8 Maji 2023

Serbia po shkon drejt ndryshimeve të mëdha, të paktën sipas mediave serbe. Mes këtyre ndryshimeve, thuhet se përfshihet edhe pas kaq shumë vitesh, dorëheqja e Aleksandër Vuçiç. Dhe këtë herë, ndryshe nga rastet e tjera, duket se nuk do të mbetet thjesht një thashethem. Pasi tabloidët raportuan të shtunën se presidenti i SNS-së, Aleksandër Vuçiç u kishte njoftuar kolegëve të tij nga partia që të përgatiteshin për aksionin e opozitës dhe se do të kishte zgjedhje për shkak të dorëheqjes së qeverisë ose presidentit, pakkush ishte gati të komentonte publikisht, lidhur me këtë informacion. Megjithatë, reagimet variojnë nga “çdo gjë është e mundur” deri tek “nuk duhen besuar”.

Tre opsionet

Sipas medieve serbe, SNS, Partia Progresive Serbe, ka zhvilluar një mbledhje të Komitetit Ekzekutiv, ku “pas një kohe të gjatë ka marrë pjesë edhe Vuçiç”. Siç ka raportuar gazeta serbe“Informer”, duke iu referuar burimeve në SNS, Vuçiç ka folur në atë seancë “për ngjarjet e fundit tragjike në Serbi dhe përgatitjet për Kuvendin e SNS më 27 maj”. Siç shkruan “Informer”, ai “përgatiti partinë për aksion opozitar për herë të parë” dhe shpalli zgjedhjet që do të mbaheshin sipas tre skenarëve të mundshëm. I pari nga këto tre variante është “pranimi i dorëheqjes së të gjithë kabinetit të Ana Brnabiç”, i dyti është “dorëheqja e përbashkët e qeverisë dhe presidentit dhe pjesëmarrja në zgjedhjet e përgjithshme në të cilat Vuçiç nuk do të mund të kandidonte për president. Varianti i tretë është “dorëheqja e presidentit”.

Tërheqja e vëmendjes

Ndonëse kjo nuk është hera e parë që Vuçiç flet për aktivitetet opozitare të progresistëve, është e paqartë se përse një informacion i tillë vjen në momente kaq tragjike për qytetarët dhe tërheq vëmendjen. Hera e fundit që mediat pranë regjimit raportuan për largimin e progresistëve në opozitë ishte në shkurt, kur u mbajt takimi i nivelit të lartë të SNS-së, kur Vuçiç tha: “Më mirë të jesh në opozitë sesa të kesh interesa partiake dhe private që drejtojnë vendin. Unë jam gati të shkoj në zgjedhje si kandidat për kryeministër, por nuk do të dorëzohem para shantazheve, as nga Perëndimi, as nga SPS, as nga të djathtët e rremë”. Në atë kohë ai ishte i pakënaqur me mbështetjen e SPS-së, por ende nuk ka shpallur zgjedhje, megjithëse opozita i kërkon dhe ai i ofron herë pas here.  Edhe, në janar, teksa vazhdonin negociatat Kosovë-Serbi, thashethemet për dorëheqjen e Vuçiçit morën “dhenë”, madje thuhej se ai kishte informuar partinë e tij për vendimin. Sipas mediave lokale, Vuçiç kishte reaguar duke thënë se nëse dikush mendon se mund ta drejtojë vendin më mirë se ai, ishte i gatshëm të dorëhiqej dhe kishte braktisur takimin. Lidhur me këtë, Anëtari i Kryesisë së Partisë Progresive Serbe, Vladimir Gjukanoviç tha asokohe se Vuçiç do të largohej nga pushteti, me dëshirën e tij, jo nga opozita, madje para përfundimit të mandatit të dytë.

Mashtrimi i serbëve

Bojan Pajtiç, profesor në Universitetin e Novi Sadit, thotë për “Danas” se të gjithë skenarët e mësipërm shërbejnë absolutisht dhe vetëm për të mashtruar publikun. “Dyshoj se dikush serioz dhe me logjikë beson se do të kishte dorëheqje”, thotë ai në pyetjen se a beson në ndonjë nga skenarët e përmendur. Siç shton ai, kjo narrative synon të ulë tensionin tek ajo pjesë e publikut që është e zemëruar dhe e vetëdijshme se regjimi është përgjegjës për krijimin e një atmosfere agresioni në shoqëri, por edhe për krijimin e pasigurisë”, thotë Pajtiç. Duke reaguar ndaj këtyre shkrimeve të tabloideve, kreu i SDS-së dhe ish-presidenti i Serbisë, Boris Tadiç, shkroi: “Edhe në ditë zie, ata nuk heqin dorë nga krijimi i tensionit në shoqëri dhe manipulimi! Fëmijët po vriten, dhuna po përshkallëzohet nga të gjitha anët dhe regjimi është i zënë duke tërhequr vëmendjen te Vuçiçi dhe duke kërkuar në mënyrë manipulative mbështetje për shkak të rënies së vlerësimeve. E turpshme!”. Serbia është kapluar nga zia, pasi brenda tre ditëve ndodhën dy masakra me një bilanc prej 17 viktimash dhe 26 të plagosur. Ndaj, nuk dihet se do ta ndikojnë ato politikën e vendit dhe vendimet e Vuçiç, që duket se janë përshpejtuar.

Gazeta Sot