Vuçiçi: – Po shantazhojnë Serbinë
Vuçiçi: – Po shantazhojnë Serbinë
– 08.04.22
“Votuam nën presion!”. Pezullimi i Rusisë nga Këshilli për të Drejtat e Njeriut në OKB, flet Vuçiçi: Po shantazhojnë Serbinë.
Serbia ka dashur të abstenojë nga votimi për pezullimin e Rusisë nga Këshilli për të Drejtat e Njeriut i Kombeve të Bashkuara, por për shkak të presionit u vendos që të votohet pro rezolutës, tha presidenti serb, Aleksandar Vuçiç.
OKB-ja vendosi të enjten, më 7 prill, të pezullojë Rusinë nga Këshilli për të Drejtat e Njeriut për shkak të raportimeve për krime në territoret e pushtuara në Ukrainë.
“Vendimi ynë ka qenë që të jemi të përmbajtur, dhe pastaj ju vijnë presione të panumërta, të rënda që nuk kanë të bëjnë me anën personale. Askush nuk më ka ardhur dhe nuk më ka thënë, as më ka shantazhuar, por po shantazhojnë vendin… Thoshin ‘A e dini se sot apo nesër do të vendoset nëse do të përjashtohemi [Serbia] nga pakoja e sanksioneve [e Bashkimit Evropian] për naftën”, tha Vuçiç në një intervistë për Radio Televizionin e Serbisë (RTS) të enjten, më 7 prill.
Siç shpjegoi Vuçiç, Serbia është një vend neutral ushtarakisht, por jo politikisht.
“Serbia është në rrugën evropiane. Ne jemi një shtet neutral ushtarakisht, por nuk jemi një shtet politikisht neutral, ne jemi në rrugën evropiane”, shtoi Vuçiç.
Presidenti i Serbisë tha se kërcënimi me sanksione dhe ndalimi i rrugës evropiane po “rri pezull” mbi Serbinë, për shkak të qëndrimit të Beogradit ndaj Moskës.
“Më pëlqen Perëndimi, e dua shumë Rusinë, por Serbinë e dua më së shumti në botë”, tha Vuçiç, duke theksuar se Serbia është i vetmi vend në Evropë që nuk ka vendosur asnjë masë kufizuese ndaj Rusisë për shkak të pushtimit të Ukrainës.
Bashkimi Evropian vazhdimisht i ka bërë thirrje Serbisë që të përshtatë qëndrimet e saj me ato të bllokut evropian, sa i përket sanksioneve ndaj Moskës.
Pavarësisht se Serbia nuk i ka vendosur sanksione Rusisë, më 2 mars votoi një rezolutë të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së që dënonte pushtimin rus të Ukrainës që nisi më 24 shkurt, shkruan REL.
Asambleja e Përgjithshme e OKB, Putini barazohet me Gaddafin
Pezullimet janë të rralla. Libia u pezullua në vitin 2011 për shkak të dhunës kundër protestuesve nga forcat besnike të liderit të atëhershëm Muammar Gaddafi.
Rezoluta e miratuar nga drafti i Asamblesë së Përgjithshme prej 193 anëtarësh shpreh “shqetësim të madh për krizën e vazhdueshme të të drejtave të njeriut dhe humanitare në Ukrainë”, veçanërisht për raportet për abuzime të të drejtave nga Rusia.
Rusia kishte paralajmëruar vendet se një votë pro ose abstenim do të shihet si një “gjest jomiqësor” me pasoja për lidhjet dypalëshe, sipas një shënimi të parë nga Reuters. Lexo më shumë
Rusia ishte në vitin e dytë të mandatit tre-vjeçar në këshillin me bazë në Gjenevë, i cili nuk mund të marrë vendime ligjërisht të detyrueshme. Megjithatë, vendimet e saj dërgojnë mesazhe të rëndësishme politike dhe mund të autorizojnë hetime.
Hetim për krime lufte në Ukrainë
Muajin e kaluar këshilli hapi një hetim mbi akuzat për shkelje të të drejtave, duke përfshirë krime të mundshme lufte, në Ukrainë që nga sulmi i Rusisë.
Që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës më 24 shkurt, Asambleja e Përgjithshme ka miratuar dy rezoluta që denoncojnë Rusinë me 141 dhe 140 vota pro. Moska thotë se po kryen një “operacion special” për të çmilitarizuar Ukrainën.
Shtetet e Bashkuara njoftuan se do të kërkonin pezullimin e Rusisë pasi Ukraina akuzoi trupat ruse për vrasjen e qindra civilëve në qytetin Bucha.
Rusia mohon të ketë sulmuar civilët në Ukrainë. Ambasadori i OKB-së Vassily Nebenzia tha të martën se ndërsa Bucha ishte nën kontrollin rus “asnjë civil i vetëm nuk vuajti nga ndonjë lloj dhune”.
Gazeta sHqiptare