“Vuçiç refuzoi marrëveshjen me Prishtinën”- Qeveria e Kosovës tregon çfarë ndodhi në takimin e Brukselit: Kurti kërkoi zbatimin e asaj për të cilën është rënë dakord, pa kushte, pa vonesa
27 Tetor 2023
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se vetëm nënshkrimi i marrëveshjeve me Serbinë, garanton zbatimin e tyre.
Sipas një komunikate të Qeverisë së Kosovës, të lëshuar pas një maratonë takimesh që Kurti zhvilloi me udhëheqësit evropianë, të enjten në Bruksel, ai përsëriti se është i gatshëm ta nënshkruajë Marrëveshjen Bazë për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, por se pala tjetër nuk është.
“Presidenti i Serbisë, Vuçiç ka refuzuar të nënshkruajë marrëveshje me Kosovën dhe ka kërkuar që t’i pranohet një letër anësore, me të cilën praktikisht i zhbën tri parime të Marrëveshjes Bazë, të Aneksit të Zbatimit, si dhe të draftit të propozuar nga pesë emisarët më 21 tetor, 2023”, thuhet në komunikatë.
Komunikimi për mediat pas takimit në Bruksel me krerët e Bashkimit Evropian:
Republika e Kosovës e ka pranuar Marrëveshjen Bazike të Brukselit të 27 shkurtit 2023 dhe Aneksin Zbatues të Ohrit të 18 marsit 2023. Këto dokumente të dakorduara janë një sukses i përbashkët me Bashkimin Evropian. Marrëveshja duhet zbatuar në tërësi, pa kushte, pa vonesa.
Në takimin e sotëm, me Kancelarin e Gjermanisë, Olaf Scholz, me Presidentin e Francës, Emmanuel Macron, Kryeministren e Italisë, Giorgia Meloni, Presidentin e Këshillit Evropian, Charles Michel, zëvendës Presidentin e Komisionit Evropian dhe Përfaqësuesin e Lartë për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë, Josep Borrell, si dhe emisarin e tij, Miroslav Lajcak, Kryeministri Kurti i falënderoi të gjithë ata për rolin, angazhimin dhe kontributin për paqe dhe normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë.
Kryeministri Kurti theksoi që, pas sulmit të agresionit të 24 shtatorit, në Zveçan, prioritet për të është siguria në Kosovë, në veçanti siguria e kufirit me Serbinë, meqë nga ana tjetër erdhën paramilitarët të cilët kryen sulm terrorist e kriminal duke vrarë e plagosur policë të Kosovës. Që kjo të mos përsëritet kurrë më, nevojiten sanksione dhe ndëshkim për Serbinë.
Hetimet për grupin paramilitar e terrorist të sponzorizuar nga Serbia, duhet të përcaktojnë saktë se kush krejt çka bëri dhe si e ekzekutoi këtë akt agresioni, ndërkohë që nuk ka më dilema as te faktorët ndërkombëtarë mbi fajtorin.
Kryeministri Kurti potencoi që Kosova është kampion në sundimin e ligjit në Ballkanin Perëndimor, gjë që është konstatuar edhe nga organizata prestigjioze ndërkombëtare Ëorld Justice Project. Grupi paramilitar terrorist i Milan Radoicic dhe përgjegjësit e tjerë duhet të ekstradohen në Kosovë, ku do të kishte një gjykim të drejtë dhe fer, aq më tepër kur dihet se sistemi i drejtësisë në Kosovë dhe proceset gjyqësore monitorohen nga Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit, EULEX.
Kryeministri Kurti rikujtoi që ai ishte i gatshëm të nënshkruaj edhe në Bruksel më 27 shkurt 2023 edhe në Ohër më 18 mars 2023, edhe sonte, më 26 tetor 2023, duke theksuar që pikërisht Samiti i Këshillit Evropian në Bruksel është ngjarja e duhur, në vendin e duhur për nënshkrim të Marrëveshjes Bazike, përfshirë edhe draftin e ofruar nga BE-ja dhe ShBA-të për zbatimin e nenit 7 në ndërlidhje të nenit 10 të Marrëveshjes Bazike. Përkundër kësaj oferte gjeneroze të Kryeministrit Kurti, Presidenti i Serbisë, Vucic, ka refuzuar të nënshkruajë marrëveshje me Kosovën, dhe ka kërkuar që t’i pranohet një letër anësore me të cilën praktikisht i zhbën tri parime të Marrëveshjes Bazë, të Aneksit të Zbatimit si dhe të draftit të propozuar nga pesë emisarët me 21 tetor 2023.
Për progresin demokratik dhe ekonomik të saj, Kryeministri Kurti tha që Kosova e meriton statusin e vendit kandidat për BE, pra edhe bashkimin e pesë shteteve të mbetura të Bashkimit Evropian me shumicën prej 22 sosh, në njohjen e pavarësisë së Kosovës. Ndërkaq siguria e kufijve për Kosovën, bashkë me sigurinë kolektive në rajonin e Ballkanit Perëndimor, ngriten cilësisht nëpërmjet Marrëveshjes për Partneritet për Paqe me NATO-n drejt anëtarësimit të Kosovës në aleancën veri-atlantike.
