VOA: A po e humb Perëndimi betejën me Kinën për zemrën e Serbisë?
10 Maji 2025
Vizita e presidentit kinez Xi Jinping në Serbi këtë javë nxorri në rrugë një numër të madh njerëzish që mbanin flamujt serbë dhe kinezë dhe thekson miqësinë e “çeliktë” të të dy vendeve. Në Perëndim, kjo ngriti shumë pikëpyetje për rolin e ardhshëm të Serbisë në Evropë.
Analistët thonë se ky ishte pikërisht qëllimi. Në një kohë rivaliteti global midis Pekinit dhe Uashingtonit, mesazhet që Presidenti Xi dha në Beograd dukeshin se synonin një audiencë shumë më të gjerë.
Presidenti Xi dhe presidenti serb Aleksandar Vuçiç nënshkruan një sërë marrëveshjesh dypalëshe të mërkurën. Ato u nënshkruan në 25 vjetorin e bombardimit të NATO-s ndaj ambasadës Kineze në Beograd në vitin 1999 për të ndaluar spastrimin etnik të shqiptarëve në Kosovë. Shtetet e Bashkuara kërkuan falje për këtë veprim, duke e quajtur atë “një gabim”.
David Shullman, ekspert mbi Kinën në Këshillin Atlantik me bazë në Uashington, i tha Zërit të Amerikës se mbërritja e Presidentit Xi në Beograd në këtë përvjetor kishte për qëllim dërgimin e një mesazhi më të gjerë në kontekstin e luftës në Ukrainë: se Kina nuk është një “nxitëse e luftës” si Shtetet e Bashkuara dhe NATO-ja.
Mesazhet kineze, tha zoti Shullman, “përsërisin mesazhet e Rusisë për luftën në Ukrainë, se nuk duhet fajësuar Rusia, por Shtetet e Bashkuara dhe NATO-ja për ‘ndezjen e flakëve’ të luftës, për vazhdimin e mbështetjes për ukrainasit dhe se Kina është ajo që nxit paqen dhe stabilitetin.
“Ekziston një bindje në sistemin kinez se kjo është një pikë me rëndësi që lidh Kinën dhe Serbinë. Kjo përshtatet edhe me mesazhin që Kina ka dhënë për NATO-n dhe Shtetet e Bashkuara”.
Presidenti i Kinës iu referua bombardimit të ambasadës kineze në një shkrim të tij të martën të botuar në gazetën pro-qeveritare të Serbisë Politika: “Populli i Kinës e vlerëson paqen, por ata kurrë nuk do të lejojnë që një tragjedi e tillë historike të ndodhë përsëri”, shkroi ai.
Paul McCarthy, drejtor për Evropën në Institutin Ndërkombëtar Republikan në Uashington, bie dakord se koha e vizitës së Presidentit Xi nuk ishte një rastësi.
“Unë mendoj se e gjithë vizita e Presidentit Xi në Evropë u organizua rreth 25 vjetorit të bombardimeve të NATO-s”, thotë ai. “Kjo ishte një mundësi e rëndësishme që kinezët të mos e humbisnin dhe që thekson pozicionin e Serbisë dhe mosmarrëveshjen strategjike me Perëndimin prej 25 vjetësh.
Presidentët Xi dhe Vuçiç nënshkruan një deklaratë për “të ardhmen e përbashkët” të të dy vendeve, të cilën presidenti serb e përshkroi si një nivel mbi Partneritetin Strategjik Gjithëpërfshirës për të cilën të dy vendet ranë dakord në vitin 2016.
Sipas analistit të Këshillit Atlantik, Shullman – Presidenti Xi ka përdorur shpesh fjalinë “e ardhmja e përbashkët” për të treguar se ai dëshiron një ekuilibër të ri të fuqisë në botë.
“Historia e kësaj të ardhmeje të përbashkët është se Kina dëshiron të krijojë një rend global që është më pak i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara, që është shumëpolar, një rend ndërkombëtar më ‘demokratik’ – siç shprehen kinezët”, tha ai.
“Në thelb, është një rend botëror që nuk udhëhiqet më nga Shtetet e Bashkuara dhe në të cilin Kina luan një rol më domethënës”, thotë Shullman.
Ai shton: “Fakti që flitet për Serbinë si vendi i parë evropian që do të jetë pjesë e këtij komuniteti dhe ‘të ardhmen e përbashkët’, kjo tregon se për udhëheqësit kinezë, veçanërisht Presidentin Xi, Serbia ka një rëndësi të madhe … si partner ekonomik dhe si një vend kandidat për në BE”.
Për më tepër, vizita e Presidentit Xi në Serbi i tregoi Uashingtonit se Kina ka partnerë të besueshëm në Evropë dhe se Shtetet e Bashkuara “nuk do të jenë në gjendje ta mbajnë Evropën në tërësi në anën e saj”.
Kina zotëron miniera dhe fabrika në të gjithë Serbinë dhe ka ofruar financime me vlerë prej miliarda dollarësh për rrugë, ura dhe objekte të ndryshme, duke u bërë partneri kryesor i Serbisë në zhvillimin e infrastrukturës shumë të nevojshme.
Megjithatë, disa ekspertë thonë se e ardhmja e bashkëpunimit midis Beogradit dhe Pekinit është e pasigurt, duke pasur parasysh marrëdhëniet e ndërlikuara midis Shteteve të Bashkuara dhe Kinës.
Vuk Vuksanoviç, studiues në Qendrën e Beogradit për Politikat e Sigurisë, i tha Zërit të Amerikës se zgjerimi i bashkëpunimit midis Serbisë dhe Kinës nga një partneritet strategjik në nivelin e “ndërtimit të një komuniteti të Serbisë dhe Kinës me një të ardhme të përbashkët” është pak më shumë se një lojë diplomatike që i përshtatet të dyja qeverive momentalisht.
Ai shtoi se marrëdhënia e ardhshme varet shumë më tepër nga Pekini sesa nga Beogradi.
“Marrëveshja e mëparshme e partneritetit strategjik ishte një deklaratë e përbashkët e vitit 2009 që kishte retorikë të ngrohtë, por në fakt nuk solli ndonjë transformim monumental të marrëdhënieve”, tha ai.
“Kështu ishte deri në kohën kur Kina tregoi interes më të madh për Ballkanin për shkak të Iniciativës “Një brez, një rrugë”, një strategji masive e zhvillimit të infrastrukturës globale e udhëhequr nga Kina. Unë mendoj se pyetja kryesore për Shtetet e Bashkuara do të jetë nëse ky bashkëpunim do të përfshijë ndonjë projekt madhor në fushën e mbrojtjes dhe teknologjisë së lartë”.
McCarthy nga Instituti Republikan Ndërkombëtar thotë se është e paqartë se si marrëveshjet midis Serbisë dhe Kinës dhe planet për një “të ardhme të përbashkët” do të ndikojnë në marrëdhëniet e Serbisë me Perëndimin.
Megjithatë, vë në dukje ai, një marrëveshje e tregtisë së lirë midis Kinës dhe Serbisë që hyn në fuqi në korrik “e kthen Serbinë më shumë drejt Lindjes”, duke ngritur pyetjen se “sa serioze është Serbia në rrugën e saj evropiane”.
Ai shton se “nga këndvështrimi i Uashingtonit, ata mund të ndihen sikur po humbasin betejën për zemrën e Serbisë”./voa
*Ky artikull u botua së pari nga Shërbimi Serb i Zërit të Amerikës, nga gazetarët Dino Jahiç, Marko Protiç dhe Stefan Miljus.