Veshjet e para të njerëzimit/ Njerëzit e Epokës së Gurit veshën lëkurën e ariut 300.000 vite më parë
8 Janar 2023
Është sfiduese të kuptosh saktësisht se kur filloi përdorimi i veshjeve nga njerëzit. Por arkeologët gjermanë besojnë se kanë gjetur provat e para që datojnë rreth 300,000 vjet më parë në epokën e gurit.
Arkeologët në Gjermani kanë zbuluar disa nga provat më të hershme të përdorimit të veshjeve, që datojnë rreth 300,000 vjet më parë. Bëhet fjalë për veshje të prera nga lëkura e kafshëve parahistorike.
Zbulimi në Schöningen, Gjermania veriore, është emocionues sepse pavarësisht nga përshkrimet e burrave dhe grave të shpellave të mbështjellë me gëzof në kulturën popullore, shumë pak dihet me të vërtetë se si njerëzit e hershëm i mbijetuan dimrave të ashpër.
Leshi, lëkura dhe materiale të tjera organike zakonisht nuk ruhen më shumë se 100,000 vjet, që do të thotë se provat e drejtpërdrejta të veshjeve parahistorike janë të pakta.
“Studimi është i rëndësishëm, sepse ne dimë relativisht pak se si njerëzit në të kaluarën e thellë po mbroheshin nga të ftohtët. Nga kjo periudhë e hershme kohore, ka vetëm një pjesë të vogël të vendeve që tregojnë prova të lëkurës së ariut”, tha autori i studimit Ivo Verheijen, doktorant në Universitetin Tübingen në Gjermani.
Arinjtë e shpellës ishin kafshë të mëdha, afërsisht sa një ari polar, që u zhdukën rreth 25,000 vjet më parë. Veshja e ariut të shpellës, e cila ka qime të gjata të jashtme që formojnë një shtresë mbrojtëse të ajrosur dhe qime të shkurtra e të dendura që ofrojnë izolim të mirë, ishte e përshtatshme për të bërë veshje të thjeshta ose shtroja, sipas studimit të botuar në “Journal Of Human Evolution”.
Schöningen në Gjermani është më i famshëm për zbulimin e armëve më të vjetra të njohura prej druri – nëntë shtiza gjuajtëse, një shtizë shtytëse dhe dy shkopinj hedhës – që u përdorën për të vrarë gjahun 300,000 vjet më parë.
Nga Besmira Pelushaj