Vila e Athinasë, një nga elementët interesantë të arkitekturës romake
Vila e Athinasë, një nga elementët interesantë të arkitekturës romake
17 NËNTOR 2020
Mozaikët e mrekullueshëm të Vilës së Athinasë në parkun arkeologjik të Apolonisë mund të ndiqen përmes një turi virtual. Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore ka publikuar një video shkëputur nga puna e kryer nga specialistët përgjatë vitit 2018 dhe shkruan se Vila e Athinasë përfaqëson një nga elementët më interesantë të arkitekturës private të periudhës romake në Apoloni. “Banesa ku është zbuluar një nga statujat e Athinasë daton në shek. II pas Krishtit dhe njihet për përmasat e saj. Sipërfaqja rreth 3500m² e cila mbulon ½ e insules, përfaqëson një nga rastet e pakta të zbulimit të një domusi romak në territorin shqiptar”, shprehet IKTK. Falë punës së specialistëve të Parkut Arkeologjik Apoloni dhe specialistëve të Institutit të Monumenteve të Kulturës, u bë e mundur hapja e këtyre mozaikëve, për të realizuar më tej dokumentimin e gjendjes së tyre, rifreskimin e materialit mbrojtës të degraduar ndër vite, marrjen e masave dhe zhvillimin e projekteve për restaurimin dhe promovimin e tyre. Janë të shumta ambientet e banimit të shtruara me mozaikë, me motive nga më interesantet, në dhomat e njohura me emrat: “Dhoma e Akilit”, “Dhoma e Aktorit”, “Hipokampi”, “Neraida” etj.
Një nga takimet më mbresëlënëse me historinë që mund të keni në Shqipëri është në qytetin antik të Apolonisë, themeluar në shekullin e gjashtë para Krishtit. I ndërtuar në tokat e Taulantëve Ilirë nga kolonizatorë grekë, qyteti ishte më i rëndësishmi nga mbi 20 qytetet në të gjithë Mesdheun që merrnin emrin e perëndisë së muzikës dhe poezisë, Apolon. Falë monumenteve e rrënojave të shpërndara në kodrat e parkut arkeologjik (më i madhi në Shqipëri), do të prekni nga afër shkëlqimin e periudhës helenistike dhe romake. Një sërë rrënojash e monumentesh të rëndësishme si shëtitorja B me kolonat dorike të shek. IV para Krishtit, çezmja madhështore e Nimfeut që është dhe monumenti më i madh i ruajtur i parkut, Porta e Temenosit me Obeliskun përballë e plot objekte e rrënoja të tjera, kanë shumë interes për vizitorët. Sikur të mos mjaftojë thesari arkeologjik që vizitohet në park, brenda mureve gjendet dhe Manastirit dhe Kisha e Shën Mërisë, të cilat së bashku me Muzeun Arkeologjik që ndodhet brenda manastirit, i shtojnë akoma më shumë vlerat historike, arkitekturore e kulturore të parkut.
Gazeta Sot