Vuçiç mbron Millosheviçin dhe akuzon NATO-n: – Ata që sulmuan vendin tonë janë fajtorë
Vuçiç mbron Millosheviçin dhe akuzon NATO-n: – Ata që sulmuan vendin tonë janë fajtorë
23 Mars 2022
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka folur për ndërhyrjen e NATO-s mbi caqet serbe në prag të 23-vjetorit të sulmit dhe në këtë adresim, në kohë fushate, ai i ka dalë në mbrojtje të akuzuarit të Hagës për krime lufte, Slobodan Millosheviç, ndërsa e ka akuzuar NATO-n.
NATO nisi sulmin mbi caqet ushtarake serbe më 24 mars 1999, pasi Beogradi zyrtar nuk pranoi të firmosë marrëveshjen e paqes me Kosovën.
“Ne duhet të respektojmë moralin, por jo me koston e rrezikimit të popullit tonë. Millosheviçi u përball me diçka në Rambouillet që askush nuk mund ta pranonte”, tha Vuçiçi, duke shtuar se po të ishte në vend të tij do të dorëzohej pas disa ditëve. “Pas disa ditësh do ta ndaloja, do të jepja dorëheqjen apo çfarëdo tjetër, janë shumë 78 ditë” tha ai, raporton Koha.
Vuçiç që në atë kohë ishte ministër, mohon se krimet që u kryen në Kosovë ishin të vërteta.
“Sot, pas 23 vjetësh, mund të shohim se sa i tmerrshëm ishte veprimi i 19 vendeve të NATO-s. Sa budallallëk tingëllon sot kur thonë se sulmuan Serbinë për shkak të katastrofës humanitare dhe gënjeshtrave të tjera që ata bashkëprodhuan”, tha presidenti Serbisë, përcjell “B92”. “Mos harroni se edhe Rusia votoi pro sanksioneve atëherë. A është Milloseviçi fajtor? Ata që sulmuan vendin tonë janë fajtorë. NATO është fajtore”, ka deklaruar ai.
Gazeta Panorama