Vuçiç: – Vendimi për targat do të nisë së zbatuari më 1 shtator.- Kushte për dokumentet e Kosovës
27 Gusht 2022
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, tha se më 1 shtator do të nisë së zbatuari vendimi i Qeverisë së Kosovës për targat serbe. Ndërkaq, lidhur me vendimin për dokumentet serbe, ai kërkoi që nga ky vendim të përjashtohen serbët që jetojnë në Kosovë. Ai po ashtu tha se Beogradi mund të pranojë dokumentet e Kosovës, por për këtë ka kushte.
Gjatë një konference për media në Beograd më 27 gusht, Vuçiç tha se me Kosovën nuk u arrit zgjidhje kompromisi për këto dy tema.
“Është e qartë se nuk ka marrëveshje për targat, që do të thotë se do të fillojë së zbatuari më 1 shtator. Megjithatë, është një afat prej dy muajsh, kështu që do të shohim”, tha ai.
Sipas presidentit serb, bisedimet me palën kosovare ishin “interesante”, por “të pasuksesshme”.
Ai tha se Serbia nuk pajtohet me njohjen e ndërsjellë mes vendeve. Kjo është kërkesë e Prishtinës që dialogu i ndërmjetësuar nga BE-ja të përfundojë me njohje reciproke, por Serbia kërkon zgjidhje kompromisi.
“Harrojeni këtë dhe mos ejani në Beograd me histori të tilla sepse janë të pakuptimta”, tha Vuçiç.
“Për çështje të tjera jemi të gatshëm të bisedojmë për zgjidhje kompromisi”, shtoi ai.
Sa i përket dokumenteve për hyrje-dalje, Vuçiq tha se ato mund të lëshohen, por shtoi se për Serbinë është e rëndësishme që serbët nga Kosova që kanë dokumente serbe të mund të lëvizin dhe hyjnë e të dalin nga Kosova.
Ai tha se Serbia do të pranojë dokumentet e Kosovës, por me një kusht, që për to të ketë një shënim:
“Mundësimi i përdorimit të letërnjoftimeve të lëshuara nga ana e Prishtinës [Kosovës] bëhet ekskluzivisht për arsye praktike të lehtësimit të pozitës së qytetarëve dhe mundësimit të lirisë së lëvizjes në përputhje me Marrëveshjen për lirinë e lëvizjes që është arritur në dialog më 2011 dhe nuk mund të interpretohet si njohje e shpalljes së njëanshme të pavarësisë së Kosovës, nuk paragjykon përcaktimin e statusit përfundimtar të Kosovës dhe nuk mund të interpretohet si pëlqim i Beogradit për të devijuar nga Rezoluta 1244” e Kombeve të Bashkuara, tha Vuçiç.
“Ky është një përjashtim që ne do ta aplikojmë gjithkund”, tha Vuçiq, duke thënë se po insistohet që serbët në veri të Kosovës të mund të hyjnë në Kosovë me dokumente të Serbisë, por shtoi se për këtë gjë po pret përgjigje nga zyrtarët evropianë.
“Nëse na e konfirmojnë këtë, ne do të kemi një problem më pak. Çështja e targave është shumë më e komplikuar”, tha Vuçiç./REL/
Nga OraNews