
Vuçiçi angazhon traktorë që të mbrojë Presidencën nga protestuesit
15 Mars 2025
Një numër traktorësh janë parkuar para parkut “Pioneri” në Beograd, megjithëse nuk kanë leje për ta bërë këtë. Shumica prej tyre janë pa targa ose me targa të mbuluara, duke ngritur dyshime për qëllimin e tyre të vërtetë. Sipas medias serbe “Nova”, qeveria mund të ketë disa skenarë për përdorimin e këtyre traktorëve.
Një nga teoritë më të përfolura është se traktorët mund të shfrytëzohen për të ushtruar presion dhe për të krijuar një atmosferë frike, në mënyrë që të ndihmojnë në frenimin e pjesëmarrjes në protestë. Po ashtu, disa prej kompanive që i posedojnë këta traktorë janë takuar më herët me presidentin Aleksandër Vuçiç.
Megjithatë, nuk dihet nëse traktorët janë dërguar në Beograd me kërkesë të drejtpërdrejtë të autoriteteve. Në të njëjtën kohë, qindra traktorë janë parë të pozicionuar në disa pika të ndryshme të Beogradit, jo vetëm një ditë përpara protestës, por edhe prej disa ditësh.
Një teori tjetër është se traktorët janë vendosur strategjikisht për të bllokuar hyrjet kryesore të qytetit më 15 mars, me qëllimin për të penguar pjesëmarrësit të arrijnë në protestë.