Vijon kaosi në Kadastër, sistemi në kolaps, qytetarët: – Përveç shërbimeve, nuk punon as sistemi i nënshkrimit elektronik
8 Nentor 2023
Nëse të nevojitet të paraqitesh apo të aplikosh për shërbim te Kadastra, qoftë për nxjerrjen e një kartele të rifreskuar të pasurisë së paluajtshme apo për depozitim të kontratës së shitblerjes, do të duhet të presësh pasi sistemi është jashtë funksionit.
Burime nga Kadastra bëjnë me dije se shërbimet në agjencinë më të madhe të pasurive të paluajtshme janë jashtë funksionit, duke shkaktuar kaos total në këtë agjenci.
Qytetarët denoncojnë në “Ora News” se aplikojnë për prona por nuk marrin shërbim, dhe po ashtu mësohet se “nuk punon as sistemi i nënshkrimit elektronik”.
Pas datës 3 korrik të këtij, të gjitha aplikimet u njoftuan se do të bëheshin nëpërmjet e-Albania, dhe përfshirja e AKSHI-t për projektin e dixhitalizimit ka sjellë kolapsin e plotë të Kadastrës, një situatë që zgjat prej muajsh tashmë.
Kjo sepse hapja e tenderit për dixhitalizimin nga AKSHI dhe kolapsi i Kadastrës janë shkak-pasojë të njëra tjetrës.
Veprime, për të cilat shumë dyshojnë se përveç babëzisë për tendera, fshehin qëllime edhe më okulte se kaq.
Por përtej kësaj, kjo situatë ku ashkush nuk merr dot shërbime vënë në dyshime serioze sigurinë e pronës së shqiptarëve.
Ndërkohë, edhe bankat nga ana tjetër, prej muajsh po hasin probleme në lëshimin e kredive me kolateral, pasi mungesa e shërbimit nga Kadastra ua bën të pamundur përdorimin e pronave si kolateral përmes të cilave ofrojnë kreditë.
Nga OraNews