VOA: Shqipëri, anketim mbi zgjedhjet: – Presion administratës publike dhe keqpërdorim i përhapur i burimeve shtetërore
7 Dhjetor 2024
Një studim i Organizatës Qëndresa Qytetare ka zbuluar shqetësime të thella për keqpërdorimin e burimeve shtetërore gjatë fushatave zgjedhore në Shqipëri. Shumica e qytetarëve të anketuar (84.5%) besojnë se përdorimi i këtyre burimeve ndikon ndjeshëm në rezultatet e zgjedhjeve dhe e konsiderojnë atë si të padrejtë dhe të keqpërdorueshëm.
Në Shqipëri, keqpërdorimi i burimeve shtetërorë për qëllime zgjedhore cilësohet nga veprimtarët si një shqetësim kryesor për demokracinë e vendit. Nga studimi i opinionit publik në 6 qytetet më të mëdha doli se shumica dërrmuese mendojnë që ky përdorim i burimeve shtetërore është i padrejtë dhe ndikon në rezultatet e zgjedhjeve. Një e katërta e qytetarëve të anketuar ndryshuan votën e tyre ose abstenuan për shkak të presioneve nga administrata publike.
Studimi i Organizatës Qëndresa Qytetare zbuloi një perceptim të përhapur mbi keqpërdorimin e burimeve shtetërore për qëllime zgjedhore, ku një shumicë dërrmuese (84.5%) e pjesëmarrësve u shprehën se përdorimi i burimeve shtetërore ndikon ndjeshëm në rezultatet e zgjedhjeve dhe shumica e tyre (66%), e cilësojnë këtë sjellje si të padrejtë dhe të keqpërdoruese.
Më shumë se dy të tretat e të anketuarve (78%) pohuan se zyrtarët publikë përdorin burimet shtetërore për qëllime elektorale, më shumë se gjysma e tyre (57%) theksuan angazhimin e nëpunësve civilë në fushata zgjedhore, si dhe (50-55%) vërejtën përdorimin e fondeve publike, të objekteve dhe infrastrukturës publike për veprimtari të fushatave zgjedhore.
Drejtuesi i organizatës Qëndresa Qytetare, Migen Qiraxhi, thotë për Zërin e Amerikës se “edhe ky studim tregoi që në Shqipëri janë shkelur dhe janë përherë e më të paqarta kufijtë mes partisë dhe shtetit sidomos në fushata zgjedhore, dhe që administrata përdoret rëndom në zgjedhje për të mbajtur pushtetin nën presionin e mbajtjes së vendit të punës, ndaj mbetet të forcohen monitorimi dhe masat për të frenuar këtë dukuri shqetësuese për demokracinë”.
Anketa u shtri në 6 qytetet më të mëdha; Tiranë, Durrës, Vlorë, Shkodër, Fier, Elbasan me banorë mbi 80 për qind të moshave 18-60 vjeç dhe afro 17 për qind mbi 60 vjeç.
Më shumë se një e treta e qytetarëve të anketuar për këtë studim (36%), pohuan se kanë qenë nën presion për të mbështetur një kandidat ose parti, madje një e katërta (25%) e të anketuarve thanë se kanë ndryshuar votën e tyre ose kanë abstenuar nga votimi për shkak të presioneve nga administrata publike.
Anketimi zbuloi se afro 67 për qind e qytetarëve kanë përjetuar ose dëgjuar raste ku punonjësit publikë janë detyruar të shfaqin mbështetje politike gjatë orarit të punës, nga presioni për të marrë pjesë në veprimtari fushatë zgjedhore (49%), kërcënime për humbjen e vendit të punës (35%), presione për të dorëzuar lista votuesish (33.5%), e deri tek presione për t’u fotografuar duke marrë pjesë në aktivitete elektorale (27%).
Sipas anketës, afro një e katërta e qytetarëve (31%) deklaruan se kanë qenë dëshmitarë të përdorimit të burimeve shtetërore për qëllime zgjedhore. Ndërsa shumica dërrmuese e tyre (82%) janë pro ashpërsimit të masave ndëshkuese për të parandaluar përdorimin e burimeve shtetërore gjatë proceseve zgjedhore.
Përdorimi i burimeve shtetërore dhe administratës publike gjatë fushatave zgjedhore është një ndër vërejtjet kryesore dhe më të shpeshta të vëzhguesve vendas dhe të huaj, ndërsa masat për frenimin e saj cilësohen si të pamjaftueshme.