Vepra e Petro Markos mbledh studiuesit në konferencë shkencore

15/12/2019

Shkrimtari dhe studiuesi i madh shqiptar Petro Marko bëri bashkë studiuesit, në një konferencë shkencore. Konferenca “Petro Marko- urë lidhëse e brezit të shkrimtarëve të viteve ’30 dhe letërsisë bashkëkohore shqipe” u zhvillua nga qendra e studimeve letrare “Pjetër Budi” në Muzeun Historik Kombëtar, ku fjala hapëse ishte nga studiuesi Behar Gjoka. Drejtori i muzeut Dorian Koç mes të tjerave u shpreh se në faqet më të fuqishme të prozës së Petro Markos reflektojnë triumfin e dashurisë dhe të humanizmit njerëzor. “Pas tërë atij ferri nëpër të cilin kalon njeriu në rrëfimin e Petro Markos, ai arrin të mbetet i pamposhtur nga mizoritë e botës”, tha ai. Si dramaturg Namik Dokle vuri në dukje se me romanet e tij Petro Marko hyri në elitën e personaliteteve më të shquara të kulturës shqiptare, që sollën risi të vërteta në traditën letrare shqiptare. Petro Marko (Dhërmi, 25 nëntor 1913 – Tiranë, 27 dhjetor 1991) ishte arsimtar, publicist, gazetar. Ish presidenti i Shqipërisë, Alfred Moisiu, në vitin 2003 dekoroi Petro Markon me urdhrin “Nderi i Kombit”. Krijimi i parë i tij daton shumë herët, qysh në vitin 1930, data 9 dhjetor, pra kur ende ishte tepër i ri, vetëm 17 vjeç, boton poezinë e tij të parë “ Flamurit” në gazetën “Shqipëria e re”, të Kostancës (Rumani), me pseudonimin Vlonjati. Dhe pas këtij viti deri sa mbyll sytë, ai shkruan pothuajse në të gjitha gjinitë letrare, që nga poezia e deri tek dramaturgjia. Numërohen mbi 50 organe shtypi ku ndihet pena e tij. Me qindra poezi, tregime, fragmente romanesh, shkrime publicistike, përkthime nga autorë të ndryshëm, veçanërisht ata hispanikë zënë vend në këto organe. Shquajnë shqipërimet nga Rafael Alberto dhe Federiko Garsia Lorka, si një shërbim plot dashuri e talent, krahas 7 autorëve të tjerë, kryesisht poetë.

Petro Marko

Qendra shqiptare e studimeve letrare “Pjetër Budi” është krijuar me qëllimin për të kontribuuar në njohjen dhe studimin e letërsisë shqipe të të gjitha periudhave e të të gjitha trevave shqipfolëse, me pikësynim rivlerësimin e letërsisë së hershme shqipe, si dhe evidentimin e të gjithë vlerave të letërsisë së sotme shqipe. Qendra zhvillon veprimtarinë e saj në fushën e hulumtimit shkencor të ligjërimit letrar, duke përgatitur dhe përhapur rezultatet e punës së saj në sferat intelektuale, arsimore, mediatike dhe kulturore të shoqërisë, për njohjen dhe konsolidimin e nocioneve shkencore, që krijojnë premisa për mendimin kritik dhe studimor të letrave shqipe.

/Agjensia e Lajmeve Sot News/