Vlonjatët “mbyllen” në shtëpi, nga Kosova për të mbrojtur Sheshin e Flamurit: S’ka politikan që e zhduk, ka maskarenj që e shëmtojnë
Vlonjatët “mbyllen” në shtëpi, nga Kosova për të mbrojtur Sheshin e Flamurit: S’ka politikan që e zhduk, ka maskarenj që e shëmtojnë
Nga Edi Ruçi
7 Prill 2022
Shoqëria civile u vu në aksion edhe këtë të enjte në mbrojtje të sheshit të Flamurit në Vlorë.
Protesta e dytë e thirrur përmes rrjeteve sociale kësaj here zgjeroi pjesëmarrjen e qytetarëve përtej Vlorës.
Në shesh u mblodhën qytetarë nga Tirana, Berati, Shkodra, Lezha deri edhe nga Kosova.
Arsyeja pse protestojnë është projekti i rioonstruksionit total të sheshit të Flamurit që sipas protestuesve humbet identitetin kombëtar.
Monumeti i sheshit të Flamurit sipas tyre është vendosur në të njëjtën lartësi si të gjithë monumentet e tjera kur duhet të ishte më i lartësuar.
Kundërshtimi më i madh është heqja e katër topave nga sheshi që simbolizojnë bashkimin e katër vilajeteve shqiptare të ndërtuara gjatë regjimit fashist në Shqipëri.
Ky simbol është zëvendësuar me një stacion autobusi. Katër topat nuk dihet ku do të vendosen, nuk ka transparencë për projektin, çfarë do të bëhet me të dhe kur do të përfundojë.
Kundërshtime ka edhe për pallatin 15 katësh në sheshin e Flamurit, ku Rama ndryshe nga sa ishte zotuar për shembje, ka deklaruar se do të kthehet në një qendër multifunksionale.
Është një pallat i cili i zë pamjen komplet sheshit të Flamurit dhe fsheh dy muze kombëtare të qytetit të Vlorës.
“Unë vij nga Shkodra, jam mirditor. Sheshi i Flamurit është i gjithë kombit shqiptar. Është një zhgarravitje, cënim i thellë i kombit. Një synim për asimilim të monumentit të pavarësisë kombëtare.”
“Kemi dalë për sheshin e Flamurit për mbrojtjen e historisë, traditës dhe vlerave të kombit nga 1912. Unë jam nga Berati por jetoj në Tiranë. Ky projekt zbeh vlerat e sheshit të Flamurit, e ngushton dhe anekson sikur është diçka dytësore.”
“Kam ardhur këtu për të parë aktin e fundit që mund të kryhet në Shqipëri, po u luajt dhe më këtë nuk ka më ankesa. Kam menduar se do gjej 50% të Vlorës këtu. Ka hyrë në çdo qelizë kjo qeveri, kanë frikë. Po nuk kanë pse tremben se nuk do futin gjithë popullin në burg. Është një tradhti kombëtare”.
“Jam ushtrarak dhe nuk e kam zanat të vajtoj por jam i thyer në shpirt dhe zemër. Është e tmerrshme që në emër të interesave të ngushta shkatërrohen interesat kombëtare. Kemi luftuar për të çliruar një pjesë të trojeve shqiptare, Kosovën, dhe këtë shesh e kemi pasur në shpirt dhe zemër si frymëzim për të nisur dhe vazhduar luftën tonë.
Vlonjatët me krenari kanë thënë jemi të Flamurit dhe kanë rreh gjoksin për këtë fakt, sot nuk kanë ardhur, nuk janë treguar vlonjatët e Vlorës së Flamurit. Ky shesh duhet të jetë i mjaftueshëm për të gjithë shqiptarët. Qeveria e kryeministrit Rama rrit me shpejtësi territorin e varrezave greke të Këlcyrës dhe ngushton me shpejtësi sheshin e identitetit tonë kombëtar, sheshin e pavarësisë. Nuk do të zhduket sheshi i Flamurit, nuk ka fuqi politikani që mund ta zhdukë, por ka maskarenj që mund ta shëmtojnë atë si e kanë shëmtuar”.
“Nuk kemi asnjë shpresë që sheshi do rindërtohet. Jemi në atë dilemë siç ishte Ismail Qemali kur do merrte vulat në kancelaritë europiane.
Të prishësh këtë shesh prish gjithë historinë. Kryeministri tha se aty janë mbledhur foltoraxhinjtë. Jo, ne vlonjatët kemi përgjegjësi për ta ruajtur këtë shesh. Këtu duhet të ngrihen gjithë vlonjatët, kaq sa kemi mbetur. Jo kështu.”