Vizitorët e parë, në muzetë e qytetit të Beratit.
Vizitorët e parë, në muzetë e qytetit të Beratit.
Muzeu Ikonografik “Onufri” dhe Muzeu Etnografik në qytetin e Beratit këtë vit e kanë nisur duke mirëpritur vizitorët e parë të vitit 2019. Ministria e Kulturës shkruan se temperaturat e ulëta nuk i kanë penguar vizitorët të shikojnë këto dy muze në qytetin e Beratit. “Temperaturat e ulëta të ditëve të para të janarit nuk i kanë ndalur turistët të vizitojnë vendet tona të trashëgimisë kulturore që tashmë janë kthyer në atraksione mjaft të pëlqyera”, shkruan ministria.
Viti që lamë pas shënoi rreth 60 000 vizitorë në muzetë e Qendrës Kombëtare të Muzeve në Berat. Muzeu Etnografik është krijuar në vitin 1979 në një banesë me arkitekturë karakteristike beratase. Periudha e ndërtimit i përket shekullit XVIII. Banesa është pjesë e krijimtarisë popullore, ideuar dhe ndërtuar nga mjeshtrit vendas. Ky muze ka një fond të pasur me rreth 1200 objekte. Muzeu Kombëtar “Onufri” në Berat, është përshtatur në ambientet e Kishës “Fjetja e Shën Mërisë”, në kalanë e Beratit, që prej 27 shkurtit të vitit 1986. Koleksioni i muzeut përbëhet nga 173 objekte të përzgjedhura nga një fond prej më se 1500 objektesh që i takojnë fondeve të kishave dhe manastireve të Shqipërisë. Muzeu Kombëtar “Onufri”, gjendet në qendër të lagjes së banuar në kalanë mesjetare të qytetit të Beratit. Ky muze mban emrin e piktorit më të shquar shqiptarë të shek. të XVI, Onufrit, i cili ka lënë një fond mjaft të pasur në krijimtarinë ikonografike.
Kompleksi muzeal përbëhet nga salla qendrore e kishës, mjedisi i altarit, si edhe nga një sërë mjedisesh ndihmëse njëkatëshe, në anën veriore, dhe dykatëshe, në anën perëndimore. Ndërtimi shquhet për ngritje në lartësi, duke përbërë një variant të rëndësishëm të arkitekturës së kultit në kalimin nga shek. i XVIII- në shek. XIX. Muzeu ka tri salla kryesore, në të cilat janë të ekspozuara veprat më të mira të autorëve që përmendëm më lart si edhe të autorëve të tjerë. Veç ikonave të ekspozuara në mjediset e muzeut, një seri të veçantë përfaqësojnë edhe ikonat e vendosura në ikonostasin e praruar të kishës të cilat janë vepra të piktorit Joan Çetri. Në vitrina janë të ekspozuara edhe disa tekstile dhe objekte metalike, të cilat dëshmojnë për një traditë artizanale të një niveli të lartë të trevës së Beratit.