Vihet në pranga vëllai i ish-deputetit, Rrahman Rraja
10 Korrik 2024
Nga Gazeta Dita
Xhelal Rraja, i shpallur në kërkim në kuadër të operacionit të SPAK “Revanshi”, është vënë në pranga. Gjykata i kishte caktuar Rrajës, masën e sigurisë “arrest në burg”, pasi akuzohet për pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal dhe për sigurim të kushteve për të kryer vrasjen e Arben Ndokës. Rraja ishte pjesë e grupit kriminal të Durim Bamit dhe Endrit Dokles.
“Pas një pune të mirëfilltë hetimore, është bërë e mundur kapja e shtetasit në kërkim Xh. Rr. Xh. Rr. ishte shpallur në kërkim, pasi gjykata i kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, në vijim të operacionit “Revanshi”, për pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal dhe për sigurim të kushteve për të kryer vrasje.”, thuhet në njoftimin e policisë.
Operacioni “Revanshi”
Arrestimi i Xhelal Rrajës, vëllait të ish-deputetit socialist, Ramazan Rraja u bë në kuadër të operacionit të SPAK të nisur në maj të këtij viti, ku u goditën grupe kriminale dhe u arrestuar eksponentë të njohur të botës së krimit. Sipas njoftimit zyrtar të SPAK janë goditur 7 grupe të strukturuara kriminale dhe janë sekuestruar pasuri me vlerë 4.5 milionë euro, ku përfshihen bizhuteri dhe ora të shtrenjta, flori, euro cash, armë zjarri, automjete luksoze të blinduara, sisteme vrojtimi kamerash, tavolinë pokeri, etj. GJKKO ka caktuar arrest “arrest në burg”, për 50 shtetas.
Sipas SPAK, në qendër të grupeve kriminale ishte ai i të shumëkërkuarit Ervis Martinajt, i cili ishte në aleancë me grupin kriminal që vepronte në qytetin e Lezhës të drejtuar nga ish-deputet Arben Ndoka. Bëhet me dije se në zonën e Fushë-Krujës vepronte grupi i Durim Bamit i cili ishte në konflikt të hapur me grupin e Martinajt dhe Ndokës. Grupi i Bamit bëri aleancë me një grup kundërshtar të Martinajt që drejtohet nga Leonard Duka dhe Fatmir Hyseni, persona me precedentë të theksuar kriminal me qëllim vrasjen e Martinajt dhe Ndokës dhe anëtarëve të tjerë të këtyre grupeve kriminale.
Në ndihmë të grupeve kriminale të drejtuara Ervis Martinaj dhe Arben Ndoka, vijnë edhe shtetasit Emiljano Shullazi dhe A.Avdylaj, që edhe pse në kushtet e paraburgimit ndihmojnë në realizimin e vrasjes së Durim Bamit. Hetimet kanë evidentuar ekzistencën edhe të një grupi tjetër kriminal të drejtuar nga Edison Reçi. Ky shtetas me qëllim hakmarrje ka organizuar vrasjen e Preng Gjinit. Nga njoftimi i SPAK është evidentuar dhe përfshirja në ngjarjet kriminale edhe një ish-deputeti, Arben Ndoka, katër punonjës policie; drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, Henerigert Mitri, efektivët e RENEA-S, Altin Morina dhe efektivi me iniciale A.P,.
Sipas SPAK, Mitri së bashku me ish-punonjësin e policisë kufitare Klodjan Shahini dhe persona të tjerë drejtonin aktivitetin kriminal të kultivimit të narkotikëve në qarkun e Lezhës. Gjithashtu së bashku me Preng Gjinin, aktualisht në arrest për një hetim tjetër, organizonin aktivitetin e paligjshëm të lojërave të fatit në Lezhë. Gjatë ekzekutimit të vendimeve të GJKKO janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale rreth 3 milionë euro cash vetëm në banesën e Ervis Doçit i njohur ndryshe me pseudonimin Visi i Pojës.