Vizita e lamtumirës së kancelares Angela Merkel në Ballkanin Perëndimor, DW zbardh detajet: – Pse përzgjodhi Beogradin dhe Tiranën?
Vizita e lamtumirës së kancelares Angela Merkel në Ballkanin Perëndimor, DW zbardh detajet: – Pse përzgjodhi Beogradin dhe Tiranën?
13 SHTATOR 2021
Kancelarja Angela Merkel do të qëndrojë sot dhe nesër (13-14.09) në vizitë lamtumire në Ballkanin Perëndimor. Interesante është që ajo ka zgjedhur të vizitojë vetëm Beogradin dhe Tiranën. Po pse?
Turneu i lamtumirës i kancelares gjermane Angela Merkel në Ballkan dhe zgjedhjet e ardhshme në Gjermani kanë zgjuar interesim të madh në të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor. Shumica e vendeve në Ballkanin Perëndimor kanë synime dhe probleme të ngjashme: anëtarësimin në Bashkimin Evropian (BE), e në të njëjtën kohë edhe një mori sfidash të brendshme, nga ato ekonomike, korrupsioni, mungesa e reformave dhe tensionet ndëretnike. Ndaj politikat e Gjermanisë dhe BE-së reflektohen fuqishëm edhe në çështjet e brendshme në Serbi dhe vendet e tjera të BP.
Tani po analizohet atje se çfarë do të thotë për rajonin largimi nga skena politike i kancelares Angela Merkel dhe nëse mund të pritet ndonjë ndryshim i rëndësishëm në politikën gjermane dhe evropiane. Kur bëhet fjalë për Serbinë në veçanti, Gjermania nuk është vetëm një nga partnerët më të rëndësishëm ekonomik, por edhe një vend, zëri i të cilit shihet si vendimtar për procesin e integrimit evropian. Kësaj duhet t’i shtohet me siguri një notë personale që presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e ka futur në raportet e tij me kancelaren Angela Merkel, gjë që opozita e ka kritikuar shumë shpesh.
Një pjesë e opozitës serbe beson se Angela Merkel, me qëndrimin e saj dashamirës ndaj Aleksandar Vuçiqit dhe lëvizjet e tij autokratike, e bëri luftën politike të opozitës edhe më të vështirë për ndryshime dhe kjo favorizoi Partinë Përparimtare të Serbisë në pushtet (SNS).
Ndaj nuk befason që kureshtja në Beograd lidhur me zgjedhjet parlamentare në Gjermani është e kuptueshme, thotë për DW Marko Savkoviq nga Fondi për Përsosmëri Politike. “Por duhet të presim pak deri në formimin e qeverisë së re dhe të shohim nëse do të ndryshojë diçka në politikën ndaj Serbisë dhe ndaj Ballkanit në tërësi.
Savkoviq shton se “duhet analizuar nëse interesat gjermane në rajon kanë ndryshuar. “Sipas mendimit tim, nuk kanë ndryshuar, sepse Gjermania është ende e interesuar për një Ballkan Perëndimor të qëndrueshëm, i cili nuk prodhon probleme. Ajo është e interesuar për një Ballkan ku rruga e emigrantëve është nën kontroll, e në të njëjtën kohë ka dhe një rritje të lartë të pranisë ekonomike gjermane në Serbi. Mendoj se ky do të mbetet prioritet edhe në të ardhmen”, thotë bashkëbiseduesi ynë.
Mbështetja lamtumirëse e Vuçiqit
Takimet me kancelarin austriak Sebastian Kurz, si dhe bisedimet në Beograd me Përfaqësuesin e Lartë në Bosnjë-Hercegovinë, Christian Schmidt, mund të shihen si një lloj përgatitjeje për vizitën dhe bisedimet me kancelaren Angela Merkel në Beograd. Naim Leo Beshiri, drejtor i Institutit për Çështjet Evropiane thotë për DW: “Angela Merkel po vjen për të bërë një vizitë lamtumire pak para zgjedhjeve në Serbi për të mbështetur përsëri Aleksandar Vuçiqin. Prania e saj do të përdoret nga presidenti serb për të treguar se ka mbështetje nga Perëndimi. Do të përdoret për fushatë zgjedhore në Serbi”, thotë Beshiri.
Gazeta Sot