VEPRA E 1800-ës/ Biseda e Skënderbeut me perandorin romak Karli i Madh.-

Nga: Fatmira Nikolli.  

Kuvendime në mbretërinë e të vdekurve: bashkëbisedim midis Gjergj Kastriotit, mbret i Shqipërisë dhe i Epirit, dhe Karlit të madh, perandor romak”. Kjo është e vepra e shkruar nga abati Lorenzo Ignacio Thjulen në vitin 1816 dhe ribotuar në vitin 1832. Ajo është përkthyer nga Gemaj Kraja dhe vjen në gjuhën shqipe nga Botimet Françeskane. Arsyet se pse vepra u shkrua mbetet mjaft interesante edhe sot, kur ende rrekemi të gjejmë mënyra për të joshur të rinjtë drejt dijes. Ishte viti 1788, kur abatit Thjulen i ishte besuar detyra për të dhënë mësim shkrim e lexim në shkollat fetare të Bolonjës. Me keqardhje, ai vuri re se nxënësit kishin njohuri të pakta rreth gjeografisë dhe historisë.

Për të ndryshuar këtë gjendje, mendoi t’u përgatiste atyre disa studime për mëkimin e njohurive në këto fusha, gjë që u realizua me miratimin e eprorëve të tij dhe me pëlqimin e të rinjve. Duke marrë për bazë autorët latinë, ai do të krijonte një përmbledhje të vogël të historisë antike dhe për këtë, mendoi kthimin pas në kohë, që nga perandori Kostandini i Madh. Abati hartoi edhe një përmbledhje tjetër me dy vëllime, ku shqyrtoheshin një sërë të dhënash gjeografike. Kjo e fundit mbeti e pabotuar, pasi, sipas tij, zhvillimet politike do të sillnin vjetërimin e saj në pak muaj. Një shënim hyrës i botimit, vëren se megjithëse Italia ishte toka me më shumë dijetarë dhe histori, ai vuri re se të rinjtë italianë, në ndryshim nga kombet e tjera, ishin gjithmonë e më pak të interesuar për historinë e vendit të tyre. Sipas mendimit të abatit, si autor tashmë, kjo vinte nga mungesa e tregimeve të përmbledhura në tekstet mësimore për të rinjtë. Sipas tij, nëse një fëmije të moshës 12 – apo 14-vjeçare do t’i paraqitej një tekst voluminoz për historinë, mosinteresimi ndaj saj do të ishte i pritshëm. Ndaj ai mendoi për një metodë që mund të tërhiqte të rinjtë dhe në fund, zgjodhi atë që i paraqitet më poshtë lexuesit.

“Një ndër arsyet kryesore të kësaj zgjedhjeje ishte shtjellimi i dialogut në përpjesëtim me argumentin, duke sjellë kështu një lexim të kënaqshëm. Së dyti, autori ishte i mendimit se historia e kohëve të ndryshme kuptohet më së miri nëse shihet nga këndvështrimi i jetëve të ndritura të figurave që lulëzuan në periudha të ndryshme”, thuhet në tekstin shoqërues të botimit. Sipas tij, edhe vetë kritika, e cila shpesh është e mërzitshme, vjen natyrshëm në dialogun historik kur një bashkëbisedues i kërkon tjetrit sqarime. “Karakteri i njerëzve nxirret në pah më mirë, pasi në mbretërinë e të vdekurve askush nuk ka drojë të rrëfejë gabimet e tij. Ndryshimet në mendime dhe mosdakordësitë sipas ndodhive, shërbejnë për të kuptuar fenë dhe ndershmërinë. Shpesh u lihet vend edhe rrurëzave,1 për ta bërë leximin më të këndshëm. Vendosja e bisedave në mbretërinë e të vdekurve nuk është sajesë e re, pasi ajo është përdorur nga shkrimtarët e antikitetit dhe shkrimtarët modernë, por nuk e dimë nëse ndonjëri prej tyre e ka përdorur këtë për të paraqitur një histori të rregullt”, thuhet në tekstin hyrës. Kjo histori fillon me mbretërimin e Karlit të Madh dhe vjen deri në ditët e sotme.

Sipas abatit, njohja më e mirë e së shkuarës sjell zbardhjen e fakteve që nuk janë fort të qarta nëse nuk njeh vendin. Ndokujt do t’i dukej se bashkëbisedimi nuk do të mund të përshtatej mirë me historinë ose, së paku, me një histori që u prezantohet njerëzve të qytetëruar. Por ç’mund të jetë më edukuese, e kënaqshme dhe sublime sesa një dramë e bukur, e duke menduar se çfarë është në thelb ajo, përveç se një fakt historik i vendosur në një bashkëbisedim.