Vendimi i ri i qeverisë: Libra falas për nxënësit e fillores. –
Vendimi i ri i qeverisë: Libra falas për nxënësit e fillores. –
Qeveria ka vendosur që të gjithë nxënësit nga klasa e parë deri në atë të katërt të përfitojnë libra falas.
Vendimi i ri i qeverisë parashikon që të gjithë nxënësit nga klasa e parë deri në atë të katërt të përfitojnë libra falas. Qeveria ka vendosur të lehtësojë në këtë mënyrë barrën e prindërve, duke i mbuluar kostot e librave me buxhetin e MAS. Vendimi është marrë në mbledhjen e të mërkurës në Këshillin e Ministrave.
Buxheti i parashikuar për të mbuluar kostot është 270 000 000 (dyqind e shtatëdhjetë milionë) lekësh.
Më herët ka qenë PD, që kërkoi verën e shkuar libra falas për të gjithë nxënësit e shkollave nga klasa e parë deri në klasë të nëntë. Në propozimin e PD-së kërkohej edhe drekë falas për të gjithë fëmijët e shkollave.
Vendimi i plotë i qeverisë:
Nxënësve që ndjekin arsimin fillor nga klasa e parë deri në klasën e katërt u jepen tekstet shkollore në përdorim falas. Çmimi i blerjes së teksteve shkollore mbulohet 100% nga fondet e buxhetit të shtetit, miratuar për ministrinë përgjegjëse për arsimin. Institucionet arsimore si dhe njësitë arsimore vendore, brenda muajit korrik të çdo viti, përgatisin listën e parashikuar të nxënësve që ndjekin arsimin fillor nga klasa e parë deri në klasën e katërt.
Blerja e teksteve shkollore të nxënësve që ndjekin arsimin fillor nga klasa e parë deri në klasën e katërt, në emër të prindërve ose përfaqësuesve ligjorë, për llogari të nxënësve, realizohet nga institucioni arsimor, për llogari të njësisë arsimore vendore.
Likuidimi i faturës tatimore ndaj subjekteve, shtëpive botuese, realizohet nga njësia arsimore vendore, me fondet e miratuara si “Transfertë tek individët”, në buxhetin e ministrisë përgjegjëse për arsimin, në llogarinë bankare të shitësit.
Mënyra e shpërndarjes dhe e administrimit të teksteve për këtë kategori nxënësish përcaktohen me udhëzim të ministrit përgjegjës për arsimin.”.
II. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, parashikohen në shumën prej 270 000 000 (dyqind e shtatëdhjetë milionë) lekësh. Këto fonde janë parashikuar në buxhetin e miratuar për vitin 2018, në programin e arsimit bazë 09120, kapitulli 01, në artikullin 606, “Transfertë tek individët”.
III. Ngarkohen Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë dhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë për zbatimin e këtij vendimi.