11 Shkurt 2025

Arrestimi i kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, nga SPAK ka shkaktuar një tronditje të madhe në radhët e të majtëve. Kryeministri Edi Rama ka vizituar dy herë Bashkinë e Tiranës brenda një dite pas këtij zhvillimi.

Anëtarja e Këshillit Bashkiak të Tiranës, Ilda Zhulali, ka komentuar këtë situatë në një intervistë për një emision televiziv. Ajo e ka interpretuar vizitën si një përpjekje të Ramës për të garantuar Veliajn dhe për të ruajtur kontrollin mbi situatën. Zhulali thekson se Bashkia e Tiranës ka qenë një strukturë kyçe për Partinë Socialiste. Ajo argumenton se Rama synon të mbajë nën kontroll këtë strukturë pas arrestimit të Veliajt. Sipas saj, pritshmëritë e qytetarëve ishin të tjera, përfshirë edhe shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme. Megjithatë, ajo beson se kryeministri po përpiqet të minimizojë dëmin politik nga ky skandal.
Zhulali:

Kryeministri, në radhë të parë, i jep garanci publike Erion Veliajt që ai do të kujdeset për të, pra nuk do ta braktisë, dhe këtë e ka si një sinjal për të mbajtur nën kontroll Veliajn, ndërkohë që ai është i izoluar në qeli.
Pra, në një farë mënyre, kërkon dhe siguri për veten e tij, që Erioni mos fillojë të flasë.

E dyta, ai shkon në Bashkinë e Tiranës sepse Bashkia e Tiranës ka qenë motori elektoral i Partisë Socialiste, por ka qenë i gjithi në shërbim dhe i konstruktuar nga Erion Veliaj.
Nuk është sekret në Tiranë që punonjësit e Bashkisë Tiranë dhe shtabi i Erion Veliajt nuk kanë qenë automatikisht apo domosdoshmërisht edhe votues apo admirues të Edi Ramës. I kanë parë madje të dy ndarazi dhe prisnin që shumë shpejt Erion Veliaj t’i zinte vendin Ramës, kështu që i gjithë ky motor i fushatës elektorale duhet të vihet edhe nën kontroll dhe në shërbimin e Edi Ramës, gjë që ka pak gjasa të ndodhë në fakt, sepse atje ka ndodhur një tronditje shumë e madhe.

Duke shkuar në bashki, kryeministri jo vetëm që është në kapërcim të detyrës së tij funksionale, sepse nuk ka punë—këto janë dy pushtete të ndara, pushteti vendor dhe pushteti qendror—por ajo që prisnin sot njerëzit ishte: shkarkimi i Erion Veliajt, e para; e dyta, dorëheqja e vetë Edi Ramës; e treta, shpallja e një qeverie kujdestare për ta çuar vendin normalisht në zgjedhje dhe, po ashtu, shpallja e zgjedhjeve të parakohshme për Bashkinë Tiranë.
Kjo duhej të ndodhte në një rast normal. Edi Rama dhe normalja janë dy drejtime të kundërta që nuk puthen me njëra-tjetrën, kështu që në vend të kësaj ne shikojmë një kryeministër që përpiqet të kontrollojë, me aq sa mundet, dëmin kolateral që i ka shkaktuar burgosja e Erion Veliajt. Megjithatë, kjo është vetëm një përpjekje e tij për të lëshuar disa mesazhe publike, qoftë për anëtarët e Partisë Socialiste, qoftë për persona të tjerë që janë të përfshirë në këto dosje.

Flitet për shumë persona, sepse Erion Veliaj ishte realisht numri 2 i Partisë Socialiste, i projektuar për të qenë pasardhësi i Edi Ramës. Rrethi i tij i ndikimit brenda PS-së, i bashkëpunimit dhe i aferave po ashtu është po aq i madh, kështu që të gjithë këtë rreth Edi Rama duhet ta mbajë nën kontrollin e vet.

Gazeta Sot