Vendi i mbuluar nga bora – Fshatra të bllokuara, rrugë të pakalueshme, probleme me energjinë elektrike

– 14/02/21

Shqipëria është zbardhur këtë të diel nga dëbora, ndërsa ka shkaktuar problematika të mëdha në mjaft qarqe.

Krujë

3000 banorë janë bllokuar në Malësinë e Krujës, pasi dëbora në rrugë ka shkuar 50 cm dhe akset rrugore janë të pakalueshme për shkak të ngricës. Aksi Fushë Krujë – Krujë kalohet vetëm me zinxhirë dhe ka prezencë ngrice në disa vende.  E njëjta situatë paraqitet edhe në aksin Krujë – Sarisalltik.

Kukës

Në Kukës situata është tejet problematike. Në qytet stuhitë e dëborës kanë mbuluar të gjitha akset e rrugëve kryesore dhe të brendshme, ku mjetet dhe qytetarët qarkullojnë me vështirësi.

Trashësia e borës në Valbonë është 25 cm, Shishtavec 50 cm ,Bushtricë 15, Qafë-Shllak 25 cm dhe Qafë Prush 20 cm.

Rrugët nacionale janë të kalueshme por me zinxhirë dhe goma dimri. Rruga e Kombit  edhe pse është pushtuar nga dëbora po pastrohet nga borëpastrueset, që po bëjnë dhe kriposjen e saj.

Elbasan

Dëbora ka shkaktuar probleme në lëvizjen e mjeteve, si dhe ngrica në rrugë. Si pasojë e stuhisë së dëborës, janë bllokuar 11 fshatra. Disa prej tyre raportohet se janë pa energji elektrike. Aksi rrugor Elbasan-Librazhd ka vështirësi në qarkullimin e mjeteve, dhe drejtuesve të mjeteve u bëhet thirrje të ecin me kujdes dhe zinxhirë.

Lezhë

Reshjet e dëborës janë ndërprerë që prej orës 1 pas mesnate, por situata sërish paraqitet problematike. Temperaturat nën zero kanë sjell ngrica e për pasojë vështirësi lëvizje në shumë akse rrugore nacionale, qytete e fshatra. Dhjetëra qytetarë e kaluan natën jashtë, për shkak të bllokimit të automjeteve në aksin Lezhë-Milot, ku lëvizja mbetet mjaft e vështirë për shkak të mosndërhyrjes për pastrimin e dëborës dhe hedhjen e kripës.

Dibër

Shumica e rrugëve të Dibrës shfaqen të bllokuara. Trashësia e borës në qytet shkon mbi 40 cm ndërsa në zona të thella, mbi 60-70 cm.

Aksi rrugor Peshkopi – Tiranë është i kalueshëm vetëm me zinxhirë, dhe pjesa më e vështirë që bllokohet herë pas here është ajo e Pishave të Bulqizës deri në Qafën e Buallit. Të bllokuara janë edhe aksi Ura e Çerenecit- Librazhd dhe Peshkopi – Qafë Draj – Kukës.

Po ashtu të bllokuara janë të gjitha fshatrat dhe njësitë administrative të Dibrës dhe Bulqizës. Në njësitë administrative Lurë, Kala e Dodës , Sllovë, Selishtë , Ostren, Martanesh mungon energjia elektrike

Berat

Në Berat, për shkak të reshjeve të borës, ka mungesë të energjisë elektrike, konkretisht në disa lagje dhe disa fshatra. Por, raportohet se qarkullimi i automjeteve në rrugë bëhet pa probleme. Prezencë akulli ka në zonën e “Qafës së Sqepurit” , në aksin që lidh Beratin me Fierin dhe në zonën Kozare-Belsh.

Ndërsa të bllokuara nga dëbora që prej mëngjesit janë rrugët e fshatrave Potom e Gjerbës në Skrapar.

Korçë

Gjatë gjithë natës në qarkun e Korçës reshjet kanë vijuar në mënyrë intensive, të shoqëruara me erë, ndërsa temperaturat gjatë mbrëmjes kanë shkuar deri në minus 10. Si pasojë e reshjeve me intensitet të lartë janë bllokuar disa fshatra. Të bllokuara janë gjithashtu dhe disa fshatra në njësinë administrative Gorë e Moglicë si dhe fushën e Maliqit ku trashësia varion nga 30-70 cm.

Trashësia më e madhe e borës është në Mashkullorë, mbi 2 m borë, ndërsa në fshatin Panarit situata është vështirësuar edhe më tepër për 200 banorët të cilët vijojnë të jenë të izoluar prej fillimit të janarit. Sa i takon furnizimit me energji elektrike ka probleme në njësitë administrative Proptisht, Homezh, Slabinjë, Homcani, por dhe në bashkinë e Devollit në fshatrat Tren e Bitinckë.

Gazeta Mapo