“Vendet e tjera kanë mafian e tyre”/ Lubonja: Në Shqipëri e kundërta, mafia ka shtetin e vet
“Vendet e tjera kanë mafian e tyre”/ Lubonja: Në Shqipëri e kundërta, mafia ka shtetin e vet
– 23/01/20
Nga mapo.al
Analisti Fatos Lubonja thotë se në Shqipëri mafia ka shtetin e vet. Ndryshe nga vendet e tjera si Italia, ku shteti ka mafien e vet si Camorra apo Ndragheta Lubonja deklaron se në Shqipëri ndodh e kundërta. I ftuar në “Real Story” në News24, Lubonja analizoi ngjarjen e fundit ku përflitet emri i kryebashkiakut të Bulqizës Lefter Alla, si një zyrtar që merr drogë. Për të, ky nuk është fenomen i veçuar dhe nis nga ekonomia.
“Jam i mendimit që nuk duhet parë si një fenomen i veçuar, në kuptimin që ndodhi atje në Bulqizë diçka, një njeri, një kryetar bashkie qëlloi që merr drogë, por duhet parë në kontekstin e gjithë zhvillimeve politike, ekonomike të Shqipërisë, demokracisë etj dhe me një formulë që mund ta përmbledhë pak a shumë problemin do ta quaja kështu: çdo shtet thonë që ka mafien e vet. Në Itali thuhet që është Ndragheta, është mafia në Siçili, Camorra, ndërsa ajo që na del duke parë gjithë këtë pushtetin lokal, qendror dhe ekonominë e gjithçka, është kjo që për Shqipërinë mund të thuhet që nëse atje shtetet kanë mafien në tyre, në Shqipëri mafia ka shtetin e vet.
Ky është problemi. Këtu është mafia që ka shtetin e vet dhe këtu ndahem pak nga ata që e mendojnë duke reduktuar sikur partia, kryetari i partisë që i ka zgjedhur, pse i ka zgjedhur, domethënë shpeshherë personalizohet dhe thuhet që Rama i ka zgjedhur këta. Padyshim ai mund të ketë një prirje për të marrë vota se këta marrin votat por unë nuk përjashtoj dhe anën tjetër të medaljes që është fakti se këta janë njerëz aktivë. Nuk janë njerëz pasivë që i zgjodhi partia dhe i gjeti atje.
Këta janë dhe aktivë. Fillimisht me korrupsionin e tyre, me paratë që kishin, kanë shkuar, kanë blerë dhe ne kemi këtu një klasë politike përgjithësisht dhe pastaj të dalim tek faza Rama e cila historikisht dhe jo vetëm në Bulqizë, por edhe në Tiranë, ku politikanët marrin një rrogë modeste, normale 1 mijë euro, 1500 euro për shërbimin që i bëjnë publikut dhe paguhen njëkohësisht me vila, me shifra të pallogaritshme nga këta lloj njerëzish.”
Sa i përket dyshimeve se mund të jetë e krijuar nga grupe të tjera interesi, Lubonja bëri këtë arsyetim:
“Mundet dhe ta vëmë në dyshim Artan Hoxhën. Kam detyrë të vë në dyshim çdo gjë si gazetar. Mund të themi që Artan Hoxhën e kanë shtyrë, ia kanë dhënë videon një grup tjetër interesi kundër këtij. Po themi nuk ka bërë detyrën e pastër të gazetarit por dikush ia ka dhënë…Që mund të ketë elementë kriminalë nuk ka asnjë pikë dyshimi që edhe mund të jetë kështu që ata që kanë filmuar janë njerëz që kanë interesat e tyre dhe nuk kanë hallin e shqiptarëve që të mos shfrytëzohen nga kapitalistët e rinj.
Po fakti konkret është ky, që ky zotëria është duke thithur kokainë atje. Në qoftë se ky është duke thithur kokainë, e ka marrë këtë kokainën nga rrjete kriminale, pra një kryetar bashkie indirekt del që ka lidhje me rrjete kriminale. Qysh këtu fillon problemi. Ai duhet të hetohet për faktin që kush ta dha?
Aq më tepër që je kryetar bashkie. Një prokurori duhet t’i shkojë kësaj hullie. Aq më mirë duhet t’i shkojë dhe hullisë që ka një grup tjetër që e ka organizuar këtë. Në thelbin e vet ajo që unë mendoj që ka ndodhur që është më e rëndë, që në qoftë se një kohë më herët ne kishim shpërndarjen e grupeve kriminale, që është dhe akoma fenomeni për fat të keq që ka ndodhur që nga kjo nëntokë e tyre ku lanin hesapet gjithnjë e më shumë një pjesë e tyre janë lidhur me shtetin, janë bërë palë me shtetin, kanë kapur shtetin. Ky është problemi më i madh”.