Nga: Dhurata Hamzaj

TIRANË – Një violionë 127-vjeçare e këngëtares së njohur Hafize Leskoviku është objekti më i veçantë që është ekspozuar në Muzeun Historik Kombëtar në Tiranë. Objekti është sjellë në muze për projektin e çelur nga ky institucion që titullohet “Muzeu im”.

Reliken e rrallë të këngëtares Leskoviku e ka sjellë violinisti Artur Zeqiri, mik i familjes Leskovkiku. Ai vetëm sa e ka prezantuar këtë violinë të rallë dhe e ka marrë sërish me vete në shtëpinë e tij në Elbasan. Artur Zeqiri tregon sesi i ka rënë në dorë kjo violinë:

“Xhaxhai i babait tim, kur ishte i vogël është rritur nga Selimi që në atë kohë jetonte në Stamboll. Selimi qe vëllai i Hafizesë. Kështu që ai ngaqë e mbajti dhe kishte shumë respect për të, i dha për grua vajzën e vetme. Ndërsa Hafizeja nuk u martua dhe nuk pati trashëgimtarë. Kështu xhaxhai i babait tim kishte trashëguar klarinetën dhe dy violina. Kjo që solla unë për “Muzeu im” është violina e atyre këngëve të inçizuara”, thotë Artur Zeqiri për Shqiptarja.com, duke shtuar se ka një arsye që nuk ia dhuron dot këtë relike muzeut.

Foto: Artur Zeqiri.

“Muzeu nuk mund ta mbaj mirë, se nuk ka kushte. Aty temperatura është e parregulluar dhe nga vapa violina hapet, ndaj e mora në shtëpi”, thotë Arturi. Ndërsa punonjësit e Muzeut e çmojnë faktin që Artur Zeqiri u bë pjesë e këtij projekti dhe erdhi në muze për të treguar historinë e instrumentit muzikor dhe të traditës muzikore të trevës së Leskovikut.

Të vjen keq që një histori e trashëgimisë kulturore, që lidhet me folklorin kombëtar është lënë kaq shumë në hije. Po falë violinistit Artur Zeqiri, violina shekullore vjen në Muzeun Historik Kombëtar për të rrëfyer historinë e sazexhinjve të famshëm të familjes Leskoviku. Anëtarët e familjes Leskoviku brez pas brezi janë njohur si sazexhinjtë më të shquar të muzikës popullore në Shqipërinë e Jugut, që nga gjysma e parë të shekullit XX.

Hafize Leskoviku bashkë me të vëllanë Selim Leskovikun, ishin fëmijët e Asllan Leskovikut. Ata formuan një nga grupet e para të sazeve, dhe ruajtën traditën folklorike të trevës juglindore të Toskërisë. Hafizja me vëllezërit e saj njiheshin jo vetëm si instrumentistë, por edhe si këngëtarë të shquar të Leskovikut. Asllani me Selimin luanin në klarinetë, ndërsa Hafizeja, përveç si këngëtare, interpretonte edhe në violinë…

Foto: Nje nga pllakat e vjetra te gramafonit ku eshte regjistruar zeri i H. Leskovikut.

Muzeu Kombëtar në pritje të relikeve të tjera, projekti
Artur Zeqiri e zbulon historinë duke e sjellë objektin dhe duke e regjistrur e fotografuar këtë relike si një të dhënë më shumë për Muzeun Kombëtar. Kjo violinë 127-vjeçare ka qenë një surprizë për punonjësit e Muzeut Historik Kombëtar.

“Nuk ka qenë e lehtë të na vijnë antikuarë kaq me vlerë”, -shprehen punonjësit e muzeut, të cilët presin nga ky projekt në vijimësi se – “familjet që i kanë në pronësi do ta kuptojnë rëndësinë, që duke sjell objekte të çmuara e duke i regjistruar ato bashkë me historinë dhe vlerat muzeale ndriçojnë më shumë trashëgiminë kulturore të vendit”.

