31 Mars 2025

Anëtari i këshillit Bashkiak të Tiranës, Ilir Alimehmeti, ka reaguar në lidhje me vendimin e firmosur më 12 mars 2025 nga zëvendëskryeministrja Belinda Balluku, për kalimin e godinave të ish-Uzinës së Autotraktorëve, të cilat ndodhen në zonën e Shkozës, shoqërisë shtetërore KAYO.

Qeveria ka revokuar të drejtën e pronësisë, të cilën vetë e kishte dhënë më parë me një vendim të mëparshëm për Bashkinë e Tiranës.
Deri më tani, godinat ishin në pronësi të Bashkisë Tiranë dhe ishin caktuar për ndërtimin e banesave sociale. Por tani, pa pëlqimin e pronarit, ato kalojnë në duar të tjera, konkretisht në pronësinë e shoqërisë KAYO, nën juridiksionin e Ministrisë së Mbrojtjes. Sipas këtij vendimi, godinat do të përdoren për ndërtimin e një fabrike që do të prodhojë armë dhe municione.

Alimehmeti ka kërkuar mbledhjen e Këshillit Bashkiak për këtë çështje, duke shtuar se vendimi që mban firmën e Ballukut bie në kundërshtim të plotë me legjislacionin në fuqi.

“Ju kërkojmë futjen në rend dite në mbledhjen më të parë të Këshillit Bashkiak të trajtimit të çështjes së revokimit nga Këshillimi i Ministrave të së drejtës së pronësisë të Bashkisë Tiranë që bie në kundërshtim të plotë me legjislacionin në fuqi”, thuhet në kërkesë.

  • foto galeri
  • foto galeri

      Shkresa e plotë:
      Kërkesë për futjen në rend dite në mbledhjen më të parë të Këshillit Bashkiak të trajtimit të çështjes së revokimit nga Këshillimi i Ministrave të së drejtës së pronësisë të Bashkisë Tiranë dhe transferimit e pronësisë te Shoqëria Shtetërore “KAYO”, SH.A., të pasurive pjesë të pronës nr. 16, me emërtimin “Ish-uzina e pjesëve të ndërrimit të automjeteve”, me vendndodhje në zonën kadastrale 8170, Njësia Administrative nr. 1, Tiranë, dhe kërkesë për informacion.
      Të nderuar,
      Më datë 12.03.2025, Këshilli i Ministrave ka marrë vendimin për “REVOKIMIN E SË DREJTËS SË PRONËSISË BASHKISË TIRANË DHE TRANSFERIMIN E PRONËSISË TE SHOQËRIA SHTETËRORE “KAYO”, SH.A., TË PASURIVE, PJESË TË PRONËS NR. 16, ME EMËRTIMIN “ISH-UZINA E PJESËVE TË NDËRRIMIT TË AUTOMJETEVE”, ME VENDNDODHJE NË ZONËN KADASTRALE 8170, TIRANË”.
      Kjo VKM është në shkelje të plotë të Ligjit Nr. 139/2015 “Për Vetëqeverisjen Vendore”, të ndryshuar, dhe të Rregullores për organizimin dhe funksionimin e Këshillit Bashkiak Tiranë, në të cilat citohet:
      • Ligji Nr. 139/2015, Neni 54, shkronja e, “Këshilli bashkiak miraton tjetërsimin ose dhënien në përdorim të pronave të tretëve”;
      • Rregullorja për organizimin dhe funksionimin e Këshillit Bashkiak Tiranë, Neni 58, pika 6 “Vendimet merren me jo më pak se tre të pestat e numrit të përgjithshëm të anëtarëve të këshillit për rastin e parashikuar në shkronjën “e”, të nenit 54, të ligjit “Për vetëqeverisjen vendore”.
      Ju kërkojmë futjen në rend dite në mbledhjen më të parë të Këshillit Bashkiak të trajtimit të çështjes së revokimit nga Këshillimi i Ministrave të së drejtës së pronësisë të Bashkisë Tiranë që bie në kundërshtim të plotë me legjislacionin në fuqi.
      Gjithashtu, pronat e ndodhura në Njësinë Administrative nr. 1 Tiranë janë kaluar në pronësi që 8 vite më parë, përmes VKM nr. 219, datë 21.03.2017, për t’u përdorur për realizimin e veprimtarive social- kulturore e sportive dhe për realizimin e programeve arsimore.
      Kërkojmë informacion pse në këtë zonë nuk janë realizuar programet arsimore, social-kulturore e sportive të përcaktuara më lart.
      Duke ju falënderuar,
      Prof. Asc. Ilir Alimehmeti
      Kryetar i Grupit të Këshilltarëve të Partisë Demokratike
      Bashkia Tiranë