre? Nuk besoj!

Çfarë do të thotë kjo, që pas të gjithë asaj zhurme publike dhe mediatike të ndezur me histeri nga turma e Shoqërisë Civile kundra ndërtimit në vendin e bastionit (Zona A), sot që kjo po ndodh me të vërtetë, nuk ka më asnjë gjurmë nga protesta e Shoqërisë Civile? Pse e mori atëherë ajo mundimin të protestonte asokohe?  Për bindjet e veta, apo për shfaqje politike të porositur (?! ), që të shënohej në analet, se “krimi i sotëm ishte filtruar edhe nga një opozitë dje”.

E quajtura “shoqëri civile” – një trupë qytetarie teorikisht e ndjeshme ndaj problemeve politike, ekonomike, sociale dhe kulturore me prirje për të ndërhyrë në jetën politike të vendit, po ashtu edhe ndaj vendimeve qeveritare, është në parim një forcë energjike paralele politike e pushtetit, e cila ka premisë të jetë një forcë pozitive në ndihmë për të zgjidhur drejt këto probleme, por mund të jetë edhe një forcë negative që ndërhyn dhe orienton në vendimet e mbrapshta dhe regresive të zhvillimit. Gjithçka varet nga niveli qytetar i vendit ku ajo vepron dhe nga kontrolli i pushtetit të vendit, se si ai e përdor. Prej vitit 2010 që jam i pranishëm në vendin tonë, mjerisht nuk kam konstatuar të paktën për rastet që kam ndjekur, që e ashtuquajtura “shoqëri civile” në Shqipëri (e prezantuar dhe e filmuar në sytë tanë nga mediet) të ketë zgjidhur pozitivisht një problem politik, ekonomik, social apo kulturor të vendit. Përkundrazi, sipas vëzhgimeve dhe gjurmimeve vetjake, kam konstatuar në të gjitha këto raste,  kjo shoqëri civile pra, pas shfaqjeve akrobatike që ka demonstruar në sheshe me pankarta, apo pas padive të verbëra (pa perspektivë ligjore) që ka çuar nëpër gjykata, ka ndihmuar në fund të fundit, realizimin e projekteve të qeverisë apo të institucioneve të tjera të shtetit, kur ato kanë qenë tërësisht të dyshimta deri dhe të dëshmshme për zhvillimin e vendit, gjë të cilën edhe vetë grupimet e kësaj shoqërie civile e kanë demonstruar në fillimet e protestës së tyre. Rasti i Velierës është tipik.

  1. Por nuk janë vetëm gjykatat tona të korruptuara dhe shfaqjet teatrale politike të shoqërisë civile apo shpifjet e forumeve të trashëgimisë. Këto nuk do kishin mundësi dhe shans të silleshin kështu, në se vetë Ministria e Kulturës nuk do të vepronte në këtë mënyrë mbrapa perdes, duke përdoruar arkeologët e saj të paaftë e të korruptuar përpara perdes. Në fundin e vitit të kaluar Ministresha e Kulturës bëri edhe një akt që do të mbetet i paharrueshëm dhe simbolik i degjenerimit ministror për “ruajtjen dhe mbrojtjen” e pasurisë arkeologjikë të Shqipërisë. Përpara se të largohej, ajo la në zyrën e saj, për ata që do të vijnë pas saj, një trakt anti trashëgimie kulturore të Shqipërisë, në të cilin midis të tjerave legalizohet ligjërisht së fundi edhe shkatërrimi i pasurisë arkeologjike në zonat A, duke lejuar edhe atje ndërtimet e reja, mjafton që arkeologu të bëjë “monitorim” gjatë kohës së ndërtimit të ri. Besoj se ministresha Kumbaro e di, se çfarë kupton shqiptari me fjalën e huaj “monitorim”, prandaj e ka zgjedhur atë në vend të fjalës shqipe. Sepse një shqiptar monitorues në arkeologji, i jep të drejtë vetes, të marrë “pesë lekë” nga Ndërtuesi edhe pa e bërë punën (mjafton të mbyllë sytë), sidomos kur ai është vetë nëpunës i institucionit shtetëror, apo anëtar i Këshillit Kombëtar të Arkeologjisë si në rastin konkret dhe dërgohet me “licencë” nga Ministria e Kulturës për të punuar në një projekt privat arkeologjik. Kështu ai mund të pijë kafe në Kavajë, në kohën kur skreperi gërryen me qindra metrakub substancë arkeologjike në zemrën antike të Dyrrah-ut, mjafton që ai të duket në vend pesë minuta para dreke, ose t’a lërë të gjithën për nesër… Sepse atë nuk ka kush t’a kontrollojë, pasi ai duke qenë anëtar i KKAsë është vetë në majë të “fikut” dhe nuk ka instancë më të lartë shtetërore mbi vete, por është ai vetë që kontrollon vetveten. Atëherë kush mbetet të dokumentojë zgavrimet dhe shkatërrimet e substancës arkeologjike te Veliera që bëjnë eskavatorët, përpara se të derdhet betoni? Nuk mbetet kush tjetër! Përveç më të verbërit në këtë mes – kreut të ministrisë, i cili ka gjetur marifetin për të zhdukur pa gjurmë deri edhe pasuritë e nëntokës më të vyer arkeologjike kombëtare si ajo e Zonës A të Durrësit, për të hapur një shesh për ca para që nuk i shkojnë askujt prej nesh.

