Fl

Del zbuluar plani ogurzi i politikës për të futur në qorrsokak reformën në drejtësi. Gazeta e paralajmëroi se po bëhej një luftë e fortë për Kushtetuesen.

NGA KLITI TOPALLI

20 KORRIK 2020

– Ilir Meta thirri në një takim kryeparlamentarin Gramoz Ruçi për të diskutuar pikërisht mbi skenarët e Kushtetueses. Të premten u mblodh Këshilli i Emërimeve në Drejtësi dhe kur pritej që të hartoheshin listat që do shkonin në Presidencë dhe Kuvend për dy vende vakante, KED njoftoi se procesi do të nisë nga e para. Këshilli i Emërimeve në Drejtësi ka verifikuar nëntë kandidatët në garë, nga ku asnjë nuk është kualifikuar për të marrë pëlqimin e Parlamentit dhe presidentit. Tre kandidatë, mes tyre Klodian Rado, Prel Martini dhe Envi Hicka janë tërhequr nga gara. Ndërsa Besnik Muçi, Arduta Aslua, Shaqir Hasanaj, Vjosa Bodo, Vasil Bendo dhe Dedë Kasneci nuk kanë plotësuar kriteret ligjore për të vazhduar garën. Ndërkombëtarët kishin një vit që thërrisnin që Kushtetuesja të bëhet funksionale. Presidenti po ashtu akuzonte Ardian Dvoranin se ishte ai shkaktari i kaosit.

– Por duket se e gjitha ka qenë shou, pasi skenari ogurzi i politikës ka qenë që vendi të mbetet pa Gjykatë Kushtetuese të paktën edhe për këtë vit. Me ikjen e Dvoranit, frenat e KED i mori Vitore Tusha, e besuara e presidentit. Vetë Meta sa herë dilte shprehej se frenat e KED duhet t’i marrë nënkryetari. Por duket se kjo paska qenë loja, Metës i është dashur Tusha që të fusë në kaos Kushtetuesen edhe për rreth 6 muaj të tjerë, por që situata mund të zgjasë edhe më shumë. Vërtet një pjesë e kandidatëve mund të mos i plotësojnë kushtet, por duket qartë se KED tani po u shërben interesave politike. Tërheqja nga shkarkimi i presidentit duket se ka qenë pjesë e një pakti të thellë politik. PS i emëroi Metës kandidatin për në KLSH si dhe e amnistoi nga shkarkimi, ndërsa presidenti tani përmes njerëzve të tij duket se po fut në kaos drejtësinë. Pra ky ka qenë pazari.

Ngërçi në drejtësi

Sado që u përpoq, politika arriti të mos ndërhyjë te organet kundër korrupsionit. SPAK sot ka 13 prokurorë dhe puna vijon normalisht. Gjykata e Posaçme po ashtu vijon punën, edhe pse ka ende vakanca. Byroja e Hetimit është në proces, por dhe aty politika nuk ndikon dot pasi 4 kandidatët finalë për kryetar janë zgjedhur. Të vetmet institucione ku po luftohet janë Gjykata Kushtetuese dhe e Lartë. Dyshimet ishin se palët kishin rënë dakord që të ndanin pjesët e tyre, por duket se loja qenka më e thellë. Skenari ka qenë që Kushtetuesja të mos jetë më funksionale dhe të gjithë dalin të lumtur. Nëse ajo bëhej funksionale atëherë do trajtohej çështja e zgjedhjeve të 30 qershorit dhe si PS ashtu dhe presidenti mund të dilnin të humbur. Nëse Kushtetuesja nuk i njeh zgjedhjet e 30 qershorit, atëherë duhet të kemi zgjedhje të reja. Por nga ana tjetër nëse thekson se zgjedhjet ishin të drejta, rrëzon presidentin dhe pavarësisht tërheqjes së PS nga shkarkimi, Kushtetuesja fakton shkeljet e kreut të shteti duke nxjerrë blof socialistët. Pra secila palë duket se ruan interesat e saj. Por nga ana tjetër një ngërç akoma dhe më të madh kemi me Gjykatën e Lartë. Pas largimit të Dvoranit, kjo gjykatë ka vetëm 3 anëtarë nga jashtë sistemit, pra nga juristët. Sipas ligjit duhet të ketë 19 emra. KLGJ ka shpallur garën, por procesi po zvarritet dhe nuk ka asnjë sinjal se kur do të plotësohen vakancat nga radhët e gjyqtarëve. Për më tepër që Gjykata e Lartë dhe Kushtetuese janë të lidhura. 3 anëtarë të Kushtetueses si zgjedh Gjykata e Lartë dhe për përzgjedhjen e emrave duhen së paku 13 anëtarë. Pra e sigurt është se për shumë muaj, për të mos thënë edhe vite Gjykata Kushtetuese nuk do të jetë me 9 anëtarë.

Gazeta Sot