Vrasja në Elbasan. Basha: Refuzojmë dhunën, por do ta mbrojmë demokracinë me çdo çmim
Vrasja në Elbasan. Basha: Refuzojmë dhunën, por do ta mbrojmë demokracinë me çdo çmim
21 PRILL 2021
Edhe pse nuk ka folur qartësisht lidhur me ngjarjen e rëndë në Elbasan ku u ekzekutua Pjerin Xhuvani, dyshohet nga truproja i Gazmend Bardhi, Lulzim Basha deklaroi nga Durrësi se PD e refuzon dhunën, por demokracia do mbrohet me çdo çmim.
Basha theksoi se nuk ka shitblerje votash që e ndal ndryshimin.
“Nuk ka forcë, bandë dhe shitblerje votash të na ndalë. Ne e refuzojmë dhunën, por ne do ta mbrojmë demokracinë me çdo çmim. Fitorja ka zbritur në zemrat tuaja,” deklaroi Basha.
Basha tha se një pyetje do të marrë përgjigje më 25 prill: “A do durojë Durrësi dhe 4 vite të tjera pas 8 vitesh të njeriut që nuk bëri asgjë, nuk mbajti asnjë premtim, që qeveris Durrësin me banda, shkel mbi intelektualët, mbi qytetarinë apo që për 8 vite me radhë ia kyçi portat Shqipërisë, duke ndalur në vend numëro aspiratën e shqiptarëve, Shqipërinë si gjithë Europa”.
“Edhe 4 vjet të tjera për atë që dështoi 8 vite me radhë. Që mashtroi dhe e bëri Durrësin një nga qytetet e emigracionit më të madh apo ndryshim? Bashkë për ndryshim. Kjo është thirrja që ushton dhe që ka bashkuar në mënyrën më të bukur, në një familje të madhe, në një komunitet zemrash që rrahin me një qëllim, t’ia kthejmë Durrësin qytetarëve. Durrësi nuk mund të jetë i oligarkëve as i bandave, ky është Durrësi juaj. Më 25 prill, durrsakët, demokratë e socialistë do ta rimarrin Durrësin, duke votuar numrin 9. Ky është Durrësi juaj, ky është vendi juaj”, deklaroi kreu i PD.
Gazeta Shqip