4 Shkurt 2025

Në shkrimin “Një çerek milion vota që kanë futur në ankth Tiranën politike” analisti Skënder Minxhozi thotë se vota e diasporës u ka dalë nga kontrolli dhe nga parashikimet partive të mëdha.

“Sipas ekspertëve të zgjedhjeve në Tiranë, pritet që shifra e atyre që do të marrin dritën jeshile për të votuar nga jashtë vendit, do të shkojë afër numrit magjik 200 mijë, ose edhe mund ta kalojë këtë barrierë të pamenduar kur nisi procesi. Sipas specialistëve, kjo shifër e madhe pjesëmarrjeje ka qenë thjesht e paparashikuar kur nisi procesi i regjistrimit 22 ditë më parë, në 11 janar. Ata shprehen se pritshmëria ishte për jo më shumë se 50-60 mijë votues të aprovuar deri në 4 mars, kur është afati i fundit i regjistrimit” – shkruan Minxhozi dhe shton:

“Një skenar elektoral me mbi 200 vota të reja prurje nga jashtë vendit, është i komplikuar për t’u analizuar sipas qarqeve dhe sipas shpërndarjes së 140 mandateve parlamentare. Databaza e KQZ na tregon se 27 mijë vota të ardhura nga diaspora deri tani në Tiranë, përbëjnë një premisë të mjaftueshme që vota e shqiptarëve jashtë vendit të jetë përcaktuese për ndarjen finale të 37 mandateve në kryeqytet. Në qarqet më të vogla, disa mijëra vota të shqiptarëve jashtë vendit do të jenë edhe më përcaktuese sesa në “kazanin” e madh elektoral të Tiranës

Në vitin 2021 në Berat fjala vjen, mandati i pestë për PS u nda me 77 vota. Dhjetë mijë votues nga diaspora janë regjistruar deri tani në qytetin e një mbi një dritareve, çka e fut në një realitet të ri shifror garën, të paktën në një pjesë të saj. Kjo pritet të ndodhë kudo.

Nuk është e rastit se kjo peshë e papritur që ka marrë vota e diasporës, ka zgjuar të gjitha strukturat e partive kryesore. Të gjithë krerët kryesorë të pozitës dhe opozitës, pa harruar partitë e reja, kanë lënë makinat e kanë marrë avionët. Ka një “mësymje” të vërtetë të politikës shqiptare në qendrat e mëdha urbane të Greqisë, Italisë, Gjermanisë e Britanisë, për të joshur një votues i cili përbën parimisht një objekt të padeshifrueshëm për politikën e Tiranës në 11 maj.

“Në këtë përballje të parë me votuesit nga diaspora, secila palë politike vjen me rezerva dhe mosbesim. Së pari vështirë se e kishin pritur kaq të shumtë në numër. Së dyti, ky grup votuesish del nga hija e influencës e partive të mëdha në Tiranë, të cilat janë mësuar që zgjedhësit t’i kenë fizikisht në Shqipëri. Qasja në distancë është në vetvete problematike. Për këtë arsye ndoshta edhe vota e emigracionit është shtyrë për 30 e kusur vite!

Që 200 mijë votues të mos jenë të influencueshëm me medotat klasike të joshjes, presionit apo edhe blerjes në 11 maj, kjo përbën një hije të errët tejet të rrezikshme në planet elektorale të partive politike” – shkruan Minxhozi.

Gazeta Dita