Votuan ndryshimin e Kushtetutës së Shqipërisë. – Këta janë deputetët e “opozitës së re” që zhgënjyen në zgjedhje. – Disa nuk morën as votat e familjarëve
29 prill 2021
Në Parlamentin e Shqipërisë nuk do të jetë më as deputeti i cili hyri aksidentalisht në Parlament pas djegies së mandateve të opozitës, Kujtim Gjuzi. I renditur i pari në Durrës në koalicion me disa parti të vogla, Gjuzi ka marrë vetëm 3 vota preferenciale. Koalicioni në tërësi ka marrë vetëm 88 vota atje.
Ndryshe nga Durrësi, në Tiranë ky koalicion ka marrë pak më shumë vota (419 të tilla). Në listën e kryeqytetit ishte vendosur dy deputetët gjithashtu qesharakë për fjalimet e tyre, Kostaq Papa, i cili mbahet mend për batutat për femrat në Parlamentin e Shqipërisë si dhe Selami Jenishehri, i cili binte në sy më shumë për lyerjet e shpeshta të flokëve. I thyer në moshë, ai shpesh nuk e dinte se çfarë ndodhte në Parlamentin e Shqipërisë.
Megjithëse përfaqëson partinë e pensionistëve, ku në vendin tonë janë rreth 600 mijë të tillë, Jenishehri ka siguruar vetëm 11 vota, kundrejt 10 votave që ka fituar i pari në listë, Kostaq Papa.
Jashtë Parlamentit kanë mbetur edhe emra të tjerë të të ashtuquajturës opozita e re në Parlament.
Dy prej tyre, Halit Valteri dhe Ylli Shehu i kanë dhënë fund ëndrrës për të qenë të zgjedhur në atë që quhet tempulli i një demokracie. Pasi kaluan njëri nga Partia Demokratike dhe tjetri nga LSI, ata u renditën përkatësisht i 35-ti dhe i 24-ti në Listën e Partisë Socialiste për Qarkun e Tiranës. Valteri ka siguruar 2183 vota, ndërsa Ylli Shehu 1815 vota, shumë larg mundësisë për të sfiduar kandidatët e tjerë në listën fituesve.
Në Qarkun e Fierit, jashtë Parlamentit mbeti edhe Robert Bitri, i cili mori mandatin nga LSI. Ai ka siguruar 1195 vota preferenciale.
Edhe Myslim Murrizi, një deputetët e opozitës së re, i cili nuk pranoi të digjte mandatin si kolegët e tij të Partisë Demokratike ka dështuar në qarkun e vet në Fier. Ai ka siguruar vetëm 556, ndërsa partia e krijuar rishtas prej tij, Partia Lëvizja Demokratike Shqiptare, mori vetëm 1354 vota.
Ata miratuan ndryshimet kushtetuese të vitit të shkuar që i hapën rrugë ndryshimit të sistemit zgjedhor. Kuvendi miratoi në muajin gusht me 106 vota pro ndryshimet kushtetuese për hapjen e listave me të paktën dy të tretat, ndalimin e koalicioneve, pragun kombëtar, dhe ndryshimin e zonave zgjedhore.
Gazeta Panorama