Venecia jep grusht “Grushtit të Shtetit”
Venecia jep grusht “Grushtit të Shtetit”
Nga: M. Xhani
Komisioni i Venecias i ka dhënë një goditje asgjësuese nismës së qeverisë “Rama” për të kapur Gjykatën Kushtetuese. Raporti paraprak i këtij komisioni, i cili u thirr nga PS-ja për të dhënë mendim juridik për përplasjen me Presidentin, arrin në katër përfundime të rëndësishme. Së pari, Venecia thotë se Presidenti i Republikës nuk ka shkelur Kushtetutën kur ka emëruar Marsida Xhaferrllarin për anëtare të Gjykatës Kushtetuese dhe nuk njohu kandidaten e betuar te noterja Arta Vorpsi. Ky konkluzion i jep fund debatit lidhur me kompetencat e kreut të shtetit dhe tregon se shkeljet kushtetuese janë kryer nga PS.
Së dyti, juristët e Venecias thonë qartë se Komisioni i Emërimeve në Drejtësi, i drejtuar nga Ardian Dvorani, ka ndjekur procedurë të dyshimtë me kandidaturat që ka dërguar te Presidenti dhe të Kuvendi për Gjykatën e Lartë. Venecia jep opinion jo detyrues për palët, por fakti që juristët ndërkombëtare që kanë monitoruar dhe reformën në drejtësi në Shqipëri hedhin dyshime mbi aktet e Dvoranit dhe KED do të thotë se shkeljet kushtetuese dhe ligjore ekzistojnë dhe SPAK nuk duhet të humbasë kohë me padinë që ka bërë kreu i shtetit.
Së treti, Komisioni i Venecias shprehet në raport se Presidenti i Republikës nuk ka shkelur kushtetutën dhe se aktet e tij janë në zbatim të ligjit themeltar të shtetit. Ky sqarim i Venecias bëhet për komisionin hetimor për shkarkimin e Presidentit dhe thotë as më shumë as më pak se Presidenti nuk mund të shkarkohet. Në këtë mënyrë, gjithë rilindja dhe juristët dallkaukë që kanë bërë interpretime ligjore këto kohë duhet të mbyllin gojën dhe të kërkojë faje ndaj kreut të shtetit.
Pika e katërt kryesore e raportit të Venecias rrëzon ndryshimet e fundit ligjore të miratuara nga PS për heqjen e kompetencave të Presidentit lidhur me betimin e anëtarëve të Gjykatës së Lartë dhe Gjykatës Kushtetuese. PS dhe deputetët e blerë në Kuvend votuan një ligj që ndërhyn te Kushtetuta dhe kur Presidenti nuk dekreton një gjyqtar, gjyqtari mund ta bëjë betimin para një noteri ose me shkrim. Kjo procedurë e padëgjuar më parë është cilësuar nga Komisioni i Venecias si antikushtetuese.
Raporti i Komisionit të Venecias u është dorëzuar palëve gjatë dy ditëve të fundit dhe pas disa ditësh do të publikohet zyrtarisht. Përfundimet paraprake të juristëve, nëse Rilindja nuk do të lobojë për ndryshimin e tij, nuk janë thjesht kundër qeverisë, por rrëzojë gjithë tentativën për kapjen e institucioneve. Nisma e kreut të shtetit për mbrojtjen e Kushtetutës është përballur këto kohë me një fushatë të ndyrë me sulme dhe keqinterpretime dashakeqe të rilindjes. Kjo fushatë, me pavetëdije është mbështetur dhe nga një pjesë e ndërkombëtareve që mesa duket nuk e kanë kuptuar se pas sulmeve ndaj Presidentit qëndrojnë interesat për kapjen e gjithë sistemit të drejtësisë dhe institucional në vend. Komisioni i Venecias, si një institucion i pavarur ka marrë rolin e arbitrit në këtë përplasje dhe ka arritur në përfundimin se paligjshmëria, kapja e institucioneve dhe sjella e dyshimtë e institucioneve të drejtësisë së nuk është vetëm akuzë e Presidentit, por një fakt i dokumentuar.
Dokumenti i Venecias është i dyti në pak kohë, pas atij për dekretin e datës së zgjedhjeve. Në të dyja rastet Venecia thotë se kreu i shtetit nuk ka bërë shkelje Kushtetuese dhe nuk mund të shkarkohet. Por më shumë se çështja e shkarkimit, Komisioni i Venecias ka kapur në krim kushtetues, mazhorancën duke nxjerrë zbuluar gjithë paligjshmëritë dhe atë që Presidenti Ilir Meta e cilëson si grusht shtetit. Me raportin e fundit Venecia i ka dhënë një grusht të fortë grushtit të shtetit të Rilindjes. Në mungesë të Gjykatës Kushtetuese ekspertët e Venecias kanë interpretuar Kushtetutën e Shqipërisë dhe të drejtën ndërkombëtare. Përfundimi ku kanë arritur është i rëndë për vendin, pasi tregon se drejtësia po tentohet të kapet nga Rilindja e kryeministrit Rama.
Nëse ky raport paraprak nuk ndryshon gjatë ditëve nga ndërhyrjet e qeverisë, atëhere kemi të bëjmë me një rast flagrant të shkeljes së Kushtetutës nga mazhoranca.
Gazeta Koha e Jone