Vjosa Osmani uron: – Flamuri kuq e zi na bashkon
28 Nentor 2023
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka uruar të gjithë shqiptarët për 111 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë.
Përmes një postimi në Facebook Osmani shkroi se ditën e pavarësisë së Shqipërisë, ditëlindjen e komandantit legjendar Adem Jashari dhe daljen e parë publike të UÇK-së, i bashkon flamuri kuq e zi dhe data 28 nëntor.
Osmani shkroi se flamuri kombëtar është trashëgimi e përjetësuar në simbol që nga viti 1443 në Krujë, 1912 në Vlorë dhe 1999 në Prishtinë.
Presidentja gjithashtu uroi edhe institucionet e Kosovës në 111 vjetorin e pavarësisë, duke thënë se Kosova do të jetë gjithnjë në krah të Shqipërisë, duke thelluar më tej lidhjet ndërshtetërore, sikurse edhe ato ndërmjet motrave e vëllezërve.
Postimi i Plotë:
Ditën e pavarësisë së Shqipërisë, ditëlindjen e komandantit legjendar Adem Jashari dhe daljen e parë publike të UÇK-së, i bashkon flamuri kuq e zi dhe data 28 nëntor.
Flamuri ynë kombëtar është trashëgimi e përjetësuar në simbol që nga viti 1443 në Krujë, 1912 në Vlorë dhe 1999 në Prishtinë.
Kjo ditë është dedikim për heronjtë tanë që prej Gjergj Kastriotit, Ismajl Qemajlit, Hasan Prishtinës, Isa Boletinit e deri te Adem Jashari, vepra e të cilëve është vula e shtetit të Shqipërisë dhe atij të Kosovës.
Republikës së Shqipërisë ia përcjell urimet më të ngrohta të qytetarëve dhe të institucioneve të Kosovës në këtë 111 vjetor. Kosova do të jetë gjithnjë në krah të Shqipërisë, duke thelluar më tej lidhjet ndërshtetërore, sikurse edhe ato ndërmjet motrave e vëllezërve!
Gëzuar të gjithëve!