Kumbullat e zeza konsiderohen si një ndër thesaret më të ëmbla të Tropojës. Është e vështirë t’i gjesh ato në ndonjë zonë të Shqipërisë apo vende të Ballkanit. Ky frut në Shqipëri rritet kryesisht në Tropojë. Kumbulla e zezë njihet për cilësinë dhe shijen e mirë. Fruti që e bën Tropojën krenare përdoret për prodhimin e rakisë, reçelit dhe kompostos.

Së fundmi, sipërfaqet e mbjella me kumbullën e zezë po zgjerohen gjithnjë e më shumë, si rrjedhojë e kërkesës së lartë nga tregjet Evropiane.

Kumbullat e Tropojës janë një varietet i kumbullës Prunus Domestica që është rritur në trojet verilindore të Tropojës që në fillim të shekullit të 16-të. Ky frut ka qenë dhe mbetet një pjesë domethënëse e stilit të jetesës dhe mirëqenies së shumë familjeve të zonës të cilët edhe sot e përdorin frutin për përgatitjen e reçelit, hoshafit, kompostos apo rakisë.

Tradicionalisht, kumbullat e zeza të Tropojës shiten pasi thahen në diell ose në furrat tradicionale të drurit me dy ndasi, një për zjarrin dhe një për kumbullat, një teknikë që konsiderohet vepër arti dhe një karakteristikë e zonës së Tropojës. Megjithatë, janë të paktë ata njerëz që vazhdojnë t’i përpunojnë kumbullat në këtë mënyrë dhe kjo teknikë është në rrezik zhdukjeje.

Në krahasim me kultivarët e tjerë, kumbullat e zeza të Tropojës kanë 20 përqind më shumë sheqer, tul më të ngjeshur dhe rezistencë më të lartë ndaj insekteve. Varieteti i kumbullës së Tropojës ofron vlera të jashtëzakonshme kuruese dhe kompostoja e përgatitur prej tyre besohet të jetë një kurë e shkëlqyer për sëmundjet e rrugëve të frymëmarrjes.

Kjo kumbull është burimi kryesor i të ardhurave për të paktën 140 prodhues të vegjël dhe të mesëm dhe 600 deri në 800 punëtorë të përkohshëm, që angazhohen gjatë stinës së vjeljes së kumbullave.

Vlera e kumbullës në treg është e lartë dhe volumi i shitjeve është rritur ndjeshëm gjatë viteve të fundit nga 431 në 1,600 ton.

 

Vlerat më të mira të kumbullës së zezë të Tropojës

Antioksidantët: Kumbullat përmbajnë vitaminë C dhe fitoushqyes siç janë luteina, kriptoksanthina, zeaksanthina, acidi neoklorogenik dhe ai klorogenik.

Diabeti: Kumbullat kanë ndikim të lartë kundër hiperglicemisë dhe ndihmojnë në mposhtjen e diabetit.

Tretja: Kumbullat janë një burim i mirë fibre dietike, dhe përbërësve të tjerë si sorbitoli dhe isatina që ndihmon në rregullimin e sistemit tretës.

Shëndeti kardiovaskular: Konsumi i kumbullave ndihmon në mirëmbajtjen e shëndetit kardiovaskular.

Sistemi imunitar: Kumbullat janë të mira në forcimin e sistemit imunitar falë përmbajtjes së lartë të vitaminës C.

Kolesteroli: Kumbullat e thata ndihmojnë në parandalimin e hiperkolesterolemisë dhe hiperlipidemisë.

Kujdesi për lëkurën: Kumbullat janë të pasura me vitaminë C dhe antioksidantë që ndihmojnë në paraqitjen e shëndetshme, rinore dhe plot dritë të lëkurës.

Nga: AgroWeb.org