“Vuçiçi ka sondazhe. Kjo tregon se Rama është në rrezik sepse LSI do të…”-Lubonja komenton deklaratat e presidentit serb për zgjedhjet e 25 prillit

19 prill 2021

Lubonja duke folur në emisionin “Pikat mbi I” tha se presidenti serb ka sondazhe që tregojnë se Rama është në rrezik. Sipas analistit problemi është se pritet vjedhja e votave nga Rama, dhe mbështetja e Vuçiçit dobëson reagimin ndërkombëtar ndaj Ramës.

“Prandaj Vuçiç përmend Berishën, që ka bërë disa deklarata problematike për Kancelaritë europiane. Lidhja e Bashës me Berishën bëhet për këtë. Basha është treguar më i kujdesshëm për mendimin tim. Unë mendoj se retorika e dy partive tona kur vjen puna për bashkimin është ambigue. Do bashkohemi ka thënë Rama, por në qiellin e Europës. Ka një gjuhë të dyfishtë, ndonjëherë edhe të trefishtë, për shqiptarët, europianët, dhe kosovarët. Gjëja më konkrete që ka qenë problematike, ka qenë aksioni i fundit që bëri Rama për ndryshimin e kufijve të Kosovës.

Projekti Vuçiç-Rama-Thaçi ishte një projekt amerikan, ku ka luajtur rol ardhja e Trump-it në pushtet. Mbështeti edhe në Evropë lëvizje nacionaliste. Vuçiç ka gjetur një çarje mes Europës europeiste dhe pjesës nacionaliste, Salvini, Le Pen dhe Aleanca për Gjermaninë. Kjo mbështetje që Vuçiç i jep Ramës ka peshë. Serbia është bërë aktor më i rëndësishëm në politikën ndërkombëtare. Vuçiçi ka sondazhe. Kjo tregon se Rama është në rrezik, sepse LSI do marrë më shumë se 2 për qind edhe Rama kapërcehet. Ku është problemi? Ajo që presim ne nga Rama për fat të keq është vjedhja e votës. Një mbështetje e Vuçiçit ndërkombëtarisht dobëson reagimin ndërkombëtar ndaj një Rame që vjedh votën”, tha Lubonja.

Gazeta Panorama