Vuçiç pas Samitit në Tiranë: – Sanksionet kundër Rusisë nuk përmenden në deklaratë! – Pjesëmarrësit ranë dakord që…
28 Shkurt 2024
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, tha se deklarata e rënë dakord në Samitin për Ukrainën që u mbajt në Tiranë, nuk i përmend sanksionet kundër Rusisë e as ndikimin keqdashës rus.
Kjo, sipas tij, u bë e mundur me kërkesë të Serbisë.
“Pjesëmarrësit ranë dakord që ta heqin pjesën për sanksionet dhe ndikimin keqdashës të Rusisë… Jemi informuar se kjo është pranuar. Nuk ka sanksione, nuk flitet për sanksione dhe nuk përmendet ndikimi keqdashës rus”, tha Vuçiç.
Duke folur për gazetarët pas samitit, ai tha se nuk ishte e drejtë kërkesa e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, që të mos hiqen këto pika.
“… sepse u thashë, nëse këtë e përjeton kështu një numër i madh prej jush, atëherë le t’i përfshijmë edhe disa që ne konsiderojmë se kanë ndikim keqdashës… dhe pastaj i kanë hequr”, tha Vuçiç.
“U thashë se, pavarësisht dëshirës për të ruajtur ligjin ndërkombëtar dhe miqtë ukrainas, ne nuk mund ta pranojmë këtë”, shtoi presidenti serb.
Deklarata e Samitit për Ukrainën në Tiranë nuk është bërë publike ende.
Serbia është vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor që nuk ka vendosur sanksione kundër Rusisë, pas pushtimit në shkallë të plotë të Ukrainës që ka nisur në shkurt të vitit 2022.
Beogradi zyrtar ka mbështetur vetëm disa rezoluta të Kombeve të Bashkuara, që kanë kundërshtuar pushtimin rus./REL
Nga Gazeta Sot