Virologu italian: 95% e pozitivëve janë asimptomatike, pse disa njerëz nuk janë infektues.

24 TETOR 2020

Nga Corriere della Sera

Profesori i Mikrobiologjisë dhe Virologjisë në Universitetin e Padovës, Giorgio Palu ka dhënë një panoramë të qartë të asaj që po ndodh sot në Itali dhe jo vetëm. Shumë vende të Evropës po shohin rritje infektimesh ditët e fundit, mes tyre edhe Italia. Kjo ka panikuar njerëzit që nuk dinë më ç’të besojnë. Në një intervistë për Corriere della Sera, virologu Palu tregon çfarë po ndodh në Itali.

-Profesor Palù, njerëzit janë të dëshpëruar dhe nuk dinë më kë të besojnë. Si u përgjigjeni?

Ekziston shumë alarmizëm. Nuk ka dyshim se po përballemi me një valë të dytë të pandemisë, por qarkullimi i virusit nuk ka ndalur kurrë, edhe nëse, në korrik, rastet duket se ishin zhdukur, falë verës, ajrit, rrezeve ultraviolet që vrasin virusin. Pastaj ishte kthimi nga pushimet, rihapja e shumë aktiviteteve dhe mbi të gjitha kthimi në shkollë.

-Numri i rasteve po rritet. Si t’i interpretojmë?

Nga tamponët që dalin pozitivë, 95 për qind e të infektuarve nuk kanë simptoma dhe për këtë arsye nuk mund të përkufizohen si të sëmurë, pika e parë. Pika e dytë: është e sigurt që këta njerëz janë infektuar, domethënë kanë rënë në kontakt me virusin, por nuk është e sigurt se ata janë infektues, domethënë që mund ta transmetojnë virusin te të tjerët. Kjo mund të ndodhë nëse ata kanë ngarkesë të lartë virale, por për momentin nuk e zbulojmë dot këtë në kohë.

Virologu i Universitetit te Padovës, Giorgio Palu

Arsye të tjera pse disa njerëz pozitivë nuk janë infektues?

Për shkak se mund të kenë një ngarkesë virale të ulët, sepse mund të jenë bartës të një lloji virusi më pak virulent ose sepse kanë vetëm fragmente gjenetike të virusit, të zbulueshme nga testi, por të paafta të infektojnë njerëzit e tjerë.

Unë e di që disa njerëz dalin pozitivë ndaj tamponit, që janë asimptomatikë, prandaj nuk janë të sëmurë. Por unë e di edhe që në një përqindje të caktuar të rasteve ata mund të infektojnë të tjerët. Si të sillemi, duke pasur parasysh që në Milano, mundësia e gjurmimit të kontakteve ka dështuar?

Ne duhet të ndërmarrim veprime nëse identifikohen grupe kur pozitivi ka hyrë në kontakt të ngushtë me njerëz të tjerë në një mjedis pune, në shkollë ose në familje. Atëherë të gjithë duhet të bëjnë tamponin.

Pra, njohja e të dhënave ditore, sipas buletineve, për infeksionet/ rastet nuk është e dobishme?

Ajo që ka vërtet rëndësi është të dish se sa njerëz shtrohen në kujdesi intensiv. Ky numër jep dimensionin real të gravitetit të situatës. Në çdo rast, ky virus ka një vdekshmëri relativisht të ulët, mund të vrasë, por nuk është murtaja, informon dritare.net

Çfarë ose kujt ia atribuoni këtë valë të dytë?

Sigurisht rihapjes së shkollave. Problemi nuk është vetë shkolla, por transporti publik në të cilin kanë filluar të udhëtojnë tetë milionë studentë. Mbajtja hapur e shkollave është thelbësore.

Jeni kundër apo pro bllokimeve të reja?

Unë jam kundër, si qytetar sepse do të ishte vetëvrasje për ekonominë tonë, si shkencëtar sepse do të penalizonte edukimin e të rinjve, të cilët janë e ardhmja jonë dhe si mjek sepse nënkupton se njerëzit e sëmurë, që vuajnë nga sëmundje të tjera, veçanërisht nga tumoret, nuk kanë mundësi trajtimi. E gjithë kjo përballë një sëmundjeje, Covid-19, e cila ka një vdekshmëri të ulët. Nuk është aq vdekjeprurëse. Ne duhet t’i japim fund kësaj histerie.

Tani le të flasim për atë 5 përqindëshin e njerëzve pozitivë me simptoma. Çfarë ndodh me ta?

Kushdo me simptoma të rënda është i shtruar në spital. Po ka edhe në strehimore. P.sh, njerëz që kanë sëmundje të lehta, por nuk mund të qëndrojnë në shtëpi sepse janë vetëm ose sepse mund të infektojnë njerëz të tjerë në familje ose sepse janë të varfër dhe nuk dinë ku të shkojnë.

Si funksionon kujdesi në shtëpi për njerëzit e infektuar?

Mjekët e familjes duhet të kujdesen për ta, por nuk ka rregulla dhe protokolle për t’i drejtuar në zgjedhjen e terapive. Ata kanë mbetur vetëm.

Përshtati: Kadrije Çako/dritare.net