Vërshimet e ujit te reshjeve në Pejë me dëme edhe në trashëgimi kulturore
29 Qershor 2023
Vërshimet në Pejë shkaku i reshjeve të rrëmbyeshme atmosferike në mbrëmjen e së shtunës dhe mëngjesin e së dielës nuk kanë lënë pa bërë dëme edhe në trashëgiminë kulturore. Përderisa autoritet e qytetit dhe ato qendrore kanë konfirmuar dy të vdekur dhe dëme të mëdha në banesa private e në biznese, Ministria e Kulturës ka konfirmuar dëmet në ndërtesat e trashëgimisë kulturore.
Sipas njoftimit të MKRRS-së, pas vërshimeve të shkaktuara mbrëmë në Pejë, të dielën gjatë ditës zyrtarët e Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Pejë kanë inspektuar monumentet që kanë qenë të ndikuara nga reshjet intensive.
“Pas inspektimeve në terren është konstatuar se monumentet që kanë pësuar dëme të theksuara janë: Kulla e Gockajve (ku është e vendosur Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore Pejë) dhe Konaku i Mahmut Begollëve”, shkruhet në njoftim.
Sipas MKRS-së, në monumentet e tjera të prekura nga vërshimet, sikurse Xhamia e Mesxhidit, gjendja kritike është tejkaluar pas pastrimeve nga vetë pronarët dhe shfrytëzuesit e aseteve.
“QRTK Pejë vazhdon të koordinohet me institucionet përgjegjëse për pastrim dhe largim të mbeturinave, për të vazhduar më pas me vlerësimin e dëmit të shkaktuar”, shkruhet në njoftimin e MKRS-së. Institucioni më i lartë kulturor në vend është solidarizuar me qytetarët e dëmtuar nga kjo fatkeqësi dhe i shprehim ngushëllime familjes e cila ka humbur dy anëtarë.
“Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, në bashkëpunim me institucionet vartëse do të ndërmarrë hapat e duhur që kjo gjendje e shkaktuar nga fatkeqësia natyrore të tejkalohet, dhe monumentet e dëmtuara të konsolidohen brenda një afati të shkurtër”, shkruhet në njoftim.
Gazeta Koha, Prishtine