VRASËSIT ME PAGESË TË KULTURËS

Nga ARMIR SHKURTI

Një vajtim gërrnetë të pret diku në sheshin Skënderbej. Them “diku” sepse sazexhiu herë ulet para Muzeut Historik Kombëtar, herë tek cepi i ish Pallatit të Kulturës. Të njejtin avaz. Dy masa nga një kaba e famshme. Pastaj edhe një copëz nga “Laje laje kry’t si rosa”. E nëse nuk i hedh njeri qindarkën, aty e ndërpret. Më tej një ezmer me kapele feltri luan në fizarmonikë kanconeta të trishtuara italiane. Ky ka edhe foni me vete dhe një tufë fletësh reviste që kanë shkruar për të jashtë Shqipërisë. Aty te ish Pallati i Kulturës u fryjnë ca kallamave nja dy tre muzikantë të huaj. Nga veglat, repertori dhe pamja, ka të ngjarë të jenë indigjenë të Amerikës…

Nga ana tjetër e ish Pallatit të Kulturës hesht Opera, hesht Baleti, hesht edhe Ansambli i Këngëve dhe Valleve. Këta të fundi ndonjëherë mund ti gjeshë edhe nën dritaret e Sanatoriumit duke u përdorur si propagandë nga qeveria në kohë kovidi. Ndërsa operan e baletin është shumë më e vështirë ti hasësh ndokund. Edhe pse u deshën vite rikonstruksioni të sallës, aty veç një interviste të Edi Ramës ca muaj më parë, shfaqje tjetër nuk është realizuar.

Artur Bina – lexoj diku andej nga Liqeni Artificial. Kalon ky emër në një shirit elektronik ndërsa afishe sa një bojë njeriu e lart tregojnë për shfaqje teatri. Në fakt shfaqje të një viti më parë, se teatri është mbyllur. Madje edhe ndërtesa e ish Teatrit Kombëtar u rrafshua me fadroma, natën ogurzezë të 17 majit vjet… E shoh edhe një herë këtë Artur Binën në kontekstin e afisheve të vdekura.. ah! Qenka “ar(t) turbina”! Seç ka qenë një institut aty që studionte ujërat dhe hidrocentralet. Por ne institutet nuk na duhen më e sidomos kur ata zenë shumë truall, sidomos në zonat ku çmimi i apartamenteve është i majmë. Kështuqë me dy prishje ( teatrin + laboratorin) lindi pjella e re: Art (ish teatri) dhe turbina ( ish instituti që studionte rrjedhjen dhe forcën e ujit ). Pak më tutje është diga e Liqenit Artificial ku të presin violinistë të vetmuar, kitarristë, këngëtarë me orkestrim të regjistruar në CD … të gjithë që “performojnë” , mirë a keq, për ca qindarka lëmoshë!

Oh! Se desh harrova panairin virtual të librit! Edhe kjo një arritje origjinale e qeverisë për vitin 2020! Madje, në fushën e virtuales ka edhe më. Tani edhe për ISBN-në shtëpitë botuese aplikojnë virtualisht tek e famshmja e-Albania.

Ndonjë kureshtar mbase më pyet: “Po pse mo, hiç kulturë e art nuk paska ky vend”?

Si more nuk paska! Janë nja 4 – 5 kokrra që kontrollojnë krejt artin e kulturën në vend. Ngulur në televizionet e mëdha këta kokrrat zbulojnë talente ( ose edhe i mbulojnë kur talenti bën xhibla ). Këta të ngrenë në qiell, të bëjnë yllin e muajit, vitit, shekullit…ama edhe të varrosin përjetë nën hirin e harresës. Këta bëjnë shfaqjet, koncertet, llotaritë, konkurset, ahengjet qeveritare dhe ato të fushatave. Këta bëjnë gjithçka për para dhe gjithçka me para. Këta – meqë ra fjala – janë edhe vrasësit me pagesë të letërsisë e veçanërisht të poezisë. Tekstet idiote të këngëve ” ma dhe – më le” janë pjesë e shpëlarjes së trurit dhe shpirtit, ndaj dhe armik jete kanë artin e vërtetë, kulturën, mendimin, letërsinë…

Shprehjen e poetit nazist Hanns Johst “kur dëgjoj fjalën kulturë kërkoj koburen”, ia kanë veshur herë Himlerit, herë Gebëlsit, herë Geringut. Sepse në fund të fundit, ky është një ndër frontet e rëndësishme e totalitarizmit. Vrasja e kulturës. Turmat me shpirt të ngrysur i shtyn shumë më lehtë aty ku do. Ndryshe nga njerëzit me botë të pasur, me mendim, shije e kulturë. Përndryshe, njerëz me dinjitet. Me ndryshimin thelbësor që këta të fundit lahen, qethen, rruhen e veshin smoking për të vajtur në opera, balet, teatër. Që lexojnë ca faqe libri përditë, ndërkohë që të tjerë, me buzë me yndyrë mishi e gishtat me salcë kosi i bërtasin ahengxhiut në lokal: “Na kap nai muzik me kcy re”! Pastaj pështyjnë mbi 500 lekëshin, për ta bërë të ngjitshëm në ballin e gërrnetaxhiut. Këta po! Me gërrnetë i nxjerr në fushatë, me lodër e saze i çon në votim, me pipza i hargalis nën penxheretë e spitalit e me jashtëqitje e aludim për organet gjenitale i rrëzon përtokë nga të qeshurat në format e reja të edukimit, të njohura si “spektakle humori në tv”.

Pas kësaj beson se e kupton përse mes TKOB që hesht, Bibliotekës Kombëtare dhe mbetjeve të Teatrit Kombëtar i bien bjeri ti biem lloj lloj lypësash me vegla muzike nëpër duar.