Vjedhja plot SHKËLQIM në emër të FUSHËS. –

Nga Andi Bushati

Pas votimit të deputetëve socialistë me 75 vota, Edi Rama tregoi se është i vendosur ti shkojë deri në fund aferës së teatrit që  i “dhuron” 200 milionë euro Shkëlqim Demir Fushës. Përtej debatit “ligjor” se si veprohet me një dekret të kthyer prej presidentit,  e rëndësishme është se, PS miratoi në sesionin e shkuar të kuvendit një ligj special që i jepte Fushës me emër personal ndërtimin e 6 rrokaqejve (vetëm sepse kishte 300 m2 merrte 8 mijë m2 tokë publike), ndërsa sot votoi disa ndryshime kozmetike që përsëri ia falin këtij personi këtë biznes marramendës.

E thënë shkurt dhe shqip, kjo është një tallje me direktivat e ardhura nga Brukseli, me kthimin e ligjit nga presidenti dhe para së gjithash me publikun shqiptar të cilit i thuhet hapur: ne mund të të vjedhim dhe pa garë, por ne mund të bëjmë edhe sikur dhe të të vjedhim edhe duke organizuar një konkurim fallco.

Pra, në këtë pikë, diskutimi nuk është më: a kemi të bëjmë apo jo me një grabitje të organizuar nga Rama dhe Fusha. Kjo tashmë është e qartë për çdo kënd që nuk e quan veten idiot. Tani problemi është si duhet reaguar ndaj banditëve që përdhunojnë në mes të ditës pa pasur nevojë të vënë as maskë në fytyrë?

Dhe këtu automatikisht problemi shkon tek opozita parlamentare. A ka më kuptim ajo të qëndrojë brenda këtij sistemi, kur Edi Rama i ka kthyer të gjitha institucionet në topa letrash higjenike për Shkëlqim Demir Fushën?  A ka më logjikë që PD të vazhdojë të paraqitet në Këshillin Bashkiak të Tiranës, kur këtë institiucion e zhveshën nga e drejta kushtetuese për të vendosur mbi tjetërsimin e një prone që mund ta bëjë vetëm ai? A ka më sens që Monika të shkojë e të ulet në parlament, kur aty, dekretin e burrit që mban në krevat e trajtojnë si leckë? Në fund të fundit, a ka më vlerë, që edhe PD edhe LSI-së të vazhdojnë të sillen legalisht, edhe pasi ua kanë lidhur duart e s’kanë ku të ankohen për këto krime, sepse prej kohësh Rama e ka lënë vendin pa gjykatë kushtetuese?

Natyrisht që jo. Afera e teatrit është pika që e derdhi kupën. Pas kësaj grabitjeje plot shkëlqim, opozita parlamentare i ka dhënë fund misionit për të treguar se Rilindja është në ato zyra vetëm për të vjedhur. Tani ajo është vënë përpara një detyrimi tjetër: Ti vërë shkelmin këtij sistemi ku po përdoret vetëm si fasadë. Të braktisi gjithçka dhe ta bëjë lufën  nga jashtë, për të mos shërbyer dot më as si alibi.

Në një nga tubimet e fundit, ku dëshpërimisht po bëheshin përpjekjet e mbrame për shpëtimin e teatrit, intelektuali, shkrimtari dhe studiuesi Aurel Plasari bëri një diferencim të qartë mes asaj që ai e quajti “Opozita e paguar” dhe asaj që e etiketoi si “opozita pa pagesë”, ku bëjnë pjesë të gjithë atë që janë kundër kësaj qeverie, por nuk e bëjnë këtë gjë si obligim ndaj borderosë ku firmosin çdo fund muaji.

Tani pasi gjëma flagrante ndodhi, pasi vjedhja vezulluese u krye ditën për diell, opozitës së paguar i lind detyrimi të bëhet njësh me simotrën e saj. Vetëm kjo është rruga për të dëshmuar atë që ulëret më kot lart e poshtë se “ne dhe Rama nuk jemi njësoj”. Vetëm kështu mund ta lërë Ramën “pa ndërmjetës” përballë shqiptarëve dhe të hapi rrugën për zgjidhje të ndryshme.

Vjedhja brutale e Edit dhe Shkëlqimit i vuri kapakun gjithçakaje. Ajo e vuri edhe opozitën përpara dilemës së pakthyeshme: a do të luftojë për t’i Hapur sytë njerzve, apo do të jetë thjeshtë një mjet për verbimin e tyre.

Lapsi.al