11 Mars 2024

Deklaratat e fundit të kryeministrit Rama për kryebashkiakët e djathtë, politologu Ilir Kalemaj e sheh si një sipar të hapjes së fushatës elektorale. Duke folur në një studio televizive, Kalemaj thekson se Shkodra është kryeobjektivi elektoral i PS-së në 2025-ën, por sipas tij do të jetë e vështirë që ky qytet të kthehet në bastion të PS-së, pavarësisht financimeve apo hapjes së arkës së shtetit. Kalemaj thotë se nuk do të habiteshim nëse Rama do të kryesonte listën e kandidatëve për deputetë në Shkodër në zgjedhjet e 2025-ës.

“Duke qenë se z.Rama luan shumë me simbolikën dhe estetikën politike, vet përzgjedhja e Shkodrës dhe mbështetja publike që ai i dha Benet Becit, duke nënvizuar edhe faktin që ai është një i djathtë, dhe dyert të djathtët e Shkodrës i kanë më të hapura se kurdoherë, për t’iu bashkëngjitur PS-së, mendoj që ishte edhe një sipar i fushatës elektorale që z.Rama ka hapur ndërkohë. Mesazhi u dha përmes ftesës për kryebashkiakët e djathtë, për të qenë pjesë e tryezës dhe natyrisht dhe duke i vendosur përpara nga njëra anë përballë përgjegjësisë politike por edhe përgjegjësisë si kryebashkiakë, ku fondet kryesore vijnë nga qeveria qendrore, psh. bashkia Kavajë është totalisht e varur nga qeveria qendrore, por ka edhe një borxh shumë të madh, së bashku me bashkinë Vorë. Kryetarët e bashkive kanë pak zgjedhje, përveçse të jenë pjesë e tryezës ku diskutohen edhe fondet që do marrin secili prej tyre.

Z.Rama është i aftë t’i shfrytëzojë politikisht elektoralisht këto çështje që duhet të kenë vetëm ndjeshmëri lokale për mendimin tim. Nuk ka sekret që z.Rama është në një fushatë të pandërprerë elektorale në 12 vjet. Ndoshta e ka kthyer si kryeobjektiv elektoral të 2025-ën, Shkodrën, dhe nuk do habiteshim që Rama të jetë i pari i listës në Shkodër për të triumfuar në atë që njihet si basti i tij kryesor politik, për të kthyer kryeqendrën e Veriut të Shqipërisë në një bastion të socialistëve. Mendoj që të jetë jashtëzakonisht e vështirë, pavarësisht financimeve apo hapjes së arkës së shtetit për ta mundësuar këtë gjë, duke patur parasysh traditën dhe mënyrën si ka votuar Shkodra. Madje edhe në 96-ën kur protestonin ndaj PD-së, ata ia dhanë votat e tyre për pushtetin lokal një aleance të bashkuar të së djathtës. Ardhja e Benet Becin, një kandidati me origjinë dhe familje të djathtë, të kultivuar më herët nga PD si drejtor apo kryetar i Fondit Shqiptar të Zhvillimit dhe më vonë të marrë nga z.Rama, ashtu siç ka marrë Agron Çelën, Lefter Kokën, Nasip Naçin, apo Tom Doshin. Pra të gjithë këtë luftë për të kapur territore, klientelë të re elektorale, për të qenë në një fushatë të pandërprerë, z.Rama e ka përkthyer në një sukses të PS-së. Në informacionin që unë kam po bëhet në mënyrë selektive edhe elektorale mbajtja e të punësuarve të djathtë nga mazhoranca”.

I pyetur a mund të ndikojë në vote bashkimi brenda PD-së, Kalemaj shton:

“Koha e mbetur është edhe pak edhe shumë, është edhe një vit që na ndan nga zgjedhjet. Do ishte sukses nëse do të ruhej rezultati i zgjedhjeve të 2021-shit, ku diferenca ishte vetëm 30 mijë vota. Natyrisht është e vështirë kjo gjë, pasi nuk është vetëm bashkimi aritmetik që mundëson një fitore në zgjedhje. Mendoj që fryma është disi më ndryshe, kjo u vu re në protestën opozitare. Po vihet re edhe nga turi në bazë.

Kanë mjaftueshëm kohë, 1 vit, bashkë me faktorët e tjerë, do kemi apo jo një reformë të re zgjedhore, dhe bashkimit që do ketë opozita në finale”.”, tha Kalemaj.

Gazeta Sot