Vrasje me armë zjarri te “Pallati me Shigjeta”, 56-vjeçari ekzekutohet në makinë
14 Janar 2025
Një vrasje me armë zjarri është regjistruar mbrëmjen e sotme (13 Dhjetor) në Tiranë tek “Pallati me Shigjeta” në rrugën “Myrte Zeneli”.
Bëhet me dije se autori/ët kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të një automjeti me drejtues 56-vjeçarin. Mësohet se viktima është identifikuar si 56-vjeçari Bujar Nasufi.
Ndërkohë shërbimet e Policisë kanë ngritur pika kontrolli dhe po ushtrojnë kontrolle në zonë për kapjen e autorit.
Dyshohet se persona që lëviznin me motor, kanë qëlluar në drejtim të Nasufit duke e lënë të vrarë në vend.
Sipas të dhënave, autorët janë larguar me motor drejt zonës së Selitës.
Mësohet se ai së bashku me vëllain e tij ishin pronarë të një mobilerie në zonën e “Pallatit me Shigjeta”.
Dyshohet se në momentin që është qëlluar, sapo ka dalë nga biznesi teksa dëshmitarët kanë parë mjetin e viktimës të ndaluar.
Raportohet se viktima është qëlluar me 6 plumba, ndërsa besohet se ai ka qenë duke shkuar në banesën e tij, e cila ndodhet pranë vendit të ngjarjes.
Njoftimi i Policisë:
Tiranë/Informacion paraprak
Më datë 12.01.2025, rreth orës 20:40, tek “Pallati me Shigjeta” në rrugën “Myrte Zeneli”, është qëlluar me armë zjarri në drejtim të një automjeti me drejtues shtetasin B.N, rreth 56 vjeç, i cili si pasojë ka humbur jetën.
Një grup i posaçëm hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, ndodhet në vendngjarje dhe vazhdon punën për sqarimin e rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve të dyshuar.
Shërbimet e Policisë kanë ngritur pika kontrolli dhe po ushtrojnë kontrolle në zonë për kapjen e autorit. Informacion më të detajuar mbi këtë ngjarje do të japim në vijim pas veprimeve hetimore paraprake.
Gazeta Dita