23 Shkurt 2025

Shumë lloje zogjsh, si kolibrat, pallonjtë dhe papagajtë kanë ngjyra të praruara, por zogjtë e parajsës janë verbues me nuancat e tyre të smeraldit, limonit, kobaltit e rubinit. Një studim ka zbuluar se këta shpendë magjepsës dërgojnë sinjale sekrete ngjyrash që nuk shihen dot nga njerëzit.

Puplat dhe pjesë të trupit të zogjve të parajsës kur ekspozohen ndaj rrezeve blu dhe ultravjollcë, duken si e gjelbër e ndezur ose e verdhë në të gjelbër, thotë studimi i publikuar në Royal Society Open Science.

Organizmat e gjallë prodhojnë dritë përmes dy mënyrave: biolumishencës dhe biofluoreshencës.  Biolumishenca ndodh te xixëllonjat dhe është rezultat i një reaksioni kimik. Organizmat biofluoreshente ndriçojnë duke përthithur rreze drite me energji të lartë si ultravjollcë, vjollcë apo blu dhe më pas e çlirojnë dritën në një gjatësi vale me energji më të vogël.

Studiuesit e kanë përshkruar biofluoreshencën në 37 nga 45 lloje zogjsh parajse që gjenden vetëm në ishujt e largët tropikalë dhe habitetet pyjore në Papua Guinenë e Re, Indonezinë lindore dhe disa rajone të Australisë.

Të ndriçuara nga drita blu dhe ultravjollcë, puplat e bardha dhe të verdha të zogjve shfaqin ngjyra që mund të përdoren gjatë ‘luftës’ për territor ose gjetjen e partnerëve.

Zogjtë njihen për shikimin dhe shumë lloje si pëllumbat, gjelat e detit, rosat dhe patat mund të shohin edhe nën skeptrin ultravjollcë. Pak dihet për shikimin e zogjve të parajsës, por disa lloje të ngjashme me ta si korbat, sorrat dhe laraskat kanë shikim të ndjeshëm ndaj valëve ultravjollcë. Për këta zogj, ndriçimi fluoreshent do të dukej si fener në errësirë.

Ka më shumë se 11.000 lloje të njohura shpendësh, por vetëm një pjesë e tyre kanë vetinë fluoreshente. Biofluoreshenca është gjetur te pinguinët, papagajtë, pufinët, bufët etj, por pak dihet për mënyrën sesi i përdorin këto sinjale.