Votimet Lokale Moniste të PS, KiE zbarkon në Tiranë
Votimet Lokale Moniste të PS, KiE zbarkon në Tiranë
Këshilli i Europës ka dërguar në Tiranë delegacionin e nivelit më të lartë të Kongresit të Autoriteteve Lokale. Misioni faktmbledhës ka qëllim kryesor të vizitës pikërisht situatën në Shqipëri pas zgjedhjeve lokale moniste të 30 qershorit. Për t’u njohur me çfarë ka ndodhur në Shqipëri kanë mbërritur presidenti i Kongresit të Autoriteteve Lokale, Anders Knape, presidentët e dy dhomave të Autoriteteve Lokale, Xavier Cadoret e Gunn Marit Helgesen, si dhe Sekretari i Përgjithshëm i këtij institucioni Andreas Kiefer. Praktikisht, gjithë udhëheqja e Këshillit të Europës që ka lidhje me demokracinë vendore dhe çështjet e pushtetit vendor ndodhet në Shqipëri. Kjo është hera e parë që institucionet më të rëndësishme të KiE vënë në lëvizje për Shqipërinë në një nivel kaq të lartë. Vizita vjen pak muaj pasi kreu i shtetit, Ilir Meta vizitoi Strasburgun dhe diskutoi me drejtuesit e KiE dhe autoriteteve vendore për situatën në Shqipëri, pas 30 qershorit.
Misioni është faktmbledhës dhe përfaqësuesit e KiE do të njihen nga afër, duke dëgjuar të gjitha palët me atë që ndodhi më 30 qershor në Shqipëri. Kur PS-ja vendosi të hyjë në zgjedhje të tipit monist vetëm me kandidatët e saj, përfaqësuesit e këtij institucioni ishin të vetmit në rang ndërkombëtar që nuk pranuan të monitoronin procesin. Pra, KiE që në fillim e konsideroi 30 qershorin një farsë që nuk duhet marrë në konsideratë. Ndërkohë pas 30 qershorit, një tjetër zhvillim ka tërhequr vëmendjen e autoriteteve ndërkombëtare. Edhe pse zgjedhjet ishin me një kandidat, edhe pse fituesit diheshin që në fillim, edhe pse realisht nuk pati garë, “fituesit” e PS po rezultojnë në masë me precedentë penalë. 6 emra janë denoncuar me prova nga opozita, ndërsa shumë të tjerë pritet të dalin në ditët në vijim. Fakti që në krye të pushtetit vendor ka kryetarë të paligjshëm dhe për më tepër dhe me rekorde kriminale, e ka kthyer Shqipërinë një rast të jashtëzakonshëm në sytë e ndërkombëtarëve. Autonomia vendore, demokracia lokale dhe e drejta e qytetarëve për të pasur pushtet vendor me standarde janë disa nga marrëveshjet ndërkombëtare që ka firmosur Shqipëria. Nëse sheh hartën e pushtetit vendor në vend dhe mënyrën sesi këta kryebashkiakë kanë marrë mandatin, rezulton se Shqipëria ka shkelur të gjitha konventat ndërkombëtare që ka nënshkruar. Sepse realisht nuk ka më pushtet vendor, por disa njerëz të emëruar nga pushteti qendror i qeverisë, por edhe këta me precedentë penalë. Delegacioni i nivelit të lartë të KiE-së zhvilloi dje takime të veçanta me Presidentin Ilir Meta, kreun e opozitës, Lulzim Basha dhe sekretarin e PS, Taulant Balla. Në axhendë drejtuesit e Kongresit të Autoriteteve Vendore kanë planifikuar dhe një takim me kreun e qeverisë, Edi Rama. Deri dje në mbrëmje, kreu i qeverisë nuk e ka konfirmuar se do të ishte i gatshëm të priste përfaqësuesit e Strasburgut.
Pas takimit, Taulant Balla tha se situata me pushtetin vendor ishte normale dhe u kujdes të theksonte se “nuk ka zgjedhje të parakohshme”. Ndërkohë që dihet se paligjshmërinë e votimeve moniste të 30 qershorit mund t’a rregullojnë vetëm zgjedhjet e parakohshme. PS-ja jo vetëm që e ka çuar vendin në krizë dhe ka futur në kolaps pushtetin vendor dhe gjithë shtetin, por as nuk e pranon se nën drejtimin e saj, Shqipëria ka hyrë në listën e vendeve me krizë politike të paprecedentë dhe që rrezikon të dëmtojë në mënyrë për pakthyeshme. Ndërsa PS-ja sillet sikur drejton një vend normal, Presidenti Ilir Meta në takimin e përfaqësuesit e KiE ka folur qartë se Shqipëria ndodhet në një krizë sui generis përfaqësimi, dhe në ç’eikulibër të plotë të mekanizmave të kontrollit dhe balancës. “Votimet njëpartiake të 30 qershorit nuk i dhanë zgjidhje krizës, por cenuan rëndë edhe demokracinë vendore, duke e zhytur më shumë vendin në rrugën e paligjshmërisë dhe kapjes së shtetit”, – është shprehur kreu i shtetit. Votimet moniste të PS nuk mund të mbrohen as më heshtjen e një pjesë të ndërkombëtarëve dhe as duke fajësuar opozitën për bojkotin. Procesi i paligjshëm mund të rregullohet vetëm më zgjedhje të reja të rregullta duke rikthyer edhe njëherë institucionin e votës demokratike në vend.
M.Xh. Gazeta Koha e Jone