“Në bazë të projektit është ftesa e hapur për të gjithë publikun, për  të sjellë në muze objektin më të veçantë, që ka një rëndësi historike apo emocionale, personale apo familjare dhe për ta ndarë historinë e tij me të tjerët. Përmes këtij aktiviteti mundësohet afrimi i muzeut me publikun, komunikohet e interpretohet objekti dhe përçohet historia e tradita kombëtare tek brezat pasardhës.” pohon drejtori i Muzeut Historik Kombëtar i cili shprehet se “Projekti do të vazhdojë edhe në muajt e ardhshëm dhe në varësi të objekteve që do të mbërrijnë do të realizohet një ekspozitë.”

Çdo objekt që mund t’i përkasë një njeriu të dashur, që ju mendoni se ka vlera e që duhet të jetë në muze, do të gjejë vend në një ekspozitë të përkohshme të Muzeut Historik Kombëtar, me një diçiturë ku ju do të shkruani historinë tuaj.”, është thirrja që bëhët për projektin “Muzeu im”, dhe çdo të premte qëndrojnë në pritje… Violina e Hafize Leskovikut erdhi pikërisht të premten e fundit në Muzeun Historik Kombëtar.

Historia e violinës shqiptare nga Leskoviku në Stamboll
Violina 127-vjeçare e përdorur nga këngëtarja dhe violinistja Hafize Leskoviku lidhet më një veprimtari të pasur artistike të artistes së parë shqiptare në grupin e sazeve. Violinisti Artur Zeqiri rrëfen historikun e rrugëtimit të kësaj violine. “Këngëtarja Hafize Leskoviku u lind dhe u rrit në Leskovik.

Babai i saj Asllani rridhte nga një familje me tradita shumëvjecare në fushën e interpretimit në vegla popullore. Prej kësaj familjeje sazexhinjsh, bëhej muzika popullore e drejtuar prej Asllan Leskovikut dhe fëmijët. Djemtë Selimi dhe  Ajdini luanin me gërnetë dhe Hafizja që edhe këndonte, i binte violinës”. Violinisti

Zeqiri ka rrëfyer ndër të tjera se sazexhinjtë e familjes Leskoviku janë të parët që janë regjistruar në në pllakën e parë të gramafonit.  Hafizeja medohet të ketë lindur rreth viteve 1870-‘75 në Leskovik. Pas dorëzimit të kësaj violine mendohet që të mblidhen edhe të dhëna të sakta për këtë artiste popullore, që padrejtësisht lihet në hije. Familja Leskoviku rreth viteve 1920 ka jetuar e punuar në Leksovik.

Kishin një kafene në qendër të qytetit, por më shumë qenë të njohur si sazezinj shëtitës në gjithë Shqipërinë e Jugut dhe në Janinë. Në vitet 1930 janë larguar në Stamboll dhe atje kanë përqendruar veperimtarinë në klubet e shqiptarëve ku “…këndonin këngë leskoviqare, përmetare e korçare”. Selimi në gërnetë dhe Hafizeja që këndonte dhe intepretonte në violinë, mbetën një nga majat më të larta të interpretimit dhe krijimit të muzikës popullore qytetare. Muzikologët dhe vendasit edhe sot flasin për veçantitë e zërit të Hafizesë.

Ajo ka mbetur një legjendë. Zëri i saj është vlerësuar për koloraturën e pasur të një sopranoje. Ndërsa vëllai i saj Selimi qe një mjeshtër i gërnetës. Duke shfrytëzuar foklorin e pasur fshatarët e zonës së Leskovikut krijuan stereotipet bazë të muzikës qytetare me saze. Formacioni klasik i formuar prej tyre ka qenë i përbërë prej 1 gërnete dhe dy violinave. Njëra nga violinat me këtë histori kaq të pasur ka vetëm tre ditë që i është bërë e njohur Muzeut Historik Kombëtar, duke bërë të mos lihet në harresë kjo pjesë e historisë së muzukës shqiptare.