Në fund të takimit, Kryeministri Kurti tha: Pranimi nënkupton nënshkrim, vetëm nënshkrimi nënkupton pranimin dhe garanton zbatimin.
Kosova dhe Serbia kanë arritur Marrëveshjen Bazë për normalizimin e marrëdhënieve në muajin shkurt në Bruksel, ndërsa për Aneksin e Zbatimit të saj janë dakorduar në muajin mars në Ohër.
Në asnjërin prej dokumenteve, palët nuk i kanë vendosur nënshkrimet.
Kurti tha se edhe atëkohë ka qenë i gatshëm të nënshkruajë.
Ai dhe Vuçiç u pritën të enjten në takime të ndara nga kancelari gjerman, Olaf Scholz, presidenti francez, Emmanuel Macron, kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, si dhe përfaqësues të lartë të BE-së.
Më pas, dy udhëheqësit u takuan edhe veç e veç me shefin e politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, si dhe me përfaqësuesin e posaçëm të BE-së në dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.
Takimet u cilësuan si përpjekje për të ringjallur dialogun, pas sulmit të armatosur në Banjskë
Në tryezën e diskutimeve ishte edhe zbatimi i Marrëveshjes Bazë, edhe një plan tjetër për normalizimin e marrëdhënieve që pesë të dërguar perëndimorë ua prezantuan Kosovës dhe Serbisë fundjavën e kaluar
Sipas zyrtarëve të BE-së, plani përmban një “propozim modern evropian” për statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, ndërsa nga Serbia kërkon të konfirmojë mbështetjen e saj për zbatimin e Marrëveshjes Bazë.
Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, tha se udhëheqësve të Kosovës dhe Serbisë u është kërkuar të bëjnë hapa përpara “në zbatimin e dokumenteve dhe marrëveshjeve të arritura në muajt dhe vitet e fundit”.
“Do të shohim se si do të shkojë dita dhe shpresojmë të bëjmë ndonjë hap përpara”, tha kryeministrja italiane.
Burimet nga BE-ja nuk e përjashtuan më herët mundësinë e takimit të përbashkët Kurti-Vuçiç, por një i tillë nuk ndodhi.
Ato thanë se “gjërat po ecin”, por nuk saktësuan se për çka bëhet fjalë.
Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, tha më herët se takimet e së enjtes janë vazhdimësi e procesit që filloi fundjavën e kaluar, kur e ashtuquajtura “pesëshe e madhe” e të dërguarve perëndimorë vizitoi Prishtinën dhe Beogradin.
“Ideja është që këto takime të zhvillohen në margjinat e samitit të BE-së, në mbështetje të kthimit në dialog. Mesazhi i BE-së është se presim që të dyja palët, Serbia dhe Kosova, t’iu kthehen menjëherë dhe pa pengesa detyrimeve që dalin nga dialogu, të punohet menjëherë për uljen e tensioneve dhe rifillimin e dialogut”, tha Stano.
Në një deklaratë dhënë Radios Evropa e Lirë, një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit tha se SHBA-ja vazhdon ta mbështesë dialogun midis Kosovës dhe Serbisë, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, si “rrugën e vetme për arritjen e një marrëdhënieje paqësore dhe produktive midis Kosovës dhe Serbisë”.
Ku qëndron dialogu?
Kurti dhe Vuçiç u takuan për herë të fundit më 14 shtator, por pa ndonjë përparim.
Dhjetë ditë më vonë ndodhi sulmi në Banjskë, ku grupe të armatosura serbësh sulmuan policinë e Kosovës, duke vrarë një zyrtar policor.
Gjatë përleshjeve, që nxitën shqetësime për qëndrueshmërinë në rajon, u vranë edhe tre sulmues serbë.
Duke folur për gazetën britanike, Financial Times, më 25 tetor, Kurti tha se “nëse nuk do të ketë dënime dhe sanksione ndaj Serbisë pas asaj që ka bërë, definitivisht nuk do të ketë dialog”.
Ky proces që synon normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë nisi në vitin 2011 me ndërmjetësimin e BE-së dhe mbështetjen e SHBA-së.
Palët arritën dhjetëra marrëveshje për këtë qëllim, por shumë prej tyre nuk u zbatuan kurrë.
Një nga to është edhe ajo për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.
Edhe pse ka marrëveshje nga viti 2013 për të, zyrtarët në Prishtinë thonë se e tillë siç është, do të ndikonte keq në funksionalitetin e shtetit dhe kanë dalë me disa propozime të tjera për rregullimin e çështjeve të komuniteteve pakicë.
Por, si BE-ja, ashtu edhe SHBA-ja e rritën së voni trysninë mbi Kosovën për të formuar Asociacionin.
Derisa nga SHBA-ja thonë se ai duhet të jetë plotësisht në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, për BE-në çështja se si bëhet Asociacioni dhe si do të operojë, duhet të diskutohet në dialog./ REL
Nga Gazeta Panorama