***

Më në fund gjymtyrët betonarme të skulpturës Vela kanë hyrë thellë në tërë trupin e Kryebastionit të Portit, e kanë shqyer atë duke e vdekur fizikisht si qenie historike dhe si dokument arkivor. Është e pabesueshme, se si Ministria e Kulturës e Shqipërisë dha  leje ndërtimi në vitin 2017 në këtë mjedis urban me pasuri të rrallë arkeologjike të nëntokës, duke shkaktuar vdekjen e substancës së saj, në vend që të zbatonte detyrimin ligjor që ka, për ruajtjen dhe nxjerrjen në dritë të saj. Pse duhej të vritej me dhunën e manovrave të kundraligjshme ministrore  një bastion i rrallë i historisë dhe i monumenteve arkeologjike që ai mbante brenda vetes? Ky është një akt ministror me konsekuencë kohore të tejskajshme kriminale, njëkohësisht në vetvete një dokument tipik i nivelit haxhiqamilian qeverisës së këtij vendi, dokument shembull i qëllimit dhe mentalitetit shtetëror të kohës që jetojmë për dëshpërimin shpirtëror dhe dekombëtarizimin e këtij populli, një akt, i cili do të mbetet në historinë e këtij vendi si tregues tipik i injorancës mbisunduese qytetare, i pakualifikuar për të përtypur ligjet e huazuara evropiane. Kjo është një masakër e pashembullt e Ministrisë së Kulturës së kësaj Republike (mbrojtësja ligjore e trashëgimisë kulturore), e organizuar me bandën kriminale të arkeologëve dhe restauratorëve të institucioneve të saj, kundër një prej monumenteve më të spikatur të historisë ndërtimore dhe arkitektonike botërore në vendin e vet, është një finale e dhimbshme dhe domethënëse për paaftësinë e Ministrisë së Kulturës dhe të vetë titullarit të saj.

Edhe në këto orë të fundit të vdekjes së bastionit, nuk shihet asnjë trupë arkeologësh në horizontin e Velierës, nuk bëhet asnjë dokumentacion, nuk gjurmohet asnjë profil. Nuk ka arkeologë të kualifikuar Ministria e Kulturës apo Ministria e Arsimit me institucionet e veta, për të bërë gjurmimin dhe  dokumentimin arkeologjik, të zgavrimeve me skreper që po kryhen për betonizimin e gjymtyrëve të Velierës? Pse nuk zbatohet ky detyrim i Rregullores?  Sepse siç duket, pushteti nuk do gjurmë për brezat që vijnë, që ata të mësojnë një ditë, se çfarë ishte nën nëntokën e Velierës dhe çfarë u prish, çfarë u zhduk dhe çfarë nuk do gjendet më kurrë. Sepse ai e di, se ajo që hiqet në arkeologji, nuk vjen më. Dhe trualli është i lirë pas kësaj për t’u privatizuar dhe për t’u ripërdorur më tej për ndërtime të tjera.

Qartë, e morëm vesh, që doni të ndërtoni duke zhdukur Kryebastionin unikal të Durrësit! Po pse e lini atë pa e gjurmuar dhe dokumentuar, para se t’a zhdukni qoftë edhe sikur të jetë për ju bastion osman? Mungojnë paratë për arkeologjinë në këtë projekt prej 6 milion Eurosh për një Skulpturë?  Kujtojmë se në këtë botë ka edhe arkeologë shkencëtarë profesionistë, si mjekët kirurgë që operojnë dhe dokumentojnë falas për vendet e pazhvilluara. Si duket edhe nga ata keni frikë!