15 Shkurt 2024

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, priti sot Sekretarin amerikan të Shtetit, zotin Antony  Blinken, me të cilin bisedoi për rëndësinë e  marrëdhënieve strategjike dypalëshe, për zhvillimet në rajon, solidaritetin me Ukrainën dhe angazhimi në krah të aleatëve në NATO-s.

Presidenti Begaj e cilësoi shumë të rëndësishme këtë vizitë dhe u shpreh se ajo është një  demostrim “se partneriteti ynë strategjik është më i fortë se kurrë.”

”Kjo vizitë –  vijoi më tej Presidenti Begaj – është një mesazh i fortë në mbështetje të shqiptarëve, politikës tonë të jashtme dhe të ardhmes së Shqipërisë në rrugën  drejt integrimit në BE.”

Kreu i shtetit i shrehu Sekretarit Blinken mirënjohjen  për atë që  SHBA kanë bërë e po bëjnë për Shqipërinë, Kosovën dhe rajonin.

“Jemi falënderues për atë që SHBA kanë bërë dhe Ju po bëni për demokracinë shqiptare, sundimin e ligjit, veçanërisht reformën në drejtësi, mbrojtjen, sigurinë dhe sigurinë kibernetike, arsimimin dhe ekonominë përmes programeve të ndryshme mbështetëse”- deklaroi Presidenti gjatë bisedës me Sekretarin Amerikan të Shtetit.

Presidenti i Republikës  theksoi se Shqipëria  dhe SHBA kanë qenë së bashku në mbështetje të Ukrainës si aleatë në NATO duke   kontribuar në misione në  Afganistan dhe Irak.

Gazeta